Nga një storje për ndarje të drejtësisë ndaj një pedofili deri te një tregim për vrasje mizore

[Recension: Një rus vrau një njeri, e kur do ta kuptoni se pse, do të kërkoni që të mos bëjë asnjë ditë burg]

 

Portali “Kurir” publikoi një storje për një banor të qytetit rus të Ufa, i cili ka vrarë një pedofil të dyshuar, i cili nga tjetër, ka mbajtur peng dy adoleshentë. Ai u bë hero i ditës, pasi që vetë e ka ndëshkuar personin që ka qenë në burg për abuzim seksual të të miturve – publiku kërkon që ai të mos përgjigjet për atë që e bëri, gjë që, sipas ligjit rus, supozon vuajtje të burgut për 15 vjet. Kjo, para së gjithash, është e vërtetë si ngjarje, me faktet fillestare, e po ashtu edhe publiku rus ka kërkuar amnistimin e tij. Por, ky tekst është problematik nga disa aspekte. Në fund, rezulton se nuk është aspak i vërtetë, por storja e vërtetë nuk është transmetuar si korrigjim, edhe pse media ka detyrim profesional t’i korrigjojë gabimet e veta.

Linku deri te artikulli origjinal: Një rus vrau një njeri, e kur do ta kuptoni se pse, do të kërkoni që të mos bëjë asnjë ditë burg

Data dhe koha e publikimit: 6.2. 15:05

Data e recensionit: 19.2.2020

Recenzues: Ljubomir Kostovski

Në artikullin e transmetuar nga gazeta “Metro”, si dhe në një duzinë të mediave të tjera (të huaja), askund nuk qëndron konstatimi “një rus vrau pedofilin”…, por çdokund qëndron ose “vrasësi i pedofilit” ose “mekaniku ka vrarë…”, duke iu shmangur kështu përgjithësimit që si duket ka qenë qëllimi i “Kurir”-it! Konkretisht, është e qartë se në artikullin e recensuar është filluar nga titulli, i cili duhet të sugjerojë se vrasësi është i veçantë, gjegjësisht se ka licencë kombëtare për “heroizëm” ose ndoshta i përket një kombi ku individët mund ta zëvendësojnë sistemin juridik dhe vetë, pa aktakuzë, marrje në pyetje të të gjithë aktorëve në një ngjarje dhe pa gjykim, të arrijnë në pikën ku kriminelët do ta marrin dënimin që e meritojnë. Është e vërtetë që Rusia nuk njihet për respektimin e të drejtave të njeriut, por, megjithatë, siç mund të lexohet, sistemi juridik ka paraparë ndëshkim të ashpër për individët e tillë.

Ajo që është, natyrisht, kontestuese në këtë tekst, është pohimi që në titull se “kur do kuptojmë se pse edhe vetë do të kërkonim të mos bëjë asnjë ditë burg”, gjegjësisht, nëse do të mundnim, do ta lëshonim! Një interpretim të tillë të ngjarjes mund të bëjë dikush që mendon se secili nga ne mund të jetë si sherifi i Perëndimit të Egër – Roj Bini, i cili ishte edhe paditës ashtu edhe gjyqtari dhe ekzekutues i dënimit, i cili gjithnjë përfundonte me varje të atij që do të përballej sy për sy me të. Praktikisht, në frymën e titullit, kjo mund të kuptohet si nxitje në atë drejtim: burrat e vërtetë nuk presin që të vijë policia. Ose bëhuni edhe ju sikur Roj Bini, ose edhe më afër botëkuptimeve tona, bëhuni “Hari i ndytë” (Dirty Harry) dhe zgjidhni krimin “me procedurë të shkurtër”, që është me të vërtetë më shumë sesa një shembull i shëmtuar.

Në Rusi, në fillim kishte shumë artikuj në këtë drejtim “çlirues”, duke thënë se edhe vetë policia nuk ka dashur ta arrestonte apo ta mbante në burg, por për fat të mirë, pas një kohe, mendimet janë më ndryshe. Së pari, rrëfimi i motrës së vrasësit – Kristina Kovalenko tregon se familja ka hequr dorë nga Vlladimir Sankin dhe se familja e tij i ka paguar shpenzimet e varrosjes së të vrarit (20 mijë rubla).

Le t’i kthehemi tani tekstit maqedonas për rastin Sankin. Praktika e mirë është që kur të “zbuloni” diçka t’i ndiqni ngjarjet në lidhje me këtë situatë ligjore. Sidomos kur këtu ka një kthesë kopernikane: ka detaje të reja në lidhje me storjen skandaloze për një njeri, i cili sipas interpretimeve iniciale, duke i mbrojtur djemtë nga një pedofili, e rrahu dhunuesin, pas së cilës pedofili vdiq.

Hetimi arriti të dëshmojë se ky version nuk është i vërtetë. Bashkëbiseduesi në hetim për ProUfu deklaroi se si ndodhi gjithçka. “Hetimi ka një version të ri të asaj që ndodhi, që e përjashton storjen e shpëtimit të fëmijëve nga pedofili. Kështu që, sipas versionit, adoleshentët, gjoja të shpëtuar më vonë nga pedofili, kanë pirë me viktimën në shtëpinë e tij. Abuzimi i alkoolit vazhdoi derisa burri u sugjeroi adoleshentëve që t’i tregojnë organet e tyre gjenitale. Ata kanë refuzuar dhe janë larguar. Në rrugë, ata u takuan me Vladimir Sankinin, të cilit i thanë se një ish i njohur i tyre i kishte qerasur me alkool. Adoleshentët, së bashku me Sankinin, janë kthyer në shtëpinë e viktimës, e kanë nxjerrë atë në rrugë, ndërsa Sankini ka filluar ta rrahë, duke e goditur me një copë gardhi në kokë dhe në organet vitale. Gjatë rrahjes, Sankini nga viktima ka marrë 1.5 mijë rubla, nga të cilat 500 rubla u ka dhënë adoleshentëve. E gjithë kjo zgjati nga ora 11 e mëngjesit deri në orë 2 pas mesnate. Policët e kanë ndërprerë rrahjen …”

E tani çka – në mendjet tona mbetet storja e vrasësit që duhet të falet, e në fakt, ai dhe dy adoleshentët, “viktimat” e supozuara, ishin vrasës dhe grabitës klasikë. Madje edhe sadistë. Po, por kjo është një “storje e zakonshme”, nuk ka këtu “rusë të mëdhenj” që ndajnë drejtësi. Ekziston joprofesionalizëm në media, për të cilën duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë, në mesin e të cilëve edhe ata që e publikuan version për Roj Binin rus.