[Recension: U mbeti vetëm edhe kjo fundjavë për t’u dehur: Nga e hëna në LSDM do të këndohet kënga “I tebe sam sit kafano” e Haris Xhinoviqit]
Teksti që i nënshtrohet këtij recensioni është kryesisht tendencioz dhe synon ta njollosë LSDM-në në pushtet dhe anëtarët e saj.
Linku deri te artikulli origjinal: U mbeti vetëm edhe kjo fundjavë për t’u dehur: Nga e hëna në LSDM do të këndohet kënga “I tebe sam sit kafano” e Haris Xhinoviqit
Data dhe koha e publikimit: 17.1.2020
Data e recensionit: 20.1.2020
Recenzues: Ana Anastasovska
Artikulli, si shkak për këtë tendencë, e përdor një letër nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Ljupço Nikollovski, dërguar funksionarëve të partisë dhe kryetarëve të organizatave komunale. Në letër, Nikollovski kërkon prej tyre që në peirudhën para zgjedhjeve t’u përkushtohen maksimalisht aktiviteteve të partisë dhe në rrjetet sociale të mos postojnë fotografi private nga kafenetë, pushimet dhe të ngjashme.
Kërkesa e këtillë e Nikollovskit është keqpërdorur në artikull dhe është shtrembëruar, gjegjësisht në tekst është bërë një interpretim arbitrar, se anëtarët e LSDM-së “nuk duhet të dehen”. Prej këtu del edhe titulli bombastik “U mbeti vetëm edhe kjo fundjavë për t’u dehur: Nga e hëna në LSDM do të këndohet kënga “I tebe sam sit kafano” e Haris Xhinoviqit
Pas një letre paralajmëruese nga sekretari i përgjithshëm, Ljupço Nikollovski, të gjithë funksionarët e LSDM-së, në të gjitha nivelet, përballen me një fundjavë tronditëse. Sepse kanë edhe dy ditë deri në abstenimin nga kafenetë.
Sipas paralajmërimit të sekretarit të përgjithshëm, “ndalesa” partiake fillon në 20 janar dhe do të zgjasë deri në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill. Dhe pastaj, përsëri me të vjetrën! Pra, këtë fundjavë funksionarët e LSDM-së do të këndojnë një himn të ri “partiak”.
Është përdorur termi “ndalesë partiake” duke theksuar se anëtarëve të partisë së LSDM-së do t’u ndalohet të dehen pas 20 janarit. Pohimet e këtilla nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe kërkesën e Nikollovskit. Në fakt, ai nuk përmend askund se atyre u ndalohet të shkojnë nëpër kafene, e aq më pak flet për ndonjë dehje. Nikollovski vetëm i këshillon funksionarët e partisë që të mos postojnë fotografi private në rrjetet sociale, por zyrtare, gjegjësisht fotografi të aktiviteteve të partisë.
Artikulli vazhdon të tallet dhe t’i njollosë social-demokratët.
Nëse pas festës së Vitit të Ri ishte hiti i vjetër i Dino Merlinit – “Sve je lazh, samo pusta lazh” (përkthimi në maqedonisht është i tepërt, sepse ata e kuptojnë dhe e dinë gjuhën serbe më mirë se maqedonishten, nga kafenetë, apo jo), këtë fundjavë do ta këndojnë Haris Xhinoviqin dhe refrenin e tij “… I tebe sam sit kafano, da Bog da se zapalila…”.
Përsëri aludohet në atë se anëtarët e LSDM-së rinë vazhdimisht nëpër kafene.
Në fund, që teksti të “lë një përshtypje më të madhe”, tërhiqet një paralele midis LSDM-së dhe Nikollovskit, dhe regjimit dhe diktatorëve. Me fjalë të tjera, kemi një “turli tavë”.
Nga letra e sekretarit të përgjithshëm Nikollovski, mbeti e paqartë nëse fotot e postuara më parë të funksionarëve të partisë do të duhej të hiqeshin ose të ripërpunoheshin. Teknologjia moderne e mundëson këtë.
Megjithatë, historikisht, Photoshop-i nuk është ndonjë shpikje moderne. Përkundrazi, është përdorur nga të gjitha regjimet që kur ekziston fotografia. Kur ndonjë njeri i fuqishëm do të haste në telashe, thjesht do ta fshinin atë nga fotografia sikur të mos kishte qenë kurrë në të. Në këtë fushë kanë paraprirë Stalini, Hitleri, Musolini…
Kohët e fundit, Photoshop-in e përdorin edhe shumë yje të famshme, ndikues (influencerë) dhe të ngjashëm. Krahasimi me Stalinin, Musolinin dhe Hitlerin nuk ka asnjë lidhje logjike me letrën e Nikollovskit. Qëllimi është padyshim vetëm një. Të theksohet se LSDM-ja është gjoja një parti fashiste, e cila përdor metoda diktatoriale.
I gjithë artikulli nuk ka asnjë vlerë dhe është një shembull i qartë se si nuk duhet të duket një artikull gazetaresk. Artikulli është gjithashtu një shembull se si përgatiten tekstet e bëra me porosi, që kanë për qëllim ta manipulojnë publikun dhe t’ua lajnë trurin lexuesve.
Në teks është anashkaluar rregulli themelor i gazetarisë, e ai është të pyetet pala tjetër. Kur e sulmoni dikë, është normale dhe profesionale të kërkoni qëndrimin e tij. Por, qëllimi i këtij artikulli, padyshim, nuk është të demonstrojë gazetari, por propagandë.