Një titull serioz nuk përcjell shaka

 

Shkruan: Biljana Tanevska

 

Nëse jeni nga ata që lexoni vetëm tituj, ndoshta mund të keni hasur në “lajmin” se kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev e ka dhënë vajzën për t’u nënshkruar Marrëveshja e Prespës ose në këmbim të një ishulli grek. Sado spektakolare që mund të tingëllojë dhe sado shpesh që të paraqitet, ky titull nuk është i vërtetë.

Në fakt, bëhet fjalë për video-klip nga një intervistë e relaksuar e Vitit të Ri në shtëpinë e Zaevit, të përgatitur si bisedë e gazetarit Mishko Ivanov nga “TV24” me Zaevin dhe gruan e tij. Një përdorues i Twitter-it e ka shpërndarë këtë video-klip ku ish-kryeministri, i cili njihet për përpjekjet e tij për të bërë shaka në fjalimet e tij, tregon një anekdotë nga bisedimet midis tij dhe ish-kryeministrit grek Aleksis Cipras para se të nënshkruhej Marrëveshja e Prespës.

Në fakt, bëhet fjalë për një kompliment që e ka bërë Ciprasi për vajzën e tij, njësoj duke tentuar që të jetë qesharak, në të cilin Zaevi është ndërlidhur me propozimin për negociata për ta martuar vajzën e tij me njërin nga djemtë e Ciprasit. Ai, në përpjekje për të theksuar edhe më tepër shakanë në gjithë absurditetin e negociatave, thotë: “ju do të lëshoni pak pe për emrin, unë do ta jap vajzën time, ne nuk kemi det do të na jepni një ishull … dhe ngadalë do të gjejmë zgjidhje.

Sigurisht, nuk është e thënë që shakaja të gjithëve t’u duket qesharake, veçanërisht kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme, por gazetarët nuk mund të lejojnë që prej saj të bëjnë lajm krejtësisht të rremë, i cili thjesht ka për qëllim të bëjë dëm politik. Është e qartë se bëhet fjalë për një shkëmbim të padëmshëm të mendimeve, që shërben për të zvogëluar tensionin e atmosferës serioze në të cilën u zhvilluan këto negociata. Sikurse të gjithë njerëzit e tjerë, edhe udhëheqësit dhe politikanët dinë të komunikojnë në mënyrë joformale dhe të bëjnë shaka. Të presësh diçka ndryshe nga ajo është të paktën joreale.

Shumica e portaleveqë e publikuan këtë fragment e shpërndanë atë duke përdorur tituj spektakolarë që sugjerojnë se Zaevi e paska dhënë vajzën e tij për t’u nënshkruar marrëveshja. Të përballur me faktin se shumë njerëz mjaftohen duke i lexuar vetëm me tituj, veçanërisht kur në to tregohet i gjithë lajmi, lirisht mund të konkludojmë se të gjitha këto portale kanë kontribuar në përhapjen e një dezinformate.

Cilat janë zgjidhjet e mëtejshme të mundshme të tregimit mund të shihet në komentet për videon në Twitter. Disa nga përdoruesit e Twitter-it që kanë komentuar janë tmerruar nga fakti se Zaevi e paska dhënë vajzën e tij, e çfarë mbetet për shtetin, e disa flasin sikur ai me të vërtetë ka fituar një ishull. Por, nëse kjo do të mbetej vetëm në Twitter, gjërat do të ishin ndryshe. Problemi është se disa portale e kanë shpërndarë videon si lajm me titull që përhap dezinformatë. Me këtë rast, gazetarët që e bëjnë këtë e shkelin nenin e parë të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, i cili thotë: “(…) “Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente. Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar. Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.

Te shumica e portaleve të lartpërmendura, të cilat e kanë shpërndarë këtë videoklip, mund të shohim se i plasojnë tuitet si lajme, pa dhënë me këtë rast mendimin, përfundimin, analizën ose të paktën shpjegimin e tyre të kontekstit. Askund nuk sugjerohet se bëhet fjalë për shaka, por përkundrazi, disa nga titujt e paraqesin këtë dezinformatë si lajm. Vetë fakti që është shmangur të theksohet se bëhet fjalë për shaka, qëllimisht i lë lexuesit të konkludojnë atë që ata do ta konkludojnë dhe asnjë medium nuk ka dhënë link deri te videoja e plotë prej ku është marrë video-klipi, për ta fituar kontekstin e vërtetë nga i cili është nxjerrë video-klipi. Nga ana tjetër, shumë lexues as që do ta shohin videon nëse e hasin lajmin në rrjetet sociale ose në ndonjë përmbledhës (agregator) të lajmeve, por do të marrin si informacion vetëm atë që e kanë lexuar në titull ose në tekst, i cili në këtë rast është dezinformatë. Kur kësaj do t’ia shtojmë faktin se shumë njerëz në rrjetet sociale shpërndajnë tituj, gjegjësisht lajme, të cilave ua kanë lexuar vetëm titujt, bëhemi të vetëdijshëm se sa i dëmshëm është përdorimi i titujve që përhapin dezinformata dhe nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën.

Në fund shtrohet pyetja se gazetarët me të vërtet nuk janë informuar sa duhet për saktësinë e informacionit që e kanë shpërndarë, apo e kanë shpërndarë ato qëllimisht, pa dhënë sqarime të mëtejshme, por me titull që sugjeron një të pavërtetë?