Titujt manipulues janë shenja se autori dëshiron që të tërheqë në mënyrë jo etike sa më shumë lexues, pa i interesuar ndikimin që mund të shkaktojë tek ata. Teksti që morëm për recensim ose me sakt titulli i tij, ua paraqet lexuesve një sëmundje të kafshëve, si diçka që ka të bëjë me virusin korona, që nuk është aspak e vërtetë.
Linku origjinal i artikullit: Pas Koronavirusit, zbulohet sëmundja “njukastel” në një fermë në…
Data e publikimit: 09.04.2020
Data e recensimit: 19.04.2020
Recensuese: Naile Dauti
Titulli i artikullit në fjalë “Pas Koronavirusit, zbulohet sëmundja “njukastel” në një fermë në…”, asocon në dy gjëra të gabuara:
1. Se kjo sëmundje rrezikon jetën e njerëzve dhe se pas virusit Kovid-19, do të përballen me një kaos tjetër shëndetësor
2. Se kjo lloj sëmundje është në nivel global e jo në vendin tonë, që me automatizëm nënkuptojmë se do të jetë njësoj si rasti me korona virusin
Sqarim për dy pikat e sipër përmendura, që na asocojnë në situata të gabuara :
1. Ashtu siç ka konfirmuar edhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, kjo sëmundje, nuk është e rrezikshme dhe madje as e transmetueshme te njerëzit. Autori brenda në tekst, me një fjalë ka demantuar vetë titullin që ia ka vënë artikullit. Në web faqen e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, gjithashtu thuhet se kjo lloj sëmundje mund të prekë njerëzit, por kryesisht nëse ata kanë pasur kontakt të drejtëpërdrejtë me shpezët e infektuara, por se gjendja është shumë e butë. Nga ana tjetër edhe në web faqen e Departamentit të Agrikulturës të Shteteve të Bashkuara, thuhet se “sëmundja virulente e Njukasël e nuk është një shqetësim për sigurinë ushqimore. Asnjë rast njerëzor i sëmundjes Njukasël nuk ka ndodhur ndonjëherë nga ngrënia e produkteve të shpendëve. Produktet e pulave të gatuara siç duhet janë të sigurta për tu ngrënë. Në raste shumë të rralla, njerëzit që punojnë drejtpërdrejt me zogj të sëmurë mund të infektohen me simptoma të buta, siç është konjunktiviti. Këto parandalohen lehtësisht me pajisje mbrojtëse personale.”
Edhe pse mund të ketë qëndrime të ndryshme mes organizatash ose departamentesh, për sa i përket se a mund të infektohen njerëzit nga kjo sëmundje, kryesorja dhe më e rëndësishmja është se njerëzit nuk janë të rrezikuar nga kjo sëmundje, por vetëm kafshët apo shpezët. Pra nuk ka nevojë aspak për shqetësim.
2. Problemi tjetër në titull është se kur e lexojmë , asocojmë në një sëmundje me nivel global, e ngjashme me korona virusin edhe pse flitet për vendin tonë gjë që është e gabuar. Sëmundja është prezente në shumë vende të botës, por nuk është e transmetueshme te njerëzit. Siç thuhet në web faqen e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, “sëmundja është kontrolluar aktualisht në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Evropës Perëndimore. Vazhdon në pjesë të Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut. Sidoqoftë, pasi zogjtë e egër ndonjëherë mund të mbartin virusin pa u sëmurur, shpërthimet mund të ndodhin kudo që ngrihen shpendët”, thuhet në web faqen e kësaj organizate.
Nga çfarë mund të shihet, kjo lloj sëmundje nuk ka asnjë ndërlidhje me virusin korona dhe në rrethana të tjera, mesiguri, autori do të kishte vendosur një titull tjetër, por duke qenë se situata është e tillë kur njerëzve, iu intereson ndoshta çdo gjë që ka të bëjë më virusin aktual, ky ishte titulli i duhur për t’i bërë ata që ta lexonin.
Autori i artikullit ka bërë një sërë manipulimesh përmes titullit. Thirrja e mundësisë, Analogji false, Thirrja e emocioneve dhe Prirje për anim të vëmendjes, janë manipulimet më të theksuara. Në të parën autori, më vetëdije vendos një titull që i bën lexuesit të mendojnë se ekziston mundësia që të paraqitet një sëmundje e transmetueshme e ngjajshme me korona virusin edhe pse një mundësi e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, të paktën sipas institucioneve përkatëse botërore dhe vendore. Autori qëllimisht bën analogji false midis korona virusit dhe sëmundjes së njukasëlit, pastaj këtë analogji e përdorë duke bërë një supozim jo etik. Bashkë me këtë vë në funksion gjendjen depresive dhe pasigurinë e qytetarëve, pra përdor emocionet e tyre. Ani pse autori demanton titullin e vet në artikull, ai ia ka arritur qëllimit vetëm përmes një fjalie, që t’ua tërheqë vëmendjen lexuesve.
Përveç manipulimeve të sipër përmendura, autori ka shkelur edhe Kodin Etik të Gazetarëve.
“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.”
“E drejtë dhe detyrë e gazetarëve është të përpiqen të parandalojnë censurën dhe shtrembërimin e lajmeve.”
Lexuesit të jenë të vëmendshëm dhe të shmangin tituj dhe media të tilla. Titujt me tre pika, që lë lexuesin të nënkuptoj gjëra të gabuara nuk janë karakteristikë e mediave dhe gazetarëve profesionistë. Gazetari gjithmonë mundohet që t’ju shmanget shprehjeve me ekuivoke, të cilat japin asocime të gabuara. Veprimet e tilla duhet të jenë të dënueshme dhe media të tilla nuk duhet të zënë hapsirën dhe kohën e askujt.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.