Nuk është e vërtetë se Filipçe ka thënë se kufijtë hapen nga mesi i korrikut

Gabim në interpretim apo në kopjim. Cilido që të jetë lëshimi nga mediat, një gjë dihet: nuk është e vërtetë se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka deklaruar se nga mesi i korrikut do të hapen kufijtë, por ka deklaruar se kufijtë priten të hapen nga mesi i muajit qershor. Për këtë, vlerësojmë se pjesa dërmuese e mediave e dezinformuan publikun, kjo sepse nuk verifikuan burimin e informacionit dhe publikuan artikuj duke kopjuar nga të tjerët.

Linku original i artikullit: Filipçe: Hapja e kufinjve pritet nga mesi i korrikut

Data e publikimit: 22.05.2020

Data e recensimit: 24.05.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe i futi në kurth të madh pjesën dërmuese të mediave, të cilat publikuan informacionin se gjoja ai (Filipçe) ka deklaruar se kufijtë e Maqedonisë së Veriut pritet të hapen nga mesi i muajit korrik.

Ky informacion nuk është i vërtetë, sepse e vërteta është se ministri ka deklaruar se kufijtë priten të hapen gjatë mesit të qershorit (e jo korrikut si që u përcjell në media).

Kjo mësohet edhe nga deklarata që Filipçe e tha në intervistën për TV24 të cilin, për shkak të informimit të saktë të publikut do ta transmetojmë të plotë.
Deklarata e Filipçes për kufijtë për TV24 (nga minuta 40:40)

Gazetari: Kur mund të presim hapje të kufijve?
Filipçe: Mendoj se nga mesi i qershorit.
Gazetari: Mesi i qershorit?
Filipçe: Po, mesi i qershorit.
Gazetari: Por a nuk ka qenë në fillim të korrikut? Kjo është shumë optimiste! Kjo po i bie diku edhe një muaj?
Filipçe: Po, diku për 2-3 javë.

Ku u bë gabimi?

Informacioni i pasaktë: Kufijtë hapen në korrik
Informacionet kundërthënëse, korrik në titull, qershor në tekst

I pari që gaboi ishte vetë televizioni ku mysafirë ishte Filipçe. Publikoi artikull i cili mbante titullin “Nga mesi i korrikut me shumë gjasë do të hapen kufijtë”.

 

 

Edhe pse në titull qëndronte muaji “Korrik”, në artikull përmendej muaji “Qershor”. Edhe pse vetë artikulli kishte informata kundërthënëse, sërish mediat duke e kopjuar artikullin e shpërndanë dezinformatën në kanalet e tyre.

Pas reagimeve në publik, TV24  e korrigjoi informacionin. Siç mund të shihet në linkun e artikullit të njëjtë nuk qëndron më muaji korrik, por qershori.

 

Informacioni i korrigjuar: Gjatë mesit të qershorit me shumë gjasë do të hapen kufijtë
Informacioni i korrigjuar: Gjatë mesit të qershorit me shumë gjasë do të hapen kufijtë

E korrigjuan edhe disa prej mediave që e kopjuan, por ka nga ata që edhe sot dezinformojnë. Rasti është me artikullin që e recensojmë.

 

“Në pyetjen e gazetarit se kur planifikohet të hapen kufijtë, ministri theksoi se kjo pritet kah mesi i korrikut. “Në mes të korrikut pritet hapja e kufijve, kjo është periudhë e duhur se kur do të mundeshin të hapeshin kufijtë”, theksoi Filipçe, duke bërë thirrje se njerëzit mund të shkojnë kudo qoftë nëse i respektojnë masat”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.

Në rastin tonë, vlerësojmë se plagjiatura nuk do të thotë vetëm vjedhje e të drejtës së autorësisë, por edhe potencial për publikim të dezinformatave. Prandaj, një nga detyrat kryesore e gazetarëve është edhe të verifikojë burimet e informacionit. Në këtë rast, gazetarët është dashur ta dëgjojnë vetë deklaratën e ministrit dhe më pas të publikojnë informacionin, e jo ta marrin artikullin copy- paste dhe kështu ta gënjejë publikun. Gazetari është dashur ta korrigjojë gabimin, të tregojë se informacioni ka qenë i pasaktë ose dhe ta korrigjojë të njëjtin.

“Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Nga këtu del edhe nevoja që publiku të verifikojë vetë burimin informacionit. Në këtë rast ata mund ta bënin këtë duke dëgjuar deklaratën vetë, ashtu siç e bëmë edhe ne.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.