Nuk është pyetur Kostadinovi se a ka blerë banesë në “Xhevahir”

 [Recension: (FOTO) Kostadinovi ka blerë banesë në “Xhevahir” – e fsheh atë në fletën anketuese?!]

Tekst i njëanshëm përplot me akuza paushalle, pa prova dhe pa burime të sakta. Artikulli pohon se deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, posedon banesë në rrokaqiejt “Xhevahir” në lagjen “Aerodrom”, por media nuk është munduar ta pyesë Kostadinovin se a është kjo e vërtetë.

Linku deri te artikulli origjinal: (FOTO) Kostadinovi ka blerë banesë në “Xhevahir” – e fsheh atë në fletën anketuese?!

Data dhe koha e publikimit: 4.4.2019

Data e recensionit: 10.4.2019

Recenzues: Simona Atanasova

Akuzat bazohen në dy fotografi për të cilat thuhet se e paraqesin Kostadinovin duke hyrë në ndërtesë në të cilën gjoja ai paska banesë.

Por, fotografitë janë shumë të paqarta. Në to shihet një njeri që me të vërtetë hynë në njërën nga ndërtesat “Xhevahir”, por nuk mund të thuhet me siguri se bëhet fjalë për Kostadinovin. Fotografia është bërë nga mbrapa, pas shpine, prandaj nuk shihet fytyra e tij, e as ndonjë gjë në bazë të të cilës lexuesit me të vërtetë do të bindeshin se ai është zëdhënës i LSDM-së.

Por, edhe sikur në fotografi me të vërtetë të jetë Kostadinovi, kjo nuk është dëshmi se ai hyn në banesën e tij. Ka gjasa të mëdha që ai të shkojë diku si mysafir ose për ta vizituar dikë, veçanërisht pasi që fotografitë, sipas veshjes së njeriut, janë bërë brenda një dite.

Në tekst thuhet se fotografitë dhe informatat vijnë nga “qytetarë të brengosur”. Megjithatë, nuk dihet se kush janë këta qytetarë që kanë “informuar” se Kostadinovi ka blerë banesë në ndërtesat “Xhevahir”.

Tashmë disa muaj radhazi e shohim se si për çdo ditë hyn dhe del nga njëra prej ndërtesave “Xhevahir”, më saktë nga ndërtesa e quajtur A. Fqinjët thonë se këtu ka blerë një banesë. Prandaj pyesim se sa ka arritur të mbledhë para aq i ri? – thonë për “Lider”-in qytetarët e brengosur.

Nga kjo “deklaratë” nuk është e qartë se kush pretendon dhe kush i ka dërguar informatat deri te mediat.

Përndryshe, sigurisht, qytetarët kanë të drejtë të ngrenë dyshime. Por në rastin konkret, gazetari nuk e kryer punën e tij deri në fund. Është detyrë e gazetarëve t’i verifikojnë informatat para se t’i publikojnë ato dhe të krijojnë opinion publik.

Gjëja më e çuditshme është se media i bën thirrje Kostadinovit të tregojë “në emër të kujt është regjistruar banesa në të cilën qartazi jeton”. Kostadinovi mund të kishte treguar sikur ta kishte pyetur dikush. E ai që është dashur ta pyesë ka qenë gazetari që i ka publikuar pretendimet pa i verifikuar ato dhe pa e pyetur palën e prekur, gjegjësisht pa kërkuar deklaratë/qëndrim nga Kostadinovi. Megjithatë, për fat të keq, në këtë artikull nuk është respektuar rregulli bazë i gazetarisë për të publikuar informata të sakta dhe të verifikuara (neni 1 i Kodit të gazetarëve).

E shkruar në këtë stil, ky tekst i njëanshëm poashtu pohon se Kostadinovi e fsheh pronën edhe nga KSHPK-ja edhe nga qytetarët, “duke e ndjekur shembullin e kolegëve të tij nga LSDM-ja”. Shtrohet pyetja se cilin shembull dhe cilët kolegë i ndjek ai? Artikulli nuk tregon se për cilët individë mendohet konkretisht, kështu që pohimi mbetet pezull në ajër.

Pra, marrë në tërësi, ky tekst le përshtypjen se ka një tendencë të dukshme për ta diskredituar zëdhënësin e LSDM-së.