Nuk është vendosur ora policore për t’u montuar antenat e 5G, ky autor po ju mashtron

Në përcjellje të një muzike tejet shqetësuese, përmes një shkrimi jo të vërtetë, alarmues dhe konspirativ, faqja në “Fejsbuk” me emrin “Daja Giixh” i gënjen lexuesit se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur orën policore nga 22:00 për shkak të montimit të antenave të rrjetit 5G, edhe pse videoja të cilën e ka publikuar, nuk është e incizuar në RMV, por në Shqipëri. Ndërkaq, Crithink disa herë ka shpjeguar (mos) lidhshmërinë e rrjetit 5G me virusin korona.

Fotografi nga postimi që recensohet

Linku deri te postimi: Daja Giixh

Data e publikimit: 10.03.2021

Data e recensimit: 15.03.2021

Recensues: Ardit Ramadani

Duke shfrytëzuar faktin se jo të gjithë lexuesit janë ekspertë të teknologjisë dhe inxhinierë të pajisjeve teknologjike për ta kuptuar se çfarë është rrjeti 5G, nga fillimi i pandemisë deri sot shumë persona me ose pa qëllim kanë manipuluar me lexuesit me çka është ngjallur panik i rremë se bëhet fjalë për diçka të rrezikshme.

Autori i këtij shkrimi në Facebook, i cili paraqitet me emrin “Daja Giixh” ju thotë qytetarëve se pas orës 22:00, duke aluduar në fillimin e orës policore në Maqedoninë e Veriut, punohet për tu montuar antenat e 5G.

“Nuk ka nevojë për live, nuk ka nevojë shpjegim me fjalë kur janë veprat. Janë duke u montuar antenat e 5G neper vendet tona pas orës 22:00 punohet dhe stabilizohet gjendja asgjë diçka lidhje me virusin, me erdhi kjo video nga xhamia ku është Imam Hoxha i nderuar Elvis Naçi është montuar antena në minare pa qen fare në dijeni hoxha” shkruan ai në “Fejsbuk”.

Ky shkrim është i pavërtetë dhe këto janë metodat e manipulimit që ka shfrytëzuar autori

Autori i këtij shkrimi ka përdorur metodën e manipulimit e cila është shpjeguar në doracakun e Crithink, që quhet “Thirrje në Mundësi”, kështu i njëjti pohon se me siguri bëhet fjalë për diçka të keqe vetëm se në minaren e xhamisë janë të instaluara disa antena për Wi-fi dhe ju thotë qytetarëve se “Kjo botë kishte qenë e Bill Gates ndërsa xhehneti i myslimanëve”.

“Kjo botë kishte qenë e Bill Gates ndërsa xhehneti i myslimanëve” thuhet në shkrimin që e recensojmë.

Megjithatë, projekti për vendosjen e Wi-fi në xhamitë e Shqipërisë ka filluar tash një kohë të gjatë dhe është diçka e mirë për të gjithë besimtarët, sepse me këtë synohet ndërtimi i “Xhamive të Mënçura”.

Autori këtu ka prekur edhe manipulimin i cili quhet “Thirrje në Autoritet”, duke marrë parasysh se pjesa dërmuese e qytetarëve gëzojnë respekt kundrejt hoxhës Elvis Naçi, “Daja Giixh” në faqen e tij në Fejsbuk thotë se e gjithë kjo gjë, që sipas tij është e keqe, po ndodhë pa dijeninë e hoxhës Elvis Naçi, në mënyrë që shkrimi të bëhet edhe më i besueshëm.

“Xhamia ku është Imam Hoxha i nderuar Elvis Naçi është montuar antena në minare pa qen fare në dijeni hoxha” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Një prej metodave të manipulimit në këtë shkrim quhet “Dikotomi False” ku autori përjashton çdo mundësi tjetër të vendosjes së këtyre antenave, përveç asaj që e thotë ai, e që është lidhshmëria e antenave me virusin korona.

“Nuk ka nevojë shpjegim me fjalë kur janë veprat. Janë duke u montuar antenat e 5G neper vendet tona pas orës 22:00 punohet” shkruan në shkrimin që e recensojmë.

Në fakt, në këtë shkrim janë prekur shumica e metodave të manipulimit të lexuesve, edhe atë “Analogjia False” ku autori me çdo kusht mundohet të krijoje lidhje mes dy gjërave të palidhura, siç është virusi korona dhe rrjeti 5G.

Autori i shkrimit gjithashtu ka përdorur “Prova Selektive” me çka ka injoruar çdo shpjegim shkencor në lidhje me rrjetin 5G dhe “dëmin” që ai mund të shkaktoje te qytetarët, dhe ka shkruar sipas besimeve të tija personale.

Meqenëse qytetarët kanë lidhje shpirtërore me shtëpitë ku kryejnë lutje, në këtë rast bëhet fjalë për xhami, autori i shkrimit disa herë e ka përsëritur se këto “antena 5G” pas orës 22:00 po montohen në minaret e xhamive, teknikë e manipulimit që quhet “Thirrje në Emocione”.

5G dhe (mos)lidhja me virusin korona

Nuk mund ta detektojmë me siguri gjenezën e përhapjes së informacioneve të para që bënë lidhjen mes virusit korona dhe rrjetit 5G. Mediat botërore raportojnë se një lidhje e këtillë ka filluar përafërsisht nga muaji janar, atëherë kur filloi të marrë përmasa globale shqetësimi nga Covid-19. Disa sugjerojnë se COVID-19 është shpikur për të shërbyer si mbulesë për pasojat shëndetësore që sjell teknologjia 5G. Sipas kësaj teorie, simptomat e virusit; ethe të forta, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje, në të vërtetë janë reagimi i organizmit të njeriut nga ekspozimi ndaj valëve të 5G. Një teori tjetër sugjeron se rrjeti 5G dobëson sistemin imunitar dhe tjetra thotë se virusi po përdor valët e rrjetit për të zgjedhur viktimat, duke përshpejtuar kështu përhapjen e tij. Teoria është pritur me skepticizëm nga ekspertët, të cilët theksojnë se raste të virusit korona janë identifikuar edhe në shumë vende ku akoma nuk ka rrjet 5G. Si e shohin ato?

“Ideja që 5G-ja dobëson sistemin nuk ka asnjë lloj baze. Sistemi imunitar i njeriut mund të dobësohet nga shumë gjëra, që nga një ditë e lodhshme deri tek një dietë e keqe ushqimore. Këto gjëra, sado të vogla mund të bëjnë që të jeni më të prirur për të kapur virusin. Valët magnetike mund të çrregullojnë fiziologjinë e njeriut kur ngrohen, që do të thotë se sistemi imunitar nuk mund të funksionojë. Por niveli i energjisë nga valët e 5G janë fare të vogla dhe e kanë të pamundur që të ndikojnë në sistemin imunitar. Ka pasur shumë studime për këtë“, shpjegon për BBC, Simon Klark, doktor i biologjisë molekulare.

Shpërndarja në mënyrë masive e informacioneve për një lidhje mes instalimit të rrjetit 5G dhe virusit korona mori përmasa shqetësuese. Ato nxitën edhe veprime konkrete me akte vandale. Si pasojë e këtyre teorive, në Britaninë e Madhe, në qytetet Belfas, Liverpull, Birmingam u raportuan dhjetëra raste të akteve të dhunës, konkretisht, vënies flakë të antenave të kompanive celilare, si shenjë proteste ndaj 5G.

–       Birmingham 5G mast goes up in flames in ‘likely’ arson attack

–       Telecom masts set alight as social media fuels the flames of 5G virus conspiracy

Në një deklaratë të përbashkët, kompanitë celulate në Britaninë e Madhe, BT Group, Telefonica, O2, Vodafone dhe Three, në pronësi të CK Hutchison Holdings (CKHUY), thanë që pretendimet mbi 5G në asnjë mënyrë nuk janë të lidhura me pandeminë.

“Jo vetëm që këto pretendime janë të pabaza, ato janë të dëmshme për njerëzit dhe bizneset që mbështeten në vazhdimësinë e shërbimeve tona. Ata gjithashtu kanë çuar në abuzim të inxhinierëve tanë dhe, në disa raste, kanë parandaluar mirëmbajtjen thelbësore të rrjetit”, thanë operatorët celular.