Nuk janë arrestuar bashkëpunëtorë të ministrit Naqe Çulev

Foto ilustrim

Dezinformimi, ngjallja e panikës në opinion dhe mos-verifikimi i lajmit janë tregues për mungesën e etikës dhe profesionalizmit në media. Lajmi duhet të jetë i verifikuar me qëllim që të mos ngjallë huti dhe frikë në opinion se diçka e madhe është duke ndodhur, kur në të vërtetë nuk ndodh asgjë. Artikulli që recensojmë ka mungesë profesionalizmi dhe është shembull se si nuk duhet bërë lajmi. 

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku origjinal i artikullit:Lajm i fundit: Aksion policor, po arréstohen bashkëpunëtorë të ministrit Naqe Çulev

Data e publikimit: 06.02.2020

Data e recensionit:12.02.2019

Recensuese:  Naile Dauti

Artikulli që po recensojmë, është marrë nga një portal tjetër dhe i tillë ka mbetur, “copy-paste”, një kopjim i thjeshtë. Nuk është bërë asnjë përpjekje për ta konfirmuar nga burime të sigurta.

 “Sipas disa portaleve maqedonase, në këto momente është në vijim një aksion i madh policor. Sipas tyre, deri tani janë arrestuar katër bashkëpunëtore të ministrit teknik, Naqe Çulev, transmeton Gazeta Lajm. Ata dyshohen se kanë nxjerre në opinion të dhëna sekrete policore dhe u janë konfiskuar celularët dhe laptopët”, thuhet në tekstin që po recensojmë.

Mungesë burimesh
Informacioni nuk është i saktë, atë e demantoi Ministri i Brendshëm. Informacioni ka mungesë serioze burimesh dhe përveç që u është referuar portaleve maqedonase, nuk ka asnjë tentativë nga autori i artikullit për të verifikuar nëse ngjarja është duke ndodhur vërtetë. Të paktën, lajmet e këtij lloji janë shumë lehtë të verifikueshme. Mjafton të kërkojmë prononcimin e një zëdhënësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe e mira që do të bëhej në këtë rast, është se do të shuheshin spekulimet që i kanë shpikur mediat tjera. Po edhe nëse nuk mund te merrej asnjë prononcim ose refuzojnë të japin informacion, siç edhe na udhëzon Kodi Etik i Gazetarëve, kjo gjë do të duhej të përmendej.

Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.”, thuhet në nenin e parë të Kodit Etik të Gazetarëve.

Titull joadekuat

Titulli i lajmit (Lajm i fundit: Aksion policor, po arrestohen bashkëpunëtorë të ministrit Naqe Çulev), është joadekuat dhe skandaloz. Titulli e dezinformon lexuesin, e mashtron atë dhe arrin qëllime të tjera, të papranueshme nga aspekti i standardeve bazike të etikës gazetareske. Titulli i lajmit bashkë me fotografinë janë magnet për tërheqjen e lexuesve dhe është shumë e rëndësishme që të përdoren në mënyrë të duhur, për të qenë korrekt.

Koncepti i manipulimit Keqkuptim për “Botë të drejtë” dhe Thirrja për mungesën e provave të kundërta”

Vetëm sepse informatën e kanë publikuar disa portale të tjera nuk domethënë se ajo është e vërtetë. Përderisa informacioni nuk është konfirmuar ose përderisa këtë nuk tenton ta bëjë autori që publikon informacione të tilla, atëherë mbetet vetëm shpifje. Mungesa e provave për të kundërtën, nga pakujdesia apo bërë qëllimisht nuk e bën ngjarjen të vërtetë dhe si e tillë mbetet në suaza të shpifjes dhe manipulimit.

 Për lexuesit

Lajme të tilla nuk kanë të bëjnë me gazetarinë profesionale. Përderisa një lajm nuk ka konfirmim dhe burim të sigurt informacioni, duhet të mbeteni të rezervuar në vërtetësinë e tij ose të mos i besohet fare. Me siguri se është e vështirë për lexuesin, sepse në vend se media të jetë dritare e sigurt informacioni, disa prej tyre keqpërdorin rolin fisnik dhe e shndërrojnë atë në dritare konfuzioni. Prandaj, nëse hasni lajme të tilla, jini gjithmonë skeptik dhe të rezervuar deri në konfirmimin e tij.