Nuk ka dëshmi për fonde të zeza të krijuara nga Zaevi dhe Haradinaj

Tekst tendencioz për sulm të drejtpërdrejtë mediatik ndaj kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Pa asnjë dëshmi, të dy politikanët akuzohen për krijimin e fondeve të zeza për ryshfet të politikanëve në Bruksel dhe Athinë. Akuzë e rëndë për vepër të rëndë penale e cila duhet të vërtetohet se me të vërtetë ka ndodhur para se të publikohet kështu, në mënyrë joserioze, në mediat e të dyja vendeve.

Linku deri te artikulli origjinal: “Blic”: Zaevi dhe Haradinaj kanë krijuar fonde të zeza për t’i paguar politikanët

Data dhe koha e publikimit: 6.8.2019

Data e recensionit: 8.8.2019

Recenzues: Simona Atanasova

Teksti është publikuar në portalin serb “Blic”, pastaj është transmetuar nga “Informer” prej ku e kanë marrë dhe e kanë publikuar mediat e Maqedonisë, pa e verifikuar vërtetësinë e asaj që është shkruar.

Asgjë nuk është ofruar si dëshmi që mund t’i mbështesë pretendimet dhe ta bindë publikun se shkrimi është i vërtetë, e jo spekulime bosh, siç është në të vërtetë.
I gjithë teksti është i bazuar në burime anonime diplomatike. Në gazetari nuk është e pazakontë që ndonjë burim, për shkaqe të arsyeshme, të dëshirojë të mbetet anonim, por ai duhet të jetë i njohurmirë  për gazetarin dhe të jetë i sigurt se atë që e thotë burimi është e vërtetë.

Por shumë shpesh, në vend që burimet anonime të përdoren në situata të jashtëzakonshme, kur të gjitha opsionet e tjera janë shterë, ato keqpërdoren dhe shfrytëzohen për ta manipuluar publikun.

I hollë është kufiri midis burimeve të mirëfillta anonime dhe burimeve fiktive anonime, të cilat nuk ekzistojnë dhe përdoren si paravan për të botuar propagandë false dhe tendencioze për të arritur qëllime të caktuara.

Teksti është plotësisht i njëanshëm. Nuk ka asnjë qëndrim nga palët, të cilat teksti i “ulë në bankën e të akuzuarve”. As Zaevi e as Haradinaj nuk janë pyetër për ta shprehur qëndrimin e tyre dhe që t’i shpjegojnë spekulimet e publikuara.

Atë që duhet ta kishin bërë mediat e Maqedonisë në vend që vetëm ta përkthejnë dhe ta publikojnë tekstin, e bëri agjencia e lajmeve. “Meta”, e cila kërkoi qëndrim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Nga qeveria demantojnë se Zaevi dhe Haradinaj kanë “lidhje sekrete dhe fonde të zeza” dhe thonë se akuzat e bëra në tekst janë “gënjeshtra absolute që nuk janë të dobishme për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”. Ata shtojnë se asnjë dezinformatë dhe manipulim i mediave nuk do ta pengojë vendin të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me vendet e rajonit.

Qëllimi i artikullit është t’i diskreditojë këta dy politikanë, në mënyrë të orkestruar të dëmtohet reputacioni i tyre, dhe publiku të formojë mendim negativ për ta. Dhe e gjithë kjo përmes spekulimeve të pakonfirmuara nga burime të dyshimta.