Nuk ka njoftim zyrtar se Bullgaria i ka thënë “jo” datës së BE-së për RMV-në

Pa Censurë: Edhe Maqedonisë së Veriut i ndodh e papritura, ja cili shtet i thotë jo për negociatat

Nuk ka njoftim zyrtar se Bullgaria i ka thënë “jo” datës së Bashkimit Evropian (BE) për nisjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut, prandaj lajmi që do ta recensojmë është dezinformues.

Pa Censurë: Edhe Maqedonisë së Veriut i ndodh e papritura, ja cili shtet i thotë jo për negociatat

Linku deri te artikulli origjinal: “Edhe Maqedonisë së Veriut i ndodh e papritura, ja cili shtet i thotë jo për negociatat”

Data e publikimit: 02.10.2019

Data e recensionit: 06.10.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull dezinformativ

“Edhe Maqedonisë së Veriut i ndodh e papritura, ja cili shtet i thotë jo për negociatat”, thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.

Mënyra se si është shkruar titulli, krijohet përshtypja se, informata është e sigurt dhe e verifikuar. Megjithatë, në momentin kur lexohet artikulli, ndodh e kundërta.

Ajo çfarë thuhet në titull, thirret në një deklaratë të ministrit, Krasimir Karakaçanov, i cili nuk është autoritet që vendos që t’i thuhet “jo” datës së BE-së për RMV-në. Citimi i tij ka bërë që media të përdor konceptin e manipulimit “Thirrje në autoritet”. Kjo është bërë me qëllim, që nëse citohet ai, publiku do të besojë se, informata është e vërtetë.

“Holanda pritet që t’i thotë jo Shqipërisë për hapjen e negociatave, ndërsa po, Maqedonisë së Veriut. Por, kur duket se Maqedonia e Veriut është më pranë hapjes së negociatave, një shtet ka dalë befas kundër saj, duke deklaruar një jo të hapur. Bëhet fjalë për Bullgarinë, e cila ka paralajmëruar se do të vendos veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri i Bullgar dhe lideri i VMRO-BND, Krasimir Karakaçanov ka deklaruar se nuk do të ketë dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit të saj në BE, derisa të pastrohen të gjitha falsifikimet e historisë”, thuhet në lajmin që e recensojmë.

Krasimir Karakaçanov nuk është autoritet që vendos se a do t’i thotë Bullgaria “po” datës së BE-së për RMV-në ose jo, por kryeministri Bojko Borisov dhe presidenti Rumen Radev.

Këto të fundit nuk kanë deklaruar deri tash se, do t’i thonë “jo” datës së BE-së për RMV-në, por kanë apeluar në arritjen e zgjidhjes nga Komisioni i përbashkët për çështje arsimore-historike RMV-Bullgari. Se zyrtarisht nuk ka njoftim se Bullgaria do t’i thotë “jo” datës së BE-së për RMV-në, ka deklaruar edhe presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski dhe kryeministri Zoran Zaev.

Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve: “Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”.

Për lexuesin: Për datën e BE-së nuk vendos çdonjëri ministër i shteteve anëtare

Duke u nxitur nga artikulli që e recensuam, përfundojmë se është e rëndësishme të dihet se për datën e Bashkimit Evropian nuk vendos çdonjëri ministër i shtetit anëtar të BE-së, por ministrat e Punëve të Jashtme, kryeministrat dhe presidentët në Këshillin e Bashkimit Evropian. Nga këtu përfundojmë se, transmetimi i deklaratave të çdonjëri ministër, që është kundër asaj që RMV-ja të marrë datën për nisjen e negociatave me BE-së, nuk do të thotë se është vendim i shtetit.