Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk kishte miratuar vendim që në Gostivar kafenetë të punojnë në formën “Merr dhe shko”. E njëjta nuk do të ndodhte as më 1 maj. Ky përdundim vjen nga shqyrtimi i njoftimeve të autoriteteve qendrore dhe lokale.
Linku deri te artikulli origjinal: “Në Gostivar që nesër kafeteritë fillojnë punë me modelin ‘Merr dhe shko’”.
Data e publikimit: 30.04.2020
Data e recensionit: 30.04.2020
Recension: Fatbardha Curri
Titull që dezinformon
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari kishte njoftuar në faqen zyrtare të tij në “Facebook” (Fejsbuk) se Shtabi i krizës e ka pranuar propozimin e tij që kafenetë në Gostivar të fillojnë të punojnë në formën “Merr dhe shko”. Duke u bazuar në këtë njoftim, mediat publikuan informacionin “se nga 1 Maji kafiteritë në Gostivar do të fillojnë të punojnë në formën “Merr dhe shko””.
“Nga dita e nesërme kafenetë në qytetin e Gostivarit do të mund t’i shërbejnë klientët e tyre përmes mënyrës “Merr & shko”, këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit në një deklaratë dhënë për mediat. Kafenetë do të punojnë deri në fillimin e orës policore”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Ky informacion ishte dezinformatë, për faktin se propozimi kishte kaluar në Shtabin e krizës, e jo edhe në Qeveri.
Se vendimi i Shtabit të krizës nuk është zyrtarizuar ka njoftuar edhe Taravari, por mësohet edhe nga vendimet qeveritare që u miratuan më 30 prill, në të cilat nuk përfshihet hapja e kafeneve në Gostivar.
“Të nderuar gostivaras,
Edhepse sot mora lajmin në grupin e krizës se kafeteritë mund të punojnë në modelin blej dhe shko, tash po shoh që ende ky vendim nuk është zyrtarizuar. Prandaj ju lutem që edhe këtë fundjavë mos fillojmë më këtë mënyrë pune, derisa edhe oficialisht të marim edhe me shkrim këtë vendim prej shtabit qëndror të emergjencës.
Me të vetmin qëllim që askush mos ketë ndonji lloj pasoje, iu lutem të gjithë kafenetë në Gostivar, nesër mos fillojnë me punë, por të presim vendimin final në formë të shkruar deri ditën e hënë”, thuhet në njoftimin e Taravarit.
Shkelje e parimeve gazetareske dhe manipulim i publikut
Me publikimin e këtij informacionit, media ka bërë shkelje të parimit bazë të gazetarisë, që thotë se “informacionet e publikuara duhet të bazohen në burime të sakta dhe të verifikuara”.
Meqë informacioni ndërlidhet dhe me gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë së virusit Kovid-19, vlerësojmë se media ka manipuluar publikun duke përdorur konceptin “Thirrje në autoritet”. Kjo ndodh në rastet kur media i plason informacionet në publik si të sakta, vetëm pse ai është deklaruar nga një person zyrtar.
Përfundojmë, se kafenetë në Gostivar NUK do të fillojnë të punojnë më 1 maj as në formën “Merr dhe shko”.
Gjithashtu sqarojmë, që propozimi i Taravarit të hyjë në fuqi, i njëjti duhet të miratohet në Qeveri, me propozim paraprak të Komisionit për sëmundje ngjitëse. Autoritetet qendrore, gjithashtu disa herë kanë njoftuar se nuk sjellin vendimet që do të vlejnë për komuna të caktuara, por për tërë shtetin.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.