Në momentin që në horizont paraqiten zgjedhjet, menjëherë aktivizohen makineritë e propagandave politike. Shpesh ndodh që në periudha para zgjedhjeve, të shfaqen tekste me përmbajtje hipotetike që kanë për qëllim që “t’i masin pulsin” votuesve se çfarë mendojnë rreth disa çështjeve të caktuara. I tillë është teksti që e recenzojmë.
Linku deri te artikulli: A mund të bëhen bashkë BESA me Alternativën
Data e publikimit: 24.10.2019
Data e recensionit: 26.10.2019
Recensuese: Ajnur Bafqari
“Besa me Alternativën mund të bëhen bashkë po aq sa mund të bëhen bashkë PDSH me ASH-në. Këto do mbeten si dy brigjet e një lumi që janë të ndarë përgjithmonë. Këto koalicione krejt e dijnë se janë të pamundura dhe janë të destinuara të dështojnë ose për të qenë një alibi se ja ne bëmë thirrje për t’u bashkuar” thuhet në tekst.
Kur gazetari bëhet “ONE MEN SHOW”
Autori i tekstit vetë pyet, vetë analizon, vetë elaboron, komenton, thurr vargje, e përfundon tekstin dhe nuk ofron asnjë pikë informacioni. Teksti është i shkruar si një hartim i një nxënësi të shkollës fillore dhe komentet e shkruara krijojnë vetëm konfuzion te lexuesi. Autori në titullin e tekstit paraqitet në rolin e intervistuesit, ndërsa në përmbajtje në rolin e analistit të intervistuar.
Titulli krijon pikëpyetje, teksti i shton ato!
Në tekstin në fjalë autori ka lënë shumë për të dëshiruar, ai ka shkruar një opinion personal, të mbushur me komente, pa asnjë pikë referenceje dhe më pas e ka vendosur atë në rubrikën e informacioneve. Titullin e ka vendosur në formë pyetëse, gjoja se përmbajtja e tekstit do të jep përgjigjen, por në fund lexuesi del akoma më konfuz se sa që ishte në fillim.
Analizë e pabazë
Autori ka bërë një lloj analize dhe madje ka marrë guximin edhe të shpall parti humbëse dhe fituese, të parashikojë shkatërrim dhe largim të subjekteve të caktuara nga skena politike, të kritikojë për kryeneqësi dhe madje të nxjerrë konkludime për dështim të opozitës në zgjedhjet paraprake. Autori në asnjë moment nuk e ka parë të arsyeshme që ato që i ka shkruar, t’i bazojë në ndonjë argument apo deklaratë.
Edhe nëse shkruhet koment, qëndrimet bazohen në argumente
Në praktikën gazetareske, në mungesë të fakteve të mjaftueshme për ndonjë lajm ose raportim, autorët shpesh e përdorin komentin. Bile edhe atëherë kur do të përcaktohet për këtë formë gazetareske, gazetari duhet të mbajë një distancë të caktuar emotive nga ngjarjet dhe qëndrimet e tij t’i bazojë në argumente. Por, në praktikë gjendja e këtillë rezulton me artikuj që i vendosin elementet e komentimit në zhanret informative ose edhe më keq, i fusin ato si pjesë integrale të fakteve. Dallimi në zhanret gazetareske është në mënyrën se si paraqiten informatat, prandaj informata që është përcjellë paraqet lajm. Komentimi duhet të jetë i ndarë në mënyrë të qartë nga raportimi dhe nuk duhet ta ngarkojë lajmin me diskursin subjektiv të gazetarit ose medias.
Lexuesi nuk mund të “përbijë” secilin tekst
Lexuesit nuk duhet të jenë konsumatorë të këtij teksti aspak informativ. lexuesi nuk duhet të “përbin”një tekst, vetëm sepse po i servohet në formën e informacionit. Lexuesi duhet të ketë kujdes gjatë leximit të një teksti të tillë, të mundohet të gjejë se kush është cituar në tekst dhe fjalët e kujt po i interpretohen.