Nxitjet në baza fetare nuk kanë vend në lajme

Në momentin që shkruhet ky recension, nuk ka akoma vendim për orë të zgjatur policore gjatë fundjavës ose gjatë ditëve kur festohet Fitër Bajrami. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, konfirmoi se Komisioni për sëmundje ngjitëse i ka propozuar Qeverisë që ora policore ose zyrtarisht e njohur si masa për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të fillojë të shtunën në ora 19.00 dhe të zgjasë deri të martën në ora 05.00.

Linku deri te artikulli origjinal: Qeveria ua uron festen e fitër Bajramit me orë policore nga e shtuna deri të martën!

Data e publikimit: 20.05.2020

Data e recensionit: 20.05.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Sipas procedurës zyrtare, propozimi i Komisionit vendoset në rend dite në seancë qeveritare dhe Qeveria i jep dritë jeshile ose e hedh poshtë. Kjo d.m.th. se lajmi i publikuar nga media që raporton për një vendim përfundimtar, është i pavërtetë.

Kodi etik i gazetarëve rekomandon konfirmim e informacionit përpara publikimit.

“Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Qeveria i përgënjeshtroi informacionet se ka sjellë vendim.

“I PËRGËNJESHTROJMË TË GJITHA INFORMACIONET SE QEVERIA SOT KA MBAJTUR SEANCË. SOT NUK KISHTE SEANCË QEVERITARE DHE NUK ËSHTË MIRATUAR ASNJË VENDIM. TË GJITHË VENDIMET PËR MASAT PËR MENAXHIM ME COVID-19 MIRATOHEN VETËM ME VENDIME QEVERITARE.”  – THUHET NË NJOFTIMIN E QEVERISË NË “FACEBOOK”.

Është fakt se, deri tani, Qeveria ka miratuar në tërësi pothuajse të gjitha propozimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse sa u takon masave parandaluese të virusit. Por, deri sa nuk miratohet në seancë qeveritare, ai mbetet vetëm propozim dhe jo vendim.

Lajm nxitës

Gjuha e përdorur në titull dhe në tekst nuk është e përshtatshme. Qeveria nuk ka deklaruar se ky (propozimi i Komisionit që në tekst raportohet të jetë vendim) është një urim për Fitër Bajram.

“Fundjavën e zgjatur qytetarët janë të obliguar që ta kalojnë në shtëpi.

Në ditët që muslimanët festojnë  fitër Bajramin, Qeveria u dërgoi urim me orë të zgjatur policore.” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Këtë konstatim subjektiv e bën vetë autori i tekstit. Qasja është subjektive dhe nxitëse. Autori nuk e interpreton këtë propozim, fillimisht, si pjesë e masave parandaluese por si veprim me prapavijë tërësisht fetare. Ai bën nxitje fetare tek anëtarët e një komuniteti.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Teknikat e manipulimit

Duke prekur në një pjesë kaq emocionale (thirrje në emocione) të një komuniteti fetar, autori nëpërmjet të pavërtetave dhe dëshmive selektive tenton të ndikojë tek lexuesit. Teknikat e theksuara sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Në një tekst objektiv dhe të paanshëm, autori duhet të tregojë se bëhet fjalë për një propozim, të pa miratuar akoma. E dyta, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes për shumicën e lexuesve të tij, ai duhet me përgjegjësi të zgjedhë gjuhën dhe fjalorin me të cilin i informon ata.