Përdorimi i fotografive

Fotografia si ilustrim i tekstit nuk guxon të manipulojë, ta tërheqë vëmendjen pa nevojë, ose të shkaktojë habi te lexuesi, në qoftë se për këtë nuk ka rrethana të jashtëzakonshme, të cilat do ta arsyetonin praktikën e tillë. Përdorimi i fotografive nga arkivi gjithmonë duhet të shënohet në mënyrë të qartë.

Shkruan: Sаshe Dimovski

Një lexuese e Shërbimit për verifikimin e fakteve në medie, ka reaguar në disa medie dhe ka kërkuar ta largojnë fotografinë në të cilën shihet vetura e sah, e cila ka qenë e stërpikur me sprej gjatë qëndrimit të saj të paradokohshëm në Greqi. Siç nga shkruan lexuesja, ajo fotografi tani përdoret për çdo incident me ndonjë veturë të dëmtuar në Greqi, dhe kjo e shqetëson dhe ajo nuk dëshiron ta përkujtojë këtë ngjarje. Mirëpo, ajo kërkon këshillë prej nesh, se si të tërhiqet kjo fotografi, për shkak se edhe përkundër reagime të saj asnjë medie nuk e ka tërhequr atë dhe kanë vazhduar ta përdorin atë.

Nëpërmjet disa shembujve do të përpiqemi t’i japim përgjigje kërkesës së lexueses dhe dilemave që i parashtron ajo, dhe në të njëjtën kohë do t’i përkujtojmë mediet për rregullat, normat dhe parimet etike që duhet t’i respektojnë gjatë përdorimit të fotografive të arkivit.

Në rastin konkret, temë e analizës është fotografia në të cilën shihen grafitet e shkruara me sprej, që është fotografuar në rrugë, në sipërfaqe publike dhe pa i potencuar targat e veturës, nëpërmjet të të cilave eventualisht do të mund të kuptohej edhe identiteti i pronarit të veturës.

A mund ta shfrytëzojnë mediet këtë fotografi si fotografi nga arkivi, si ilustrim kur informojnë për incidente të tjera, apo ajo duhet/është dashur të përdoret vetëm për lajmin dhe kohën kur është regjistruar incidenti? Kjo, gjithsesi, është pyetja më e rëndësishme, jo vetëm për këtë, por edhe për përdorimin e cilësdo fotografi na arkivi, që shërben për ilustrimin e ngjarjes.

HAPËSIRA PUBLIKE – FOTOGRAFI PUBLIKE

Gjithsesi se mundet, për shkak se është e qartë se nuk mundet gjithmonë dhe prej çdo vendi të sigurohet fotografi, prandaj edhe ekzistojnë të ashtuquajtura fotografi nga arkivi, që do ta ilustrojnë ngjarjen, me atë që duhet pasur kujdes që ato të jenë adekuate me temën ose kontekstin për të cilin shkruhet dhe të mos përmbajnë elemente që mund ta prishin privatësinë ose të kenë pasoja mbi personat që mund të shihen ose të njihen në fotografitë e caktuara.

Fotografia e përmendur me veturën e dëmtuar, në të cilën nuk ka rrezik për shkeljen e privatësisë, mundet edhe më tutje të përdoret si fotografi nga arkivi, nëse informohet për incidente të ngjashme, me atë që, mediet duhet të potencojnë se bëhet fjalë për fotografi arkivi, ose ta zgjidhin dilemën se a është fotografia “e re” apo “e vjetër” me legjendë nën fotografi, ku do të japin sqarim përshkrues për vendin ose kohën kur është bërë fotografia.

Për shembull: “Dhjetëra qytetarë u kthyen me vetura të dëmtuara nga pushimi i vitit të kaluar”.

Me sqarimin e këtillë do të eliminohet mundësia që eventualisht edhe ai që do ta njihte veturën, të paraqitet dhe të pyesë pronarët për incidentin edhe pas disa vitesh.

Megjithatë, asaj që mediet duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë është përdorimi i fotografive nga arkivi nga fatkeqësitë dhe njerëzit e vdekur, të cilat mund ta shqetësojnë publikun, dhe në të njëjtën kohë ta prishin privatësinë e këtyre njerëzve dhe të familjeve të tyre.

Në qoftë se bëhet fjalë për ngjarje karakteristike, vrasje, fatkeqësi komunikacioni, zjarre ose të ngjashme, të cilat kanë qenë karakteristike dhe kanë ndodhur në vende që dallohen lehtë, ato fotografi nuk mund të përdoren si ilustrime për lajme që kanë ndodhur në ndonjë zonë tjetër.

Për shembull, fotografitë e fundit nga vrasjet që ndodhën në Vevçan dhe në Ohër, para ose në brendi të objekteve hotelierike, nuk mund të jenë ilustrim për lajm eventual nga ndonjë ngjarje që ka ndodhur në ndonjë pjesë tjetër të vendit, në qoftë se kjo nuk është e shoqëruar me legjendë përkatëse nën fotografi, që do ta arsyetonte ripublikimin e saj.

FOTOGRAFIA DUHET TË INFORMOJË, E JO TË SHOKOJË

Është fakt se fotografia është gjëja e parë që e tërheq vëmendjen e lexuesit dhe prandaj duhet të sqarohet se a është fotografi autentike, a është fotografi nga arkivi dhe ka të bëjë me ndonjë ngjarje, vend dhe kohë tjetër, apo bëhet fjalë për fotomontazh.

Lexuesit nuk arrijnë gjithmonë ta vërejnë dallimin ndërmjet fotografive dhe për këtë arsye, çdo manipulim nga mediet nëpërmjet fotografisë është i palejueshëm.

Меdiet duhet të kenë kujdes të veçantë edhe gjatë përdorimit të fotografive që u shërbejnë si ilustrim për vrasjet dhe fatkeqësitë e komunikacionit: si për shembull fotografitë me thikë të përgjakur, xhama të thyer me gjak ose vetëm gjak. Këto fotografi, pa marrë parasysh se nuk e prishin privatësinë e dikujt, nuk e zbulojnë identitetin e njerëzve, shkaktojnë shqetësim te publiku i gjerë, duke e përfshirë, para së gjithash, publikun e mitur, i cili, pavarësisht se a bëhet fjalë për gazeta apo edicione në internet, lehtë mund të arrijnë deri te ato. Televizionet e kanë për detyrë që të paralajmërojnë për përmbajtje që mund ta shqetësojnë publikun, që nuk është rasti te gazetat apo portalet në internet dhe për këtë arsye zgjedhja e fotografisë adekuate është një shkathtësi e veçantë.

Duke u nisur nga kërkesa e lexueses, për të cilën flasim në fillim të leksionit, të potencojmë edhe një herë se gjithçka që është fotografuar në hapësirë publike, në sipërfaqe publike, në ngjarje, manifestime ose tubime mund të përdoret dhe të sipublikohet, mirëpo duhet pasur kujdes që kjo të përputhet me kontekstin për të cilin informohet. Çdo keqpërdorim i këtyre parimeve do të ishte në kundërshtim me Kodin e gazetarëve dhe me standardet morale dhe etike të gazetarisë. Disa fotografi do të prekin një kategori të njerëzve dhe këtu mediet nuk kanë mundësi të ndryshojnë diçka, mirëpo, ajo që është me rëndësishme, fotografitë nuk duhet të përdoren që qëllimisht të preken grupe ose individë të caktuar.

Në shumë raste, edhe fotografitë përdoren si gjuhë e urrejtjes, që gjithsesi është e palejueshme dhe paraqet shkelje të rëndë të standardeve të gazetarisë.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.