Përmbajtjet eksplicite dhe shqetësuese në media dhe efektet te të miturit

Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht, Anglisht

Gjithmonë është folur për ndikimin e mediave në kategori të ndryshme sociale, edhe përkundër faktit se një pjesë e teoricientëve bashkëkohorë nuk e konsiderojnë të arsyeshme për t’u marrë me efektin e mediave. Arsyeja kryesore është se “efektet” apo ndikimet nuk vijnë nga mediat në mënyrë ekskluzive, por janë pasojë edhe e disa “agjencive” të socializimit, siç mund të jetë familja, vëllezërit dhe motrat më të rritur, shkolla, shoqëria dhe mediat. Sidoqoftë, efektet e medias janë evidente në shoqëri. Ato bazohen në të mësuarit aktiv, si bazë e socializimit dhe përqendrimit të vëmendjes mbi rëndësinë e leximit të medias apo shkrim-këndimit mediatik (media literacy). Ajo që mund të ndikojë pozitivisht në të bërit dallim midis përmbatjeve të ndryshme mediatike është edukimi mediatik. Kështu, gjeneratat e reja do të kenë mundësi për të krijuar një pasqyrë më të qartë rreth asaj që u shfaqet në media. Kultura mediatike sot është tërësi e aftësive të nevojshme për të dalluar realitetin nga fantazia dhe manipulimet në përmbajtjen e medias.

Elementet më të shpeshta që konsiderohen si më të dëmshme, sidomos për kategorinë e fëmijëve dhe adoleshentëve, janë skenat e përdorimit të dhunës, përmbajtjet që stimulojnë rritjen e frikës apo siç njihen ndryshe, me termin horror; përmbajtjet seksuale, momente të konsumimit të drogës, alkoolit, duhanit dhe mjeteve tjera të dëmshme për shëndetin, e kështu me radhë. Me ardhjen e internetit, konsumimi i këtyre përmbajtjeve është shtuar. Kjo s’do të thotë se ato nuk kanë qenë apo nuk janë prezente edhe tek gazetat dhe revistat, materialet audio, televizioni, kinemaja, e tjerë. Një fenomen që është përhapur së tepërmi në mbarë portalet e botës, e pa munguar edhe në ato të Maqedonisë, është pikërisht përdorimi i këtyre përmbajtjeve për të rritur numrin e klikimeve. Publikimi i pamatur dhe i paarsyeshëm, i fotografive të Kim Kardashian për shembull, flet për një orientim të çorroditur të shumë portaleve për të ngacmuar emocionet dhe epshet e njeriut. Në realitet, ne të gjithë e dimë se nuk ka asnjë pikë rëndësie se ku kanë darkuar sot motrat Kardashian apo me kë e kaloi natën Amber Rose. Nuk mungojnë as prototipat e tillë edhe në botën mediatike shqiptare, si Shkëndije Muja, Kallashi apo ndonjë personazh tjetër i famshëm për publikun tonë. Nëse e keni vërejtur, këta personazhë shpeshherë nuk kanë asnjë lloj talenti, dhe po t’u mungonin linjat e lakuara trupore (gjithmonë edhe kjo është çështje perceptimi), ata nuk do të arrinin kurrë këtë famë që kanë sot. Por, përse gjithë ky interesim për të përdorur këto fenomene sociale?! E thjeshtë fare: grumbullimi i klikimeve në mungesë të aftësisë së mediave për të ofruar diçka më të rëndësishme për publikun.

Kur flasim për audiencat nën moshën 18 vjeçare, kujdes. Fotografitë apo videot me nuanca erotike që publikohen në sajte informative janë më të rrezikshme se vetë sajtet pornografike. Sepse, fundja, ekzistojnë programe dhe opsione që mundësojnë bllokimin e faqeve për të rritur. Por, si të bëhet me përmbajtjet e ngjashme që publikohen në portale informative? Mbi të gjitha, kjo është një shkelje e vetë standardeve brenda përmbrenda atij mediumi, për shkak se në fillim paraqitet si “informativ”, e më pas publikon lajme, të cilat është shumë e vështirë t’i fusësh edhe në kategorinë rozë!

Një studim amerikan tregoi se 90 përqind e programeve televizive posedojnë përmbajtje seksuale, ndërsa 60-75 përqind e videoklipeve muzikore kanë përmbajte të tillë. Kjo jo gjithmonë nënkupton shfaqjen e skenave seksuale. Këtu mund të përfshihen edhe diskutimet me nuancë seksuale apo eufemizmat vizuale si dhe bihejviorizmi seksual. (Burimi: Elizabeth M. Perse, Effects of Sexually Explicit Media Content, 2008).

 

Mediat dhe bihejviorizmi seksual

Materialet mediatike me përmbajtje seksuale mund të ndikojnë në socializimin e fëmijëve. Prindërit, edukatorët dhe ekspertët tentojnë të kanalizojnë këtë problem, që më pas, aq sa është e mundur, të bëjnë përpjekje për të evituar qasjen e fëmijëve ndaj këtyre përmbajtjeve. Vlen të theksohet se përmbajtjet e tilla nuk u mundësojnë të miturve edukimin seksual. Përkundrazi, ndikojnë fuqishëm në prishjen e edukimin e tyre në këtë fushë sociale. Nëpërmjet shfaqjeve të tilla, publiku më i ri mendon se kjo është ajo që i nevojitet një njeriu, apo, se këto janë modelet e femrave që duhen admiruar. Domethënë, në imagjinatën e meshkujve, krijohet një perceptim krejtësisht i gabuar mbi gjininë e kundërt. Ndërkohë, realieti ndryshon shumë nga virtualiteti, mirëpo imponimi i vazhdueshëm i këtyre përmbajtjeve ndikon negativisht në krijimin e një opinioni të shëndoshë mbi realitetin. Këtu përfshihet ngatërresa e ndjenjave, mospërmbushja e pritshmërive, dëshira për të qëndruar i lidhur me virtualen dhe distancimi nga realja, humbja e vetëbesimit, deprimimi social e tjera.

Shpesh herë këto përmbajtje përkufizohen si erotike apo pornografike, edhe pse këto dy terma kanë dallim. “Erotica” si term vjen nga greqishtja e lashtë që do të thotë eros (dashuri) duke iu referuar përmbajteve eksplicite seksuale. Sakaq, termi “pornografi” gjithashtu buron nga greqishtja, dhe përdorej nga shkrimtarët kur shkruanin për prostitutat. Ky term ngërthen dhunën dhe aksionet që degradojnë dhe nënçmojnë gruan.

Pikëpamje morale  

Përmbajtjet seksuale të “paqetura” kësisoj shkaktojnë pengesa apo pakënaqësi sociale, duke krijuar një mënyrë të kuptuari të gabuar apo jo të shëndoshë mbi seksin. Ekzagjërimi i këtyre përmbajtjeve mund të korruptojë vlerat morale të njërëzve. Përmbajtjet mediatike seksuale, gjithashtu, mund t’i nxisin njerëzit për të ngatërruar rolet e tyre sociale. Për këtë arsye rregullat morale, fetare, por dhe ato të përpiluara nga ana e shteteve, ftojnë në kontroll dhe menaxhim të këtyre përmbajtjeve. Sa më shumë të rritet vetëdija mbi kulturën e përgjithshme mediatike tek gjeneratat e reja, aq më shumë do të zvogëlohet sasia e këtyre përmbajtjeve në media. Vetë kërkesat e audiencave do të bëhen më cilësore dhe kështu do t’i detyrojnë mediat që të mendojnë pak më shumë, sidomos në momentet kur publikojnë lajme me tituj të tipit “Modelja ruse nuk lë vend për imagjinatë”.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).