Publikisht, Zaevi s’i ka kërkuar falje Memedit

24shqip: "Zoran Zaev i kërkon falje publike Vesel Memedit"

S’ka asnjë deklaratë në media dhe rrjete sociale, ku thuhet se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka kërkuar falje ish deputetit Vesel Memedit. Prandaj, lajmi që e rencensojmë konsiderohet si i pavërtetë.

24shqip: “Zoran Zaev i kërkon falje publike Vesel Memedit”

Linku deri te artikulli: “Zoran Zaev i kërkon falje publike Vesel Memedit

Data e publikimit: 02.11.2019

Data e recensionit: 10.11.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull dezinformues me fotografi manipuluese

Dështimi i përpjekjes së parë për të zgjedhur krye-revizorin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, u shfrytëzua nga mediat për të zhvilluar fushatë politike. I tillë është rasti i artikullit që mban titullin “Zoran Zaev i kërkon falje publike Vesel Memedit”. Kjo informatë vjen ngaqë Memedi paraprakisht ka qenë deputet dhe nënkryetar i Kuvendit, dhe anëtar i komisionit kuvendor ku u zhvillua debati për drejtorin e Entit Shtetëror të Revizionit.

“Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut,z.Zoran Zaev sot i kërkoi falje publike Kryetarit të Rilindjes Demokratike Kombëtare,z.Vesel Memedi. Ky veprim i Kryeministrit Zaev erdhi si shkak i dështimeve të një pas njëshme të punës së komisionit për emërime në Kuvendin e Maqedonise së Veriut anëtar i së ciles ishte edhe Vesel Memedi”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Për t’ia shtuar dozën e manipulimit, autori si kryesore e ka vendosur një fotografi ku shihet Memedi dhe Zaevi. Fotografia tenton të krijojë përshtypjen se kërkim falja ka ndodhur në ngjarjen ku është shkrepur fotografia.

Meqë lajmi përcjell fotografi dhe shkrim të një personi, i cili nuk ka mbishkrim ku sqarohet deklarata, sërish pas një kërkimi në rrjete sociale dhe media, del se edhe deklarata është e pavërtetë. Në artikull madje përcillet edhe deklarata e Zaevit, e cila nuk u faktua në asnjë rrejt social dhe media serioze.

“Ja dhe prononcimi i plotë i Kryeministrit Zaev:
Pas dështimit të emërimit të Drejtorit të Revizionit Shtetërorë gjatë ditës së djeshme,u kuptua roli konstruktiv i Vesel Memedit në atë komision,me largimin e tij ky komision është kthyer në mjet shantazhi nga ana e deputetëve prandaj e ndjej për obligim të kerkoj falje publike për atë që para disa muajve ndodhi me z.Memedi”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Madje, lajmet e fundit që lidhen me Zaevin dhe Memedin, është përplasja e tyre nga shkarkimi i ministrit të partisë së Memedit nga posti i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, si pasojë e së cilës vijoi dorëheqja e Memedit nga posti i deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit.

Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Për lexuesit: Në proces zgjedhor do të ketë shumë të pavërteta, kujdes!

Në rastin e Memedit, dhe lajmeve që i kemi recensuar paraprakisht, vlerësojmë se procesi zgjedhor është fazë ideale që mediat dhe personat që qëndrojnë prapa tyre, në vend të gazetarisë profesionale, të ushtrojnë propagandë. Në këtë rast, propaganda ka qenë në favor të Memedit. Andaj, ju si lexues, gjatë kësaj periudhe është mirë të merrni me rezervë shkrimet që shpërndahen vetëm nga një media ndërsa deklaratën origjinale nuk e gjeni askund. Nëse doni të verifikoni se a është e vertetë, kontrolloni edhe në media të tjera.