Publiku i RTM-së janë qytetarët, e jo vetëm konsumatorët mediatikë

Nga asepkti i qytetarëve, i gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, RTM-ja është shumë më tepër se sa vetëm edeh një televizion tjetër.

Shkruan: Zoran Bojarovski

Në vendet evropiane, dispozitat bashkëkohore ligjore për mediet parashohin se duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë nevojave dhe pritjeve të anëtarëve të shoqërisë kur janë në pyetje mediet. Ajo që është me rëndësi të veçantë kur shqyrtohet kjo çështje, është se parimet mbi të cilat janë ndërtuar konceptet për mediet, duke e pasur parasysh rëndësinë e ndërmarrjeve publike radiodifuzive, para së gjithash, siç është RTM-ja, u jepet rëndësia e duhur si interesave të qytetarëve, ashtu edhe interesave të konsumatorëve.

Në medie me termin “konsumator” kryesisht emërtohen ata që kërkojnë zbavitje. Nga ana tjetër, termi “qytetar”, në aspekt të medieve, ka të bëjë kryesisht me atë publik që është i interesuar për jetën publike dhe që përpiqet të marrë pjesë në mënyrë aktive në të. Qytetarët presin nga mediet që të jenë burime relevante në bazë të të cilave ata do t’i formojnë qëndrimet, veprimet dhe aksionet e tyre.

KUALITETI – ROLI KRYESOR

Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjive digjitale, mobile dhe të komunikimit u mundësojnë medieve rrethana të tilla për produksion që në mënyrë të shpejtë dhe të lirë të krijojnë një spektër të gjerë të programeve zbavitëse, të cilat duhet t’i  plotësojnë nevojat e konsumatorëve mediatikë.

Për dallim nga ky koncept, i orientuar kah konsumatorët, nevoja primare e qytetarëve është informacioni kualitativ dhe i llojllojshëm, që duhet t’u shërbejë qytetarëve, t’i plotësojë nevojat e tyre kulturore dhe interesat e tyre si qytetarë aktivë në komunitetin shoqëror. Si qëllim i fundit, ky koncept duhet t’u mundësojë qytetarëve pjesëmarrje në proceset shoqërore në nivel të debatit ose të aksionit.

Kuptohet, ky tekst, për shkak të nevojës për arsyeshmëri dhe elaborim, nuk fsheh se në jetën e përditshme, në realitet, shikuesit televizivë, në përputhje me shprehitë e tyre, janë njëkohësisht edhe qytetarë edhe konsumatorë. Nuk ka ndarje definitive në qytetarë dhe konsumatorë. Mu për këtë, në një mjedis të tillë, dhe para një publiku të tillë, ndërmarrjet publike radiodifuzive kanë një rol të veçantë dhe delikat të balancojnë ndërmjet nevojës së qytetarit dhe të konsumatorit në një shikues televiziv.

Mirëpo, kjo assesi nuk do të thotë se televizioni publik duhet të futet në një konkurrencë dhe garë të pakuptimtë me televizionet komerciale, që janë të orientuara kah programet zbavitëse.

Kualiteti edhe i zbavitjes edhe i informatave, duhet të luajë rol kryesor kur bëhet fjalë për përmbajtjet programore të televizioneve publike. Prandaj, detyra e RTM-së nuk është e thjeshtë, mirëpo nuk është as e pamundur. Përkundrazi.

Si e para, do të duhet kohë, aq sa do të ketë nevojë, që shërbimi publik radiodifuziv të dekontaminohet nga viruset partiake që janë futur në të gjitha segmentet e tij, si dhe të sigurohet financim stabil dhe i pavarur.

SHUMË MË TEPËR SE SA NJË TELEVIZION PLUS

Mirëpo, të kthehemi përsëri te aspektet e publiktut dhe të shërbimit publik radiodifuziv. Nga aspekti i qytetarëve, për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, RTM-ja është shumë më tepër se sa një televizion plus. Prandaj, nëse bëjmë edhe një krahasim ndërmjet konceptit të shërbimit publik televiziv dhe atij të televizioneve komerciale, duhet të theksojmë se përmbajtjet programore të shërbimeve publike nuk varen nga numri i publikut. E as nga kategoritë e veçanta të shikuesve, që, para së gjithash, kanë shprehi konsumatore, si dhe nga reklamuesit që e targetojnë atë publik. Në qoftë se zgjedh një strategji të tillë, shërbimi publik i humb nga perspektiva qytetarët dhe komunitetet e tyre, si dhe prioritetet dhe interesat e tyre.

Poashtu, duhet të merret parasysh edhe fakti se tregu i lirë mediatik, si dhe qëllimi i medieve që ta maksimalizojnë profitin e tyre, në masë të caktuar mund të jetë pengesë në qarkullimin e informatave me karakter publik ose për produksionin e përmbajtjeve me interes publik. Duhet të jemi realë dhe ta kemi parasysh se intereset dhe nevojat e qytetarëve dhe të komuniteteve të tyre nuk janë gjithmonë në një vijë me parimet e tregut të lirë. Përkundrazi, për televizionet komerciale kjo paraqet madje edhe pengesë serioze. Prandaj, një problem të tillë nuk e kanë televizionet dhe radio shërbimet publike.

Qëllimi i shërbimeve publike nuk mund të varet dhe të fokusohet vetëm në një kategori të ngushtë të qytetarëve ose në një kategori shoqërore për shkak se kjo ose do t’i partizojë, ose do t’i vendosë në kornizën e njëjtë, sikurse edhe televizonet komerciale nëse grupi i tyre i synuar janë shikuesit që i diktojnë reklamuesit. Prandaj, shërbimet publike radiodifuzive duhet ta gjejnë emëruesin e përbashkët të programit që do t’i plotësojë nevojat qytetare dhe konsumatore të segmenteve të ndryshme të publikut. Për shkak se, në qoftë se programet synojnë vetëm grupe të caktuara shoqërore (simpatizuesit ose anëtarësinë partiake), do të ballafaqohen me margjinalizim në shoqëri dhe me zhvendosje të vendit të cilin duhet ta ketë shërbimi publik te publiku.

Mediet publike radio-televizive në mënyrë simultane u shërbejnë interesave dhe nevojave të bashkësive shumicë dhe atyre pakicë, si dhe individëve, gjegjësisht qytetarëve të këtyre bashkësive, dhe vetëm si shërbime të tilla e përmbushin rolin e ndërmjetësuesve për vlerat me interes publik.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik