Publikun e “vret” ky artikull, e jo mjekimi nga Kovid-19, media ka baza për ndjekje penale

Situata me virusin Kovid-19 ishte moment ideal që ky portal të publikojë informacion se si disa familjarë të një të ndjeri nga virusi, hedh dyshime në mjekimin. Në artikull hedhen dyshime se personi ka vdekur si shkak i mjekimit jo-adekuat. Edhe pse jepen akuza aq të mëdha, të njëjtat nuk argumentohen me fakte, prandaj vendosëm ta recensojmë artikullin më poshtë.

Shqip media: Vdes 40 vjeçari nga Tetova nga Covid-19, familjarët dyshojnë te mjekimi!Linku original i artikullit: “Vdes 40 vjeçari nga Tetova nga Covid-19, familjarët dyshojnë te mjekimi!” 

Data e publikimit: 27.05.2020

Data e recensimit: 13.06.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull që zbulon skandal, por nuk e argumenton!

Informimi për rastet e vdekjeve të Kovid-19 paraqesin temë me interes publik, pasi bota gjendet në pandemi e cila ende nuk është shpallur e përfunduar. Kësisoj, edhe portali “Shqip media” duke keqpërdorur këtë interes publik, përcolli informacionin se si disa familjarë të një të ndjeri nga Tetova (qytet në Maqedoni të Veriut), hedhin dyshime në mjekimin që u bëhet pacientëve të infektuar nga virusi Kovid-19. Dyshimet krahas në titull, qëndrojnë edhe në artikull.

“Vdes 40 vjeçari nga Tetova nga Covid-19, familjarët dyshojnë te mjekimi!”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë. Por skandali që paraqitet që në titull dhe duke analizuar artikullin nga këndvështrimi i parimeve gazetareske, del se është informacion i paverifikuar dhe që ngjall panik në publik.

Artikull që dezinformon

Artikulli fillon duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë, por ajo nuk përbën burimin e vetëm të informacionit, madje mund të vlerësojmë se ai është përdorur për të manipuluar publikun pasi paraqitet si manipulim “Thirrje në autoritet”, por jo si burim i informacionit kryesor, që është “hedhja e dyshimit për mjekimin si pasojë e të cilit ka vdekur 40-vjeçari”. “Thirrja në autoritet” paraqet prirje për t’i atribuar vërtetësisë një deklarate nëse thuhet nga autoriteti. Në këtë rast, lajmi është përpjekur të paraqitet si i vërtetë apo si skandal i zbuluar vetëm pse citohet një informacion që jepet nga Ministria e Shëndetësisë,  e që është numri i rasteve të të infektuarve dhe viktimave nga Kovid-19.

Derisa citohet Ministria në paragrafin e parë, në paragrafet tjera, kur përfshihet edhe informacioni kryesor,  si burim i informacionit paraqiten vetëm familjarët e të ndjerit. Citimi i familjarëve bëhet në atë formë sa ata nuk përbëjnë argument vërtetësie e informacionit kryesor, pasi jepen akuza të shumta ndaj shumë çështjeve, ndërkaq fakte nuk ka.  Edhe pse akuzat shumë të rënda, nuk ka fakte për të njëjtat. Pasi media citon deklarata të familjarëve, por nuk publikon asnjë dokument me të cilin:

  • Do të vërtetonte se 99 për qind e pacientëve që hynë në respirator vdesin
  • Do të vërtetonte se Maqedonia e Veriut ka vdekjen më të lartë në rajon
  • Do të vërtetonte se në spitalin “8 Shtatori” pacientët vriten nga mjekët.

Në një situatë të tillë, kur epidemia me virusin Kovid-19 përbën temë me interes publik, media detyrimisht duhet të mundohet së paku të verifikojë informacionin. Themi mundohet, sepse kur analizojmë artikullin, media as nuk ka bërë përpjekje t’i verifikojë informacionet, pasi të vetmin burim të informacionit e ka familjarin e viktimës, i cili jep akuza pa ndonjë fakt. Në këtë situatë, si burim të informacionit patjetër duhej të ishin:
– Ministrinë e Shëndetësisë (edhe në pjesën e trajtimit, dhe jo vetëm të publikimit të numrave)
– Spitalin “8 Shtatori”
– Mjekun që ka mjekuar familjarin e tyre.

Të lartëpërmendurit si burime të informacionit do të duhej të përdoreshin për t’i argumentuar akuzat e familjarëve, e kjo nuk do të mund të bëhej me deklarata, por edhe me dokumente të cilat do të duhej të siguroheshin nga të njëjtat. Mospërfshirja e këtyre institucioneve në artikull, paraqet shkelje të Kodit Etik të Gazetarëve.
“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thuhet në parimin e parë të Kodit Etik të Gazetarëve.
“Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin”, thuhet në parimin e dytë të Kodit Etik të Gazetarëve.

Pavarësisht kësaj, se me çfarë mjekohen pacientët me Kovid-19 tashmë dihet publikisht sepse Komisioni për çështje etike në Agjencinë për barëra “MALMED” ka sjellë tashmë vendim.

“Bëhet fjalë për kombinim mes chlorohydroxyquinine antimalarial dhe azithromycin apo Sumamedit e cila është treguar efektive në shumë shtete, në shumë pacientë”, ka njoftuar në disa raste, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Për mjekim përdoret edhe plazma e gjakut nga pacientë tashmë të shëruar nga Kovid-19.

Duke e parë seriozitetin e situatës, media mund të ndiqet penalisht, sepse për të parandaluar këso situata, Qeveria ka pranuar të realizojë aktivitetet të parapara nga Bashkimi Evropian të cilat kanë për qëllim luftimin dezinformatave dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme që lidhen me pandeminë e Kovid-19. Me vendimin e Qeverisë, parashihet që lajmet e rreme të detektohen dhe demantohen drejtpërdrejt edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në rast se ata si burim të informacionit nuk e kanë Organizatën Botërore të Shëndetësisë apo autoritetet e vendit nëse informacionet kanë të bëjnë me vendin.

Për lajmet e rreme aktivitetet ndërmerr edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka hapur e-mail ku mund të denonconi edhe ju si lexues dezinformatat e që është cybercrime@moi.gov.mk.

Ndërkohë që gjithçka që mund të lidhet me virusin korona, ka edhe faqe të veçantë: koronavirus.gov.mk. Duke kërkuar në këtë ueb faqe, në kanalet e Ministrisë së Shëndetësisë si në Facebook KËTU dhe KËTU dhe në Twitter KËTU dhe KËTU, shumë më lehtë do ta keni ta verifikoni informacionin se sa t’i besoni një dezinformate.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.