Qytetarët meritojnë informata të sakta, e jo manipulime për testet e koronës

[Recension: FILIPÇE DO TË DUHET TË PËRGJIGJET PENALISHT PËR RREZIKIMIN E SHËNDETIT TË QYTETARËVE: Rritja është larg nga linearja koha do të tregojë se cila është arsyeja për manipulimin]

Tekst tepër komentues dhe i njëanshëm, qëllimi kryesor i të cilit është shumë i qartë, a ai është diskreditimi i ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe.

Personi që e ka shkruar tekstin shkon deri aty sa futet edhe në rolin e avokatit dhe të prokurorit, dhe në mënyrë tendencioze vlerëson se Filipçe do të duhet të përgjigjet penalisht për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.

Linku deri te artikulli origjinal: FILIPÇE DO TË DUHET TË PËRGJIGJET PENALISHT PËR RREZIKIMIN E SHËNDETIT TË QYTETARËVE: Rritja është larg nga linearja koha do të tregojë se cila është arsyeja për manipulimet

Data dhe koha e publikimit: 2.3.2020

Data e recensionit: 6.3.2020

Recenzues: Simona Atanasova

Teksti thotë se Filipçeja, qëndrimi i të cilit karakterizohet si jashtëzakonisht joprofesional dhe i ulët, “me vrazhdësi shkel mbi një markë serioze siç është Axhibadem Sistina.”

Nuk sqarohet se si ministri shkel mbi “Sistinën”, e as si është arritur deti te pretendimi se ministri i pengon qytetarët të bëjnë teste në “Sistina”. Përveç që është komentues, teksti është edhe plotësisht i njëanshëm. Po ashtu, nuk është kërkuar mendimi i palës tjetër, gjegjësisht ministri nuk është pyetur për të dhënë koment, e as nuk u kërkua një shpjegim i tillë nga ministria përkatëse.

Filipçeja, sikurse edhe Ministria e Shëndetësisë i informoi qytetarët se testet e koronavirusit në “Sistina” janë të ndryshme nga ato që bëhen në vendet e tjera sepse zbulojnë antigjene, e jo virusin.

Në “Sistina”, testet i zbulojnë antitrupat, e jo vetë virusin. Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të antitrupave dhe në varësi të pranisë ose mungesës së njërit ose antitrupit tjetër, përcaktohet faza e sëmundjes. Kjo do të thotë se çdo pacient që është testuar përmes testit për antitrupa duhet ta bëjë testin për praninë e virusit, sepse vetëm kjo mund të tregojë nëse ata janë bartës të virusit në një fazë të caktuar dhe a mund ta përhapin sëmundjen ose jo, shpjegoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në një intervistë për “360 SHKALLË”.

Testet imunologjike, siç janë ato që bëhen në “Sistina”, i përcaktojnë antitrupat e virusit që prodhohen disa ditë pas infeksionit dhe zakonisht përdoren për të parë nëse personi që testohet e ka kaluar virusin për të cilin testohet. Kjo dallon nga testet molekulare, të cilat tregojnë se personi që po testohet a është aktualisht bartës i virusit dhe mund ta përhapë atë tek njerëzit e tjerë.

Antitrupat e virusit prodhohen pas ditës së pestë ose të shtatë të sëmundjes. Kjo do të thotë se nëse dikush është i infektuar nga virusi dhe bën një test të këtillë të shpejtë në ditën e parë të infeksionit ose në ditën e pestë të infeksionit, rezultati i testit do të jetë negativ. Atëherë pacienti do të fitojë bindje të rreme se nuk është i infektuar dhe mund të paraqesë rrezik nga përhapja e virusit. Gjithashtu, personi që testohet mund të marrë rezultat pozitiv të testit, por mund ta ketë kaluar sëmundjen (virusin) dhe të mos përbëjë asnjë kërcënim për infektimin e njerëzve të tjerë me të cilët është në kontakt.

Kjo situatë ka ndodhur me pacientin e ndjerë R.Z. nga Kumanova, për të cilin shkroi IRL. Ai mori rezultat negativ nga testi i shpejtë në “Sistina”, por vdiq pas disa ditësh nga komplikimet e shkaktuara nga Covid-19. Në ndërkohë, ai ishte i bindur se nuk ishte bartës i virusit dhe kishte kontaktuar me shumë njerëz, duke përfshirë punonjësit shëndetësorë.

Njoftimet për situatën në lidhje me koronavirusin duhet të jenë të lira nga çdo sensacionalizëm. Në një situatë të tillë, gjëja më e rëndësishme është që qytetarët të informohen në kohë, por edhe më e rëndësishme është që ata të informohen saktë. Çdo informim jo i saktë mund të jetë i rrezikshëm dhe mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore dhe të kushtojë jetë njerëzish. Prandaj, është shumë e rëndësishme që informacionet që publikohen të jenë gjithëpërfshirëse, të sakta dhe detajisht të verifikuara nga institucionet kompetente.

 

Ky artikull është pjesë e raportimit special të “Krithink”-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.