Roli (jo)edukativ i mediave në Maqedoni

Mediat duhet të jenë “hyzmeqarë” të popullit sipas teorisë së gazetarisë. Por duhet të kujdesen edhe që të edukojnë e krijojnë masë kritike tek populli i cili konsumon çfarë i servohet. 

Shkruan: Ferikan Iljazi Arifi 

Mediat globalisht kanë një sërë rolesh që janë në të mirë të shoqërisë. Mediat duhet të jenë “hyzmeqarë” të popullit sipas teorisë së gazetarisë, dhe kjo jo gjithmonë nënkupton vetëm informimin si veprimtari strikte e medieve.

Një fushë tjetër që duhet të jetë prioritare në misionin e mediave është edhe edukimi. Sidomos në shoqëri që janë në zhvillim e sipër, si Maqedonia, mediat duhet të marrin përgjegjësinë për të dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim. Sigurisht që peripecitë ekonomike që shoqërojnë vendin tashmë një periudhë të gjatë reflektohen edhe në media, duke diktuar skemën e tyre programore. Është e qartë se secila media synon të maksimizojë komercializimin e përmbajtjes së programit, ndërsa emisionit edukative nuk janë zhanri më tërheqës për reklamuesit, por gjithmonë duhet të ketë vend edhe për përmbajtje të tilla.

Mediat dikur edukonin…

Nëse dikur mediat vërtetë kishin rolin edukativ, kishin emisione për fëmijë, të rinj, sport, kulturë, arsim, tani e gjithë skena mediatike është e preokupuar me qëndrimet politike ose emisione zbavitëse me kritere të ulta. Rrallë ose fare nuk gjen emisione për mbrojtjen e drejtshkrimit dhe gjuhës, aspak nuk ka programe që edukojnë institucionalisht qytetarin. Për shembull, sa prej qytetarëve i dijnë të drejtat e tyre, dijnë se si të realizojnë të drejtat sociale dhe të drejtat e tyre themelore në institucione. Nëse shikojmë jo më larg se në rajon, do të gjejmë përplot emisione të tilla, por jo në televizionet e vendit.

Servisi publik duhet të jetë bartës i misionit edukativ

Deri sa televizionet komerciale pak a shumë janë të kushtëzuar në përzgjedhjen e programit sipas preferencave të tregut, televizioni nacional e ka luksin (dhe përgjegjësinë) që të veprojë në interes të përgjithshëm pa u brengosur për preferencat e agjencive të marketingut. RTVM financohet nga qytetarët dhe duhet që këtë ta kompensojë me program që në fund të ditës do të jetë në dobi të qytetarëve. A e shohim këtë program në servisin publik? Fatkeqësisht jo. Shumë pak emisione edukative. Edhe ato që janë, shpesh janë të njëanshme – siç janë dokumentaret “patriotike” maqedonase në TVM 1.

RTVM në përgjithësi po e lëshon shansin që të jetë bartëse e misionit edukativ në vend, edhe pse është më e thirrura që t’i prijë këtij misioni.

Komercializimi i fuqisë së krijimit publik

Siç e cekëm edhe më lartë, mediat po e sakrifikojnë rolin edukativ për t’i dhënë më shumë hapësirë rolit informativ. Edhe pse nuk arsyetohet, do të ishte deri diku e “falshme” nëse të paktën roli informativ realizohej me përpikëri dhe paanshmëri. Kështu qytetarët të paktën do të përfitonin një nga dy veprimtaritë e dobishme që mund të kryejë një media. Por realiteti në vend është se hapësira për informim shfrytëzohet për të krijuar mendim publik, varësisht nga interesat e ngushta të pronarëve të mediave komerciale. Këtë e kemi dëgjuar në bisedat e përgjuara që u publikuan gjatë periudhës së kaluar, por edhe e shohim çdo ditë në ekranet televizive.

Media ofron kulturë të përgjithshme dhe standard gjuhësor

Pavarësisht mangësive që mund t’i kenë mediat pasi shfrytëzohen si mashë për manipulim me popullin dhe propagandë, mediat ende mund të them se ruajnë një pjesë të veçantë në jetët tona.

Ajo që unë vërej të paktën, është tek aspekti gramatikor. Falë mediave, qytetarët shqiptarë por edhe maqedonas, arrijnë të ruajnë të folurit në gjuhë standarde, ose të pastër për vite me radhë, përkundër ndikimit të mediave të huaja, kinematografisë ose industrisë muzikore të huaj. Nuk është keq të dijsh për kultura të tjera, por kjo nuk do të thotë se duhet ta neglizhosh kulturën dhe gjuhën amëtare.

Megjithatë, Mediat e Maqedonisë duhet të ristrukturohen dhe të rinisin me përmbajtjet edukative që i kishin dikur. Madje, mendoj se duhet të përforcohet edhe rregullativa ligjore me të cilën mediat do të obligoheshin për program të tillë cilësor që ka për qëllim edukimin e popullatës. Ende ka kohë për të kthyer rolin e vërtetë të medias që është edukimi i të gjithë gjeneratave, krijimi i mendimit të shëndoshë publik dhe kritikës publike, por edhe kontrolli i funksionarëve që bartin funksione publike. Gjithçka që duhet është vullnet për reforma pozitive dhe me pak mund, mediat mund të kthejnë formën e dikurshme.