Shtatzënat me simptome të Kovid-19 dërgohen në Klinikën universitare, jo në Çair

Foto ilustrim nga Pexels

Gratë me simptome të Kovid- 19 nuk dërgohen në gjinekologjinë në Çair, por në Klinikën gjinekologjike dhe të akusherisë që gjendet në Qendrën Klinike. Prandaj, vlerësojmë se artikulli që do ta recensojmë, ka dezinformuar publikun dhe ka ngjallur panik.

Lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “ Gratë shtatzëna me simptoma drejtohen në klinikën universitare në Çair”.

Data e publikimit: 30.03.2020

Data e recensionit: 02.04.2020

Recension: Fatbardha Curri

Titull që dezinformon

Dezinformimi apo informacioni jo i saktë tregohet që në titull. Aty thuhet se shtatzënat që kanë simptome të virusit korona (Kovid-19) dërgohen në Klinikën gjinekologjike në Çair, ndërkaq në praktikë autoritetet, më saktë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka deklaruar se të tillat dërgohen për trajtim në Klinikën Gjinekologjike dhe të akusherisë që gjendet në Qendrën Klinike.

“Gratë shtatzëna me simptoma drejtohen në klinikën universitare në Çair”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.

Por, në Gjinekologjinë në Çair dërgohet vetëm shtatzënat  që nuk kanë simptome të virusit korona.

Dezinformim që dej nga shtrembërim i deklaratës

Por, nëse lexohet artikulli, shihet se dezinformata ka dalë nga shtrembërimi i deklaratës. Kjo, sepse edhe deklarata që citohet në artikull, e demanton titullin.

“Të gjitha gratë shtatzëna të cilat nuk kanë simptome të virusit korona drejtohen në spitalin e gjinekologjisë në Çair. Të gjithave u matet temperatura dhe u bëhet analiza e më pastaj pranohen në këtë spital. Ndërsa shtatzënat të cilat kanë simptome të virusit dërgohen në klinikën universitare të gjinekologjisë”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Prandaj vlerësojmë, se media qëllimshëm ose jo, ka dezinformuar publikun dhe ka ngjallur panik të panevojshme.

Me këtë, ajo ka bërë edhe shkelje të Kodit Etik të Gazetarëve, i cili thotë se gazetari duhet të publikojë informacione të verifikuara dhe në rast se i pengohet të arrijë deri te të njëjtat, i njëjti duhet të tregojë se është penguar.

Në artikullin që e recensuam, shihet se informacionin gazetari e ka pasur të saktë, por e ka shtrembëruar në titull.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.