Statuset në rrjetet sociale nuk përbëjnë lajm

Transmetimi i një statusi nga rrjetet sociale nuk përbën lajm. Nëse ndodh që statusi i një individi në rrjetet sociale ka elemente për tu bërë lajm atëherë gazetari duhet ta plotësojë përmbajtjen e lajmit me informacione shtesë dhe ti bëjë të qartë lexuesit arsyen e lajmit. Teksti që recensojmë nuk ka asnjë element që të quhet lajm dhe të përbëjë interes publik. Por ka interes të rrisë klikimet me tituj bombastik.

Informata që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Komandant Baruti: “Fatime Fetahu Allahu të shkat*ërroftë…” 

Data e publikimit: 24.02.2021

Data e recensionit: 04.03.2021

Recension: Shefkije Alasani

Titull sensacionalist

Produkti gazetaresk ka titull sensacional, pasi paraqitet në publik si informacion “interesant” duke nxitur emocione në publik.

“Komandant Baruti: “Fatime Fetahu Allahu të shkat*ërroftë…”,thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.

Gazetari anonim, për ta titulluar produktin e publikuar gazetaresk, ka shkëputur një fjali nga një status në rrjetet sociale të cilin na e paraqet si lajm. Lajmi ka mbi 1500 reaksione në rrjetet sociale, përfshirë këtu mbi 260 komente dhe mbi 60 shpërndarje.

Reaksionet

Thirrja e emocioneve

Përmes fjalisë që është përzgjedhur të përdoret si titull autori manipulon opinionin publik me fenomenin Thirrje në Emocione. Ky fenomen në doracakun për Arsim Jo Formal nga CriThink, definohet si: Prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim.

Titujt me tre pika, që lë lexuesin të nënkuptoj gjëra të gabuara nuk janë karakteristikë e mediave dhe gazetarëve profesionistë. Veprimet e tilla duhet të jenë të dënueshme dhe media të tilla nuk duhet të zënë hapësirën dhe kohën e askujt. Lexuesit të jenë të vëmendshëm dhe të shmangin tituj dhe media të tilla.

Kodi Etik

Produkti mediatik që po recesionojmë bie ndesh me parimet themelore të kodit etik të gazetarëve. Në pikën e parë të Kodit etik theksohet:

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Megjithatë, produkti mediatik në fjalë nuk plotëson asnjë kriter të informimit gazetaresk profesional. Bëhet fjalë për një përmbajtje prej disa rreshtash e cila është marrë copy-paste nga rrjetet sociale.

“Xhem Baruti Llamallari shkruan:
Zaevi ndërhyri ne gjyqësi duke i lan të lirë Gruevskin , Mihajllkovin , Boki 13 , Katicen , Krsten , Johanin e Goranin , u vërrtetu që qeni nuk e ha qenin ! ALI , ndërhy edhe ty , mos i le të lirë këto hordhi karpatesh duke bërë festa e ahenge me vuajtje të nënave shqiptare !
Fatime , Allahi t’shk*atrroft oj plakushka e gërrditshme !”, theksot në përmbajtjen e lajmit.

Përmbatja e tekstit nuk përgjigjet në asnjërën nga 5 pyetjet gazetareske: Ku? Kur? Kush? Pse? çfarë? Gazetari nuk na jep asnjë element pse ky koment është i rëndësishëm për opinionit dhe pse lexuesi duhet të ndjaë kohë dhe ta lexojë këtë “lajm”.

Në fakt, produkti mediatik në fjalë bie ndesh edhe me vet politikat redaktuese të faqes ku është publikuar. Në fund të lajmit shkruan se ueb-site ku është publikuar shkruan se redaksia e tyre është anëtare e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) dhe se plotësisht i përkushtohen respektimit të etikës dhe standardeve profesionale në raportimin gazetaresk. Lajmi i publikuar në portalin Pa Censurë, bie në kundërshtim me objektiven kryesore të KEMM:

“KEMM synon mediat në Maqedoni ti pranojnë principet e gazetarisë profesionale dhe etike, dhe gjithmonë duke u kujdesur për lirinë e mendimit të lire, shprehjes të lire dhe interesin e publikut”.