Tekst i pakuptimtë dhe manipulues

[Recension: Zbulim senzacional i NASA-s: Jezusi është në qendër të galaktikës!]

Një tekst i pakuptimtë, i bazuar në diçka që ka ndodhur gati 30 vjet më parë, dhe tani, për arsye krejt të panjohura, riaktualizohet dhe përdoret për ta manipuluar publikun dhe për të përhapur teori konspirative.

Manipulimi është bërë që në titull dhe me fotografinë kryesore, të cilat janë krijuar për të tërhequr sa më shumë klikime në faqe.

Linku deri te artikulli origjinal: Zbulim senzacional i NASA-s: Jezusi është në qendër të galaktikës!

Data dhe koha e publikimit: 13.4.2019

Data e recensionit: 15.4.2019

Recenzues: Simona Atanasova

Titulli jo vetëm që është senzacionalist, por edhe i pasaktë. As NASA nuk thotë me të vërtetë se teleskopi i saj ka fotografuar një kryq në gjithësi, e as Jezusi nuk është në të vërtetë në qendër të galaktikës!

Fotografia kryesore, në fakt, është një kolazh i dy fotografive të bashkuara për ta bërë manipulimin më të besueshëm. Në të majtë është një fotografi nga filmi “Pasioni i Krishtit” ku është paraqitur Jezu Krishtin i kryqëzuar, ndërsa në të djathtë është shtuar fotografia që e ka incizuar teleskopi i NASA-s. Por, shkenca ka shpjegim për formën e paraqitur në këtë fotografi dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me fenë. Në ueb-faqen zyrtare për teleskopin “Hubble” shkruan:

Forma “X” është rezultat i thithjes së pluhurit dhe e tregon pozicionin e saktë të vrimës së zezë, e cila mund të ketë masë të barabartë me një milion yje si dielli. Shirit më i errrët, me gjasë, është një unazë pluhuri, me diametër rreth 100 vite të dritës.

Nëpër tekst janë hedhur konstatime të ndryshme, të cilat rinë pezull pa konfirmim. Thuhet se fotografia ka ngjallur debat në internet. Nuk ka asnjë shpjegim se ku u zhvillua ky debat dhe kush e udhëheq atë, kështu që lind pyetja se e ka ndonjë debat fare. Pastaj, thuhet se “shumë njerëz mendojnë se fotografia e tregon Jezusin në kryq”, mirëpo, është e paqartë se kush janë këta “shumë njerëz” dhe sa është numri i tyre.  Artikulli gjithashtu i referohet edhe “besimtarëve dhe teoricienëve fetarë”, për të cilët, po ashtu, nuk ka asnjë konfirmim se kush janë dhe se a kanë deklaruar me të vërtetë se forma e paraqitur në fotografi është një lloj “dere qiellore” (çfarëdo që të jetë kjo).

Rastësisht apo jo, ky tekst është botuar gjatë Kreshmës (ditëve të agjërimit) para festës më të madhe krishtere të Pashkëve. Kjo nuk është hera e parë që ndonjë zbulim i NASA-s të lidhet me shenja fetare, pesë vjet më parë në një pjesë të mediave u paraqitën artiikuj me titull: “NASA incizoi kryqin në rrethin e Marsit”.

Në internet, veçanërisht në rrjetet sociale, mund të lexohen publikime të ndryshme duke përfshirë edhe përmbajtje për teori të komplotit, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të publikohen nga mediat dhe të ndikojnë në publikun e gjerë të lexuesve. Detyra e gazetarëve është që t’i verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, të bëjnë një përzgjedhje të mirë dhe një vlerësim edhe më të mirë, se çka meriton të trajtohet si lajm nga mediat, e ky rast nuk është i tillë.