Tekst me tre rreshta, por me disa shkelje etike dhe profesionale

Lajmi që recensojmë

Tekst me tre rreshta, por dhjetëra shkelje etike dhe profesionale. Ky tekst u ngjan rasteve tipike të bullizmit midis adoleshentëve. Pra, gjuha se si autori ka përcjellë diçka që ai e di mirë se nuk ka të bëjë as me lajm, as me informim dhe aq më pak me pasqyrimin e të vërtetës, i ngjan këtij fenomeni. Deklaratat e dy panelistëve në debat janë shtrembëruar. Përderisa njëri i pari i ka parashtruar pyetjen e një qytetari në rrjetet sociale ministrit Arijanit Hoxha, ky i fundit as nuk e ka komentuar, madje në një formë të nënkuptuar e ka demantuar, ndërsa në këtë artikull thuhet e kundërta. 

Lajmi që recensojmë

Linku origjinal i artikullit: HAHA krejt tallen me Arjanit Hoxhën dhe Lëvizjen BESA – VIDEO

Data e publikimit: 10.03.2021

Data e recensimit: 14.03.2021

Recensuese: Naile Dauti

Titull tendencioz, aspak etik

Titulli i lajmit pasqyron vetë tekstin në fjalë. Në shikim të parë, titulli të jep përshtypjen se është koment i ndonjë qytetari në rrjetet sociale. Por nuk është aspak kështu. Titulli është i vetë autorit. Në fakt nuk ka shumë çfarë të analizohet në titull, pasi vetë teksti është ‘dëshpërues’. Ajo që vihet re në titull, është bashkëngjitja e VIDEO-s, që në njëfarë forme apo në një tjetër, duket më bindës për lexuesin dhe shton kureshtjen e tij.

Tekst me dhjetëra gabime etike dhe profesionale

“Opinionisti Arjanit Xhaferi i ka thënë Arjanit Hoxhës atë çka thonë qytetarët se Besa ka më shumë funksionarë se sa anëtarë! Edhe ministri i BESA-s i vetëdijshëm për këtë me të qeshura ka pranuar këtë fakt..ndiqni videon…”, thuhet në tekst.

Teksti që po recensojmë ka shumë probleme etike. Si probleme etike më të theksuara janë shtrembërimi i fjalëve të panelistëve, pretendimi se qytetarët mendojnë që Lëvizja Besa ka më shumë funksionarë se sa anëtarë, pra përgjithësimi, pretendimi i autorit se ministri e di për një gjë të tillë- diçka që autori nuk mund dhe as e ka argumentuar dhe në fund mungesa e autorësisë. Pra nuk e dimë kush qëndron pas këtij teksti, prandaj edhe guximi për të botuar tekste të kësaj kategorie është shumë më i madh sepse nuk bartë asnjë fije përgjegjësie.

Problemet (jo)profesionale për strukturimin e lajmit nga ana tjetër janë po aq të theksuara sa ato etike. Nuk ka informacion dhe si rrjedhojë nuk ke se si përgjigjesh në pyetjet më të rëndësishme gazetareske. Teksti edhe pse i shkurtër, mund të përbënte një lajm shume të madh po të thuhej një e vërtetë, të demaskohej diçka e madhe, një skandal ose ngjashëm. Por nuk e plotëson as këtë kusht.

Në fakt disave prej këtyre pyetjeve duhet parashtruar autorit:

Çfarë ka dashur të thotë autori me këtë tekst?
Pse e ka bërë?
Kush është autori i këtij artikulli?

Çfarë– Autori me tekstin në fjalë ka tentuar të denigrojë një personalitet apo një grupacion politik. Po të mos ishte ashtu, nuk do bëhej një shkrim i tillë. Autori gjithashtu me këtë tekst nuk ka treguar në fakt asgjë, përpos dëshmisë se media të tilla nuk janë media dhe as autorët e tillë nuk janë gazetarë.

Pse– Pasi për këtë, ka tre mundësi, autori përdor median për qërim hesapesh, për manipulimin e masës-denigrimin e disa personaliteteve apo të një partie politike dhe e treta për përfitimin e klikimeve.

Kush– Autori i artikullit është një person anonim, i cili duket qenë i tillë nuk bart përgjegjësi publike për atë që shkruan. Është më e lehtë të bësh ‘gazetari’, të mos argumentosh dhe të sulmosh dikë.

Në këtë rast ka shkelje të Kodit Etik i Gazetarëve, i cili rreth çështjeve si kjo rekomandon:

Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij

Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.

Sa i përket mospërputhjeve logjike dhe njëanshmërive kognitive më të përdorura gjatë manipulimit të informacionit në këtë rast është “Prirja për të konfirmuar këndvështrimin e vet”. Nëse ky manipulim ka të bëjë me prirjen për të kujtuar, favorizuar dhe gjurmuar informacione që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese të autorit, në këtë rast autori nuk ka bërë ndonjë gjurmim, ose tentim për konfirmim të pikëpamjes së tij, thjeshtë ka nënkuptuar diçka të pavërtetë në mënyrë të vetëdijshme dhe e ka plasuar në media.
“Argument kundër njeriut”, është gjithashtu një manipulim tjetër. Kjo për shkak se siç e sqaruam tashmë, ky tekst nuk ka lajm dhe as qëllimi nuk ka qenë për të bërë lajm, por për të diskredituar një person të caktuar dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, nuk përbën interes publik.

Për lexuesit

Ashtu siç edhe rekomandon Kodit Etik i Gazetarëve, gazetari duhet të kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit. Prandaj, një mënyrë e tillë komunikimi nuk i ngjan askujt, aq më pak dikujt që duhet të jetë edukator për audiencën dhe jo shembull degjenerimi.