Tekst që nëpërkëmb parimin ‘distancë profesionale nga politika’

Lajmi të cilin e recensojmë

Artikullit që po recensojmë i mungojnë elementet kryesore që e karakterizojnë një lajm. Kur lexuesi përfundon artikullin, jo që nuk merr përgjigje, por i lindin shumë pyetje. Kjo pasi vetë artikull-shkruesi, nuk iu ka dhënë përgjigje pyetjeve më thelbësore, Si, Kur, Ku dhe Pse. Vetëm një pyetje ka përgjigje, dhe ajo është Kush. Por Si, personi në fjalë- Artan Grubi, imponoi atë që thotë teksti, Kur, Ku e bëri dhe Pse është ai ‘ndreqësi’ i këtyre problematikave, lexuesi nuk ka për ta kuptuar nga ky tekst. Teksti, thjeshtë i thur lavde, i jep merita dhe ngrit një funksionar, por nuk jep arsye dhe fakte bindëse.

Lajmi të cilin e recensojmë

Linku origjinal i artikullit: Artan Grubi arriti të imponojë emra shqiptarë për rrugët e Shkupit

Data e publikimit: 21.02.2021

Data e recensimit: 14.03.2021

Recensuese: Naile Dauti

Titull manipulues

Në të shumtën e rasteve, duke u nisur nga titulli i lajmit, mund të kuptojmë se me çfarë karakteri të lajmit kemi të bëjmë. Në artikullin që po recensojmë, është lehtësisht e kuptueshme se kemi të bëjmë më tepër me koment të gazetarit se sa me lajm. Titulli në fakt, pasqyron shumë mirë edhe përmbajtjen e tij, fare lehtë mund të konstatohet se është lëvdatë dhe ka elementin e anshmërisë.

Artikull që të ngjallë pikëpyetje, por nuk të jep përgjigje

Këtij artikulli, i mungojnë elementët bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet lajmi. Nuk jep përgjigje për pyetjet më thelbësore të gazetarisë, për të cilat natyrshëm i lindin edhe lexuesit kur dëshiron të kuptojë një situatë të caktuar.

Me emërimin e Artan Grubit në pozicionin e zëvendës-Kryeministrit të parë, problemet e shqiptarëve nuk u zhdukën, përkundrazi dolën në pah si me pahir, por ajo që bie në sy është se çdo problem që paraqitet, me plot kompetencë dhe me qasje serioze gjen zgjidhjen afatgjate. Së fundmi duket se Artan Grubi ka imponuar që mbi 100 rrugë të Shkupit të mbajnë emra të personaliteteve shqiptare si nga sfera e artit e kulturës, letërsisë e politikës por edhe emra të heronjve kombëtarë dhe martirëve e dëshmorëve“, thuhet në tekst.

Pa lëvdata të një pas-njëshme, lexuesi meriton të kuptojë se si ndodhi që Grubi imponoi që rrugët të mbajnë emra të personaliteteve shqiptare. Nga pozicioni ku ai ndodhet, në tekst, nuk sqarohet se si Grubi imponoi vendosjen e emrave të personaliteteve shqiptare, kur ky është një projekt nga Qyteti i Shkupit, në të cilin janë përfshirë mendimet e qytetarëve, proces, i cili ka filluar prej vitit 2019, kohë kur Grubi, nuk ishte as zëvendës kryeministër dhe as ministër.

Parimi – ‘distancë profesionale nga politika’ është nëpërkëmbur

Ajo që bie në sy në këtë tekst është fakti se gazetari në vend se të kërkojë përgjegjësi nga funksionarët për mos-zbatimin e premtimeve të dhëna, këtu ndodh e kundërta, lavdërohet një funksionar për diçka që nuk kuptohet as argumentohet se përse për emërtimin e rrugëve këto merita i takojnë funksionarit të apostrofuar.

“Vlen të përmendet roli dhe vendosja e Artan Grubit kundrejt Kryeministrit Zaev qoftë në organizimin e zyrave, qoftë në udhëheqjen e seancave, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucione, shpërndarjen e administratorëve, por edhe  masat transparente ekonomike si dhe investimet kapitale nëpër vendbanimet shqiptare. Me këto rezultate e impakt pozitiv në çështje të rëndësishme për shqiptarët, përzgjedhja e Ali Ahmetit për emërimin e Artan Grubit në detyrën më të rëndësishme në Qeveri, vlersohet të jetë shumë e qëlluar dhe mëse e arsyeshme”, thuhet në tekst.

Në këtë rast, është shkelur një parim jo pak i rëndësishëm i Kodit Etik të Gazetarëve, dhe ai është distanca profesionale nga subjektet politike, që këtu nuk përjashtohet edhe distanca nga funksionarët të cilët rëndom i përkasin një subjekti të caktuar politik.

“Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në pikën e 14 të Kodit Etik.

Në tekst më tepër spikasin dy deri tre lloje manipulimesh. “Analogjia false” , “Prirja për të konfirmuar këndvështrimin e vet” dhe në një farë forme është përdorur edhe “Thirrja e emocioneve” .
I pari vjen në shprehje kur autori ka bërë analogji midis dy gjërave që nuk përputhen askund. Pra, ka pretenduar pa fakte se funksionari i përmendur në artikull, ka emërtuar ose ndikuar në emërtimin e rrugëve me emra të personaliteteve shqiptare.
Manipulimi i dytë, as nuk ka arritur nivelin e manipulimit që është sqaruar në Doracakun e Krithinkut, pasi autori as që është përpjekur të gjurmojë informacione që do të konfirmonin pikëpamjen ekzistuese të tij. Pra është një manipulim i cekët dhe tejet i rëndomtë, gjegjësisht që nuk mund të bëjë “shpërlarjen e trurit” të lexuesve. Ndërkohë Thirrja e emocioneve, vihet në pah në momentin që autori ka zgjedhur pikërisht përmes këtij informacioni, që mund t’u hyjë në punë lexuesve shqiptar, të bëjë analogji dhe në njëfarë forme të bëjë fushatë për Artan Grubin.
Për lexuesit
Përmes artikujve të tillë, është shumë e thjeshtë të kuptohet se këto media janë me ngjyrime politike ose se qëllimi i tyre nuk është informimi, por ndikimi i masës dhe bërja e fushatës për një parti të caktuar politike apo të një klani të caktuar brenda një partie politike.