Tekst spekulativ për adhuruesit e teorive të komplotit

 

[Recension: MAQEDONIA BËHET DEPONI RADIOAKTIVE E NATO-s: Llazanski komenton se NATO-ja do ta marrë Krivollakun, ndërsa Maqedonia – mbeturinat radioaktive!]

 

Spekulim, senzacionalizëm, manipulim, spin, lajm i rremë. Të gjitha këto kualifikime vlejnë për titullin dhe për tekstin, i cili, në të vërtetë, përcjellë një kolumnë të një personi që prezantohet si analist ushtarak-politik. Por, përveç të gjitha këtyre kualifikimeve, ky “lajm”, përndryshe i shkruar sipas shijes së adhuruesve të teorive të konspiracionit, përsëritet në cikle, edhe atë sa herë që ndodhin momente të rëndësishme për integrimin e Maqedonisë në NATO. Këtë herë, Krivollaku është  “bombarduar” nga pohimet e Mirosllav Llazanskit.

Linku deri te artikulli origjinal:  MAQEDONIA BËHET DEPONI RADIOAKTIVE E NATO-s:Llazanski komenton se NATO-ja do ta marrë Krivollakun, ndërsa Maqedonia mbeturinat radioaktive!

Data dhe koha e publikimit: 12.2.2019

Data e recensionit: 13.2.2019

Recenzues: Igor K. Ilievski

Në tekstin që e reconsojmë është transmetuar një kolumnë e publikuar në një medie serbe. Kolumna u publikua në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, i pari në të cilin mori Maqedonia pas nënshkrimit të protokollit të pranimit. Dhe kjo nuk është media e vetme që i transmetoi pohimet e Mirosllav Llazanskit.

Çfarë përfiton NATO-ja me anëtarësimin e Maqedonisë në të? Para së gjithash, poligoni ushtarak Krivollak, poligoni i vetëm në Evropë ku mund të mbahen ushtrime me disa lloje të helmeve të vërteta të luftës. A do të qëllojnë tani avionët ushtarakë amerikanë A-10 me municion me uranium të varfëruar caqe në Krivollak? Sigurisht, pasi që kush në Shkup do të mund t’i parashtronte një pyetje të tillë aleatit të madh? Askush. Ata do të jenë të lumtur nëse aleati i madh u premton se shqiptarët një ditë nuk kanë për t’ua shkatërruar vendin. Gjithçka që Shkupi merr me hyrjen në NATO-n është ky premtim. Me gojë, e jo edhe në letër…

Përveç Krivollakut, shkruan Llazanski, NATO-ja e merr për shfrytëzim edhe aeroportin civil-ushtarak në Petrovec pranë Shkupit.

Llazanski, që është prezantuar si analist ushtarak-politik, mendimin e tij e ka paraqitur në një kolumnë në “Politikën” e Beogradit. Kolumna, si zhanër, është qëndrim i autorit për një çështje të caktuar. Autori ka njëfarë lirie në interpretimin e fakteve dhe në peshimin e deklaratave të tij, prapa të cilave qëndron me dëshmitë që ai paraqet dhe, në fund të fundit, me emrin dhe mbiemrin e tij, gjegjësisht me kredibilitetin e tij. Për shembull, në këtë kolumnë, Llazanski paralajmëron se Mali i Zi, anëtarja më e re e NATO-s, është në rrezik që plazhet e saj t’i vërshojnë “mijëra detarë të NATO-s”. Në fund, publiku gjykon se sa i qëndrueshëm është opinioni i shprehur.

Por, kur një medie tjetër i transmeton qëndrimet nga një kolumnë, rregullat janë pak më ndryshe. Tani qëndrimi nga kolumna transmetohet si lajm, prandaj media ka për detyrë ta verifikojë saktësinë e saj. Kështu, të gjitha mediat që i kanë transmetuar pohimet, pyetjet dhe pikëpamjet e Llazanskit nga kolumn e botuar “Politika”, kanë qenë të detyruara t’i verifikojnë ato. Ata që nuk i kanë verifikuar pohimet e shprehura, i kanë shkelur nenet 1 dhe 13 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, ku është definuar në mënyrë precize se:

(1) Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente. Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar. Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.

(13) Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komentit.

E sikur t’i verifikonin, do të duhej të tregonin se ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska tashmë demantoi (gusht 2018) se në Krivollak ndonjëherë është përdorë uraniumi i varfëruar dhe deklaroi se ai as që do të përdoret. Për më tepër, ky demant erdhi pas pohimeve të medies së njëjtë se në Krivollak është përdorur municione me uranium të varfëruar, të cilat u publikuan pasi Maqedonia mori një ftesë për anëtarësim në NATO vitin e kaluar.

Për më tepër, publiku ka frikë nga mundësia që në Krivollak të mbahen ushtrime edhe me helme të luftës, të ndaluara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndalimin e Armëve Kimike të vitit 1997, të cilën Maqedonia e ratifikoi të njëjtin vit. Në fund, por jo edhe më pak e rëndësishme, do të zbulojnë edhe se çdo ministër maqedonas i mbrojtjes e ka ofruar Krivollakun si poligon për trajnim edhe vendeve të Ballkanit edhe NATO-s.

I transmetuar kështu, i paverifikuar dhe e pambështetur me asnjë fakt, mendimi i Llazanskit është një spekulim tendencioz përmes të cilit projektohet një teori komploti dhe krijon frikë të pabazë në mesin e publikut, ndërsa për këtë nuk është ofruar asnjë dëshmi. Thënë thjeshtë, “analiza” e këtillë është aq e qëndrueshme sa edhe muhabet kafeneje.