Tekste fetare ruse për profecitë e supozuara mbjelin panik për koronavirusin e ri

Фото: ФБ

 

Fetaria e një pjese të qytetarëve të Maqedonisë është duke u përdorur për të përhapur panik dhe dezinformata në lidhje me korona-virusin e ri, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) e përcakton si 2019-nCoV, me ç’rast tekstet ruse citohen në mënyrë manipuluese për paraqitjen e tij si fillim i një katastrofe botërore.

Për shembull, faqja në Facebook “Maqedonia Ortodokse” ka postuar një postim me një fotografi të afreskut të Shën Mërisë, nëpër të cilën rrjedh ujë, që ndoshta duhet të asocojë në ngjarjet e shumta të lotimit të afreskeve, të paraqitura si një fenomen mbinatyror. Teksti shoqërues, (pothuajse tërësisht i përkthyer nga rusishtja), flet për atë se si disa persona, të emërtuar si profetë, “parashikuan” se “gjysma e njerëzve – pleqtë dhe fëmijët” do të vdisnin nga ai virus.

Postimi ka marrë mbi 1.600 pëlqime, 401 komente (kryesisht afirmative) dhe 403 shpërndarje.

Pamje nga ekrani me postimin në Facebook, që e përdor fotografinë e Shën Mërisë si një karrem për të përhapur panik për koronavirusin e ri.

Shumica e citimeve në postim u atribuohen personave të panjohur për publikun në Maqedoni, shenjtorë të pretenduar nga provincat e thella ruse, ose qytete të tilla si Kemerovo në Siberi ose Çebarkul në Ural. Pretendimet flasin në përgjithësi për sëmundje si rezultat i zemërimit të Zotit, mirëpo pa detaje nga të cilat mund të shihen njohuri paraprake mu për këtë virus. Disa e rrisin nivelin e frikës dhe tmerrit me paralajmërime për luftë botërore.

Përveç citateve, në tekst janë përfshirë edhe linke deir te lajmet në lidhje me epideminë e koronavirusit nga portalet e lajmeve në Maqedoni, në mënyrë që lexuesit të fitojnë përshtypje se ekziston një lidhje.

Në fund të tekstit të gjerë është futur citim i tekstit të quajtur “Profecia e Eromonah Elpidius-it“, në të cilën nuk ka asnjë profeci, por udhëzim nga një prift grek për besimtarët se si të luten. Si “burim” është theksuar një link deri te një tekst i shkruar në rusisht, nga predikimi i tij i pretenduar në vitin 2013. Megjithatë, teksti i këtillë nuk ka për qëllim vetëm ta plotësojë hapësirën, por ka edhe funksionin që t’i bind lexuesit se ajo që është shkruar më lartë ka mbështetje nga zyrtarët e kishës.

Pavarësisht nga ajo se përmbajtja e këtij segmenti nuk ka asnjë lidhje me titullin, i cili, përndryshe, bën profeci, ai i referohet autoritetit të murgut grek, i cili në tekst është portretizuar duke i ndihmuar fëmijët në Afrikë përmes fotografive dhe videoklipeve.

Pjesët e tjera të tekstit promovojnë teori konspirative si p.sh. “spërkatjet nga aeroplanët”, helmimi me ushqime të modifikuara gjenetikisht (GMO) dhe rënia nën ndikimin e masonëve, duke arritur kulmin me paralajmërimin për një luftë midis Rusisë dhe Gjermanisë, të cillës, gjoja, do të ndihmojnë 8-10 shtete të udhëhequra personalisht nga Luciferi. Gjoja, beteja e tyre kryesore do të ishte për Stambollin. Kjo pjesë është ilustruar me një fotografi të një luftëtari mesjetar rus me parzmore, princit Pozharski, para afreskës së Shën Mërisë.

Në artikullin e paraqitur si burim për “profecitë”, një simboli i fuqisë ushtarake ruse – luftëtari me parzmore është paraqitur së bashku me një fotografi të Shën Mërisë, për ta bërë atë më tërheqës për besimtarët që e respektojnë atë. Prapavija e kamufluar në mënyrë shtesë aludon në luftë. Teksti gjithashtu pretendon se “Zoti e formoi Rusinë që të ketë një interes strategjik në Detin Mesdhe”.

Faqja “Maqedonia Ortodokse” është anonime, administratorët e saj nuk kanë publikuar se kush janë dhe nga janë, ndërsa mjeti për transparencë i “Facebook”-ut ka të dhëna se bëhet fjalë për 9 persona të vendosur në Maqedoninë e Veriut. Është krijuar më 12 qershor 2014, dhe ka 23.196 pasues.

Regjimet totalitare dhe autoritare në të gjithë botën, si në të kaluarën ashtu edhe sot, shpesh kanë mbështetur përhapjen e tregimeve të profecisë që parashohin katastrofa dhe teori të komplotit, si një mjet për t’i mbajtur subjektet në një gjendje të frikës së vazhdueshme. Tregimet e tilla shpesh transmetohen nga media joprofesionale jo vetëm për arsye ideologjike, por, mbi të gjitha, për arsye komerciale, sepse e tërheqin vëmendjen e lexuesve.

Një shembull tipik është mashtrimi për “profecinë e Kremnës” (Profecia Kremane), e cila për herë të parë u vu në shërbim të politikës nga mbreti serb, Millan Obrenoviq, të vitit 1902, për ta justifikuar vendimin e tij për divorc. Gjatë shekullit të 20-të, janë botuar 12 libra për “profecinë”, në të cilat janë shtuar pjesë me “paralajmërim” të ngjarjeve që kanë ndodhur ndërkohë.