Titull bombastik dhe manipulim me fotografi

Fotografi nga lajmi që recensohet

Në kohën kur në horizont paraqitet një cikël zgjedhor, më shumë se kurrë paraqitet mundësia për të parë tekste që shkojnë në favor të një individi apo subjekti të caktuar dhe që “sulmojnë” një individ apo subjekt tjetër të caktuar politik. Në tekste të tilla, vetëm informacioni nuk mund të gjendet. Manipulim me video, manipulim me titull, mungesë të fakteve për ta vërtetuar atë që shkruhet, dhe shume komente. Këto janë elementet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen lexuesit dhe i gjejmë në lajmin që recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Flet Ziadin Sela, gjysma e rinisë së ASH-së e braktisën sallën? (VIDEO)

Data e publikimit: 04.11.2019

Data e recensionit: 22.11.2019

Recensuese:  Ajnur Bafqari

 

 

Nëse një foto flet sa një mijë fjalë, pse duhet të komentohet videoja- nga këndvështrimi i një personi?!

Në tekstin që po e recensojmë autori ka marrë një pjesë videoje dhe ka shkruar një tekst duke përshkruar këndvështrimet personale të tij, pa i bazuar ato në fakte. Autori ka shkruar se gjatë një fjalimi të një kreu të një partie politike, të gjithë simpatizantët  e kanë braktisur sallën ku po zhvillohej ngjarja, por nuk e ka marrë parasysh faktin që në ato momente lëvizjet bëhen pikërisht nga personi i cili po del në tribinë, i shoqëruar nga sigurimi dhe shoqëruesit e tij.
Autori madje as nuk e ka vërtetuar se kujt i përkisnin vendet e zbrazëta që shihen në pjesën e videos që i ka paraqitur, nëse ishin të të rinjëve apo të zyrtarëve partiak dhe komisionerëve të partisë.

Mes kësaj salle të vogël që grumbulloi gjithë rininë e ASH-së, fjalën e mori lideri i tyre Ziadin Sela, por gjatë fjalimit të tij, gjysma e sallës u boshatis, disa dolën para kohe, e disa rinin në korridore ende është mister se pse këta të rinj nuk e dëgjuan fjalimin e liderit të tyre Ziadin Selës ku siç thonë rinia e ASH-së do të sjell fitoren e 12 Prillit në këto zgjedhje. Ndryshe ASH-ja e Selës sikur frikësohet të garojë e vetme në këto zgjedhje, vazhdon të kërkojë parti shqiptare opozitare dhe të pozitës për të bashkëpunuar kundër BDI-së së Ali Ahmetit”- thuhet në tekstin që e recensojmë.

Në kërkim të lajmit, humbesh në tekst
Autori në fillim të tekstit tregon se si është zhvilluar kongresi i partisë, për të vazhduar më pas tek ajo që ishte edhe qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje, zgjedhja e numrit një të të rinjëve të partisë. Në pjesën e tretë të tekstit autori i referohet asaj që e ka thënë në titull, duke bërë që manipulimi të jetë më pak i dukshëm, ndërsa në fund të tekstit në mënyrë hipotetike flet për një “frikë” të kreut të partisë duke e shoqëruar me komente të shumta. Autori madje i jep të drejtën vetes për të komentuar edhe për mundësitë e koalicionit të kësaj partie me parti të tjera, gjithmonë në mënyrë hipotetite, pa i bazuar ato në fakte.

Duhet respektuar kodi etik, duhet bërë distancë profesionale nga subjektet politike
Autori për të arritur qëllimet e veta, nuk mban një distancë të caktuar emotive nga ngjarjet dhe qëndrimet e tij dhe se gjithçka që shkruan duhet ta bazojë në argumente. Komentimi duhet të jetë i ndarë në mënyrë të qartë nga raportimi.

KODI ETIK
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.”

Koncepti i manipulimit “Prova Selektive” dhe “Neglizhimi i të dhënave bazë”
Autori përdor argumente të cilat flasin në mbështetje të një pretendimi dhe njëkohësisht injoron argumentet që janë kundër të njejtës. Ndërsa nëpërmjet neglizhimit të të dhënave bazë, autori vlerëson mbi baza të të dhënave specifike, pa i marrë parasysh të dhënat bazë për rastin.

Ju duhet të vlerësoni vetëm pasi të shihni nga të gjitha këndvështrimet
Lexues, kur në një tekst hasni se ka anashkalim të një pjese të informatës, dijeni se bëhet fjalë për fshehjen e informatave, që mund të përdoret për paraqitjen e gabuar të së vërtetës, për propagandë, për t’i bërë dëm ndonjë personi ose ndonjë subjekti të caktuar. Nëse hasni në një tekst ku mungon gjithpërfshirja, injorojeni, ju po manipuloheni.