Foto nga Portalb.mk
Nga: Fatlume Dervishi
Në një vend të vogël me më pak se dy million banorë, shpërndarja masive dhe e shpejtë e informacioneve nuk është e vështirë. Më 13 shkurt, lajmi për rrokullisjen e autobusit në autostradën Shkup – Tetovë, si pasojë e të cilit jetën e humbën 15 persona, arriti te publiku vetëm me pak minuta distancë. Faqet elektronike të mediave dhe edicionet e lajmeve “vluan” nga informacionet nga terreni dhe të dhënat e institucioneve.
Tragjeditë me përmasa të këtilla janë të rralla, prandja jehona e tyre është e madhe. Për disa ditë me radhë mediat raportuan nga vendi i ngjarjes, u fokusuan veçanërisht në qendrat e trajtimit shëndetësor ku kuroheshin të lënduarit dhe në situatën që mbisundonte në qytetin prej ku ishin viktimat, Gostivar. Kryesisht, mediat në Maqedoninë e Veriut janë të përmbajtura nga senzacionalizmi në raste të këtilla të fatkeqësive me përmasa më të mëdha por edhe të atyre në rrethe më të ngushta familjare. Siç edhe mund të pritej, kishte disa media që shkelën parimet e informimit duke shfrytëzuar momentet e tronditjes dhe ndjeshmërisë kolektive, me klikime.
Situatat e tmerrit dhe gazetarët
Gazetari, edhe në raste të tragjedive duhet ta ruajë sa më shumë që është e mundur nivelin e informimit, edhe pse, si qenie njerëzore, padyshim që preket nga ajo që sheh. Në vendngjarje, ai përballet edhe me situata të pakëndshme që kanë të bëjnë me gjendjen emocionale të personave të prekur. Gazetari duhet të tregohet i kuptueshëm edhe nëse lomunikimi me ta mund të jetë i vështirë. Ata mund të kenë pësuar traumë, dëme materiale, ose edhe humbje të të afërmve.
Gjatë raportimeve të para, shpesh nuk ka informacione zyrtare për numrin e personave të lënduar apo numrin e saktë të viktimave. Nuk ka informacione as mbi shkaqet e fatkeqësisë. Gjithë çfarë mund të bëjë gazetari për publikun që e ndjek është të përshkruajë situatën, terrenin, të tregojë detajet që sheh, zhurmat madje edhe erën që ndjen dhe të tregojë çfarë po bëhet për t’ju ardhur në ndihmë të dëmtuarve, veçanërisht nga institucionet.
Në këto situata gazetari ndjek me vëmendje dy aspekte; në njërën anë është aspekti human, viktimat dhe të lënduarit, publikut i intereson gjendja e tyre; dhe në anën tjetër janë institucionet, sa e bëjnë ato punën për të cilën janë të obliguar.
Nëse gazetari ka informacione, është e rëndësishme që të përshkruajë skenarin e mundshëm se si mund të ketë ndodhur e gjitha. Por, edhe në këto raste nuk duhet të anashkalohen rregullat etike dhe profesionale të punës, nuk duhet të bëhen akuza dhe të emërohen fajtorë, përderisa nuk ka dëshmi të forta për atë. Banorët e zonës dhe kalimtarët e rastit janë burim i parë, i rëndësishëm dhe i domosdoshëm informacioni mbi mënyrën se si ka ndodhur rasti. Megjithatë, gjithmonë, duhet pasur parasysh gjendjen e rëndë psikologjike, në të cilën mund të ndodhen të prekurit gjatë bashkëbisedimit. Madje, banori, kalimtari i rastit ose dikush tjetër që intervistohet prej gazetarit mund të jetë lënduar ose mund të ketë humbur ndonjë person të afërt. Gazetari duhet të tregohet i kujdesshëm, i ndjeshëm dhe të ketë mirëkuptim. Kodi etik i gazetarëve parashikon respektimin e, para së gjithash, aspektit human në këto situata.
“Kur raportojnë për ngjarje që kanë shkaktuar tragjedi personale, dhimbje dhe shok – gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanet duhet të tregojnë dhimbshuri, diskrecion dhe maturi.”
Tundimi për senzacionalizëm
Euforia publike, pas ngjarjeve të këtilla, është e madhe dhe nevoja për informacione për shkak të “mishërimit” me viktimat dhe të afërmit e tyre më mirë mbase mund të sqarohet nga dikush i fushës së psikologjisë. Sipërfaqësisht, ata vlerësojnë se trauma, pas këtyre ngjarjeve, mund të prekë më shpejtë publikun kur ajo ka ndodhur përderisa njerëzit e zakonshëm ishinë duke bërë gjera të zakonshme (siç është udhëtimi me autobusë).
Mediat dinë ta kapin këtë moment, disa për shkak të interesit publik dhe disa për shkak të interesimit të publikut. Interesi publik fillon dhe mbaron me gjendjen e të lënduarve, angazhimin e institucioneve dhe llogaridhënien e fajtorëve (në rast se ka). Interesimi i publikut, nga ana tjetër, “detyron” mediat të dalin edhe jashtë kësaj, duke ofruar përmbajtje të tjera aspak të përshtatshme, që nuk janë në interes të askujtë, që shkelin mbi privatësinë dhe që luajnë me emocionet e masës.
Kodi etik i gazetarëve:
“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.”
Shumë media, kryesisht ata online, shfrytëzuan edhe këtë mundësi tragjike për klikime dhe për qëllime të tjera. Më poshtë është përmbledhja e vetëm disa prej përmbajtjeve senzacionale, kontradiktore dhe, lirisht mund të thuhet, joprofesionale.
- Fëmijët, në storje
Ndjeshmëria ndaj asaj që shikon publiku është më e lartë kur në storje përfshihen fëmijë. Emocionet e tyre kuptohen si më të sinqerta, më të brishta. Disa media vizituan familjarët e viktimave dhe nxitën emocionet e tyre para kamerës me qëllim të senzacionit dhe arritjes së sa më shumë shikuesve ose lexuesve. Përveç fëmijëve, në disa raste u intervistuan prindër dhe të afërm të cilët shfaqnin vetëm pikëllim dhe lot.
E dhimbshme, flet vajza e Rametulla Abdurraimit: Do të më mungojë shumë babai! (VIDEO)
- Privatësia
Emrat e viktimave në media u publikuan më herët se sa të konfirmoheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme. E saktë që ministria vonoi në konfirmimin e viktimave dhe mediat patën shumë kohë për t’i vërtetuan ato në forma të ndryshme para se t’i publikonin por në parim duhet të pritet konfirmimi zyrtarë nga institucionet përkatëse. Me të mësuar emrat, disa media ngarendën për në llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe (pa respekt) nxorrën prej atje edhe aspektet më private. Dikush shkroi diçka në lidhje me besimin fetar të njërit prej viktimave e dikush tjetër transmetoi fjalët e personave të caktuar nga shoqëria e afërt e njërit prej viktimave, duke keqpërdorur edhe llogaritë private në rrjetet sociale të personave të caktuar në këtë rreth vicioz.
Një pjesë e madhe e mediave publikuan fotografitë e të gjithë viktimave duke i siguruar pikërisht nga rrjetet sociale.
Rametulla Abdurrahimi namazin e fundit e fali në zyrën e punës FOTO
Identifikohet edhe një viktimë nga aksidenti i djeshëm (FOTO)
Ky është Rametulla Abdurraimi që humbi jetën nga aksidenti: Asnjëherë nuk e harroi namazin!
- Fatkeqësia, grep për qëllime të tjera
Në të gjithë këtë zhurmë informimi, kryesisht joprofesional (përmbajtjet që u theksuan më lartë), dikush preku kulmin e joprofesionalizmit. Lidhja më poshtë sjellë tekstin e publikuar, me të cilin, duke u shfrytëzuar në mënyrë më mizore emri i njërës prej viktimave të aksidentit dhe dhimbja e të afërmive, është “sulmuar” drejtuesi i një institucioni për rrethana të tjera. Nëse na duhet t’i bëjmë një recension tjetër këtij teksti, duke lënë anash aspektin seanzacional dhe shfrytëzimin e momentit emocional të publikut, lehtësisht konstatojmë se ai nuk i përmbush as standarded minimale të informimit profesional dhe etik, pikërisht për shkak të akuzave të rënda për të cilat nuk jepen fakte dhe duke bërë një lidhje mes dy zhvillimeve që, në fakt, është absurde. Shfrytëzimi i momentit për sulme të cilat kanë qëllime të tjera, është e papranueshme në aspektin profesional dhe etik.
- Në interes të kujt?
Përpara se gazetari të publikojë fotografinë e një fëmije që qan për prindin e humbur, fjalët në llogarinë private të një miku për mikun e tij të ndjerë, fotografitë e viktimave nga momentet më private që kanë kaluar, gazetari duhet të pyetet; në interes të kujt është ky informacion?
Kodi etik i gazetarëve:
“Raportet duhet të mbajnë llogari për familjen e viktimës, të mos ia shtojë dhimbjen, por edhe të mos ndihmojë për “anatemimin” e tyre.”
Nëse përgjigja nuk shkon përtej vlerësimit se publiku “dëshiron” të shohë lot dhe dhimbje, gazetari nuk duhet ta publikojë atë. Nëse nuk është në pyetje vënia në veprim e institucioneve, kërkimi i përgjegjësisë nga dikush dhe gjëra të ngjashme që do të kontribuonin zgjidhjes së dilemave të caktuara, gazetari nuk duhet ta publikojë atë. Nëse ajo që planifikon ta publikojë nuk do t’i pëlqente po të ishte ai vetë në anën e palës së prekur gjatë këtyre tragjedive, gazetari nuk duhet ta publikojë atë.