Në kuadër të projektit “Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike – CriThink” prej 2 deri më 4 nëntor në Shkup u mbajt trajnim me grantistët e ciklit të parë, të cilin e realizuan Fondacioni Metamorfozis dhe Eurothink – Qendra për strategji evropiane. Përfaqësuesit e organizatave qytetare kishin mundësi të njoftohen me bazat e propagandës dhe mënyrat e shtrembërimit të fakteve dhe të gjendjeve të vërteta. Përveç kësaj, pjesëmarrësit gjatë takimit në Agjencinë për shërbime audio dhe audio-vizuale (АSHAAM) u njoftuan me kompetencat e Agjencisë, të drejtat, kompetencat dhe obligimet e tyre. Në temën e njohurive elementare mediatike, përfaqësuesit e Agjencisë e prezantuan Rrjetin për njohuri elementare mediatike, anëtarësinë në Rrjet, aktivitetet, iniciativat dhe produktet e tij. Nëpërmjet përfaqësueses nga Byroja për zhvillimin e arsimit atyre iu prezantuan programet në arsim që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike, si dhe projektet në nivel kombëtar dhe lokal që kanë të bëjnë me këtë fushë, mirëpo u potencuan edhe risitë në planet dhe projektet mësimore që kanë pika të përbashkëta me njohuritë elementare mediatike dhe me arsimin qytetar në përgjithësi.
Në trajnimin për organizatat qytetare gjatë tre ditëve u punua në tema specifike që janë pjesë e projektit si: gjuha e urrejtjes dhe ideologjitë ekstremiste; njohuritë elementare mediatike (historia, format dhe metodat e punës me grupet e synuara të qytetarëve) teori dhe ushtrime praktike; menaxhimi dhe udhëheqja me ciklet e projekteve – teori dhe ushtrime praktike, si dhe monitorimi dhe evaluimi i projekteve.