[Recension: SKENA HOROR: A do ta linit fëmijën të shkonte në shkollë me tualete të këtilla?! (FOTO)]
Artikulli që e recensojmë mbështetet vetëm në statusin e KK të VMRO-DPMNE-së në Jegunovcë në Facebook dhe me këtë rast e dezinformon publikun se tualetet në shkollën fillore “Aleksandar Zdravkovski” janë shkatërruar. Kjo bëhet që në titull, i cili është senzacionalist dhe çon në përfundimin e gabuar, se gjendja e tualeteve në shkollën në Jegunovcë është e keqe, pasi që institucioni arsimor nuk kujdeset për to.
Informacionet që shpërndahen në Facebook duhet të shërbejnë vetëm si bazë fillestare mbi të cilën mund të ndërtohet storja më vonë, duke i kontaktuar të gjitha palët e përfshira dhe duke marrë deklarata, si dhe duke i verifikuar faktet. Në këtë rast është veçanërisht e lehtë të verifikohet se për çfarë bëhet fjalë, kur shpërndahet informacioni për gjoja tualete të shkatërruara në shkollën fillore “Aleksandar Zdravkovski” në Jegunovcë. Është e nevojshme vetëm që gazetari të telefonojë në shkollë, t’ua dërgojë fotografinë atyre dhe ta pyesë udhëheqësinë e shkollës, gjegjësisht drejtorin, se a janë me të vërtetë tualetet në gjendje të keqe siç është paraqitur në fotografi dhe pse. Nëse do ta bënte këtë, gazetari do ta kuptonte se fotografitë e tualetit janë nga procesi i rinovimit, dhe se ato tani janë në gjendje të shkëlqyeshme. Por, për fat të keq, nuk është bërë një verifikim i tillë.
Linku deri te artikulli origjinal: SKENA HOROR: A do ta linit fëmijën të shkonte në shkollë me tualete të këtilla?! (FOTO)
Data dhe koha e publikimit: 21 janar 2020, 20:42
Data e recensionit: 11 shkurt 2020
Recenzues: Mirosllava Burns
Në fillim të tekstit thuhet se “në rrjetet sociale, shpërndahen fotografi nga kushtet e tmerrshme, gjegjësisht, rrënojat e tualeteve në shkollën fillore “Aleksandar Zdravkovski” në Jegunovcë.” Dhe më pas transmetohet i gjithë postimi në Facebook, ku thuhet:
Çfarë tjetër duhet të ndodhë që më në fund qeveria të kujdeset për kategorinë më të rëndësishme në këtë vend – nxënësit?! Në sezonin e parqitjes së viruseve dhe infeksioneve, mësimdhënësit dhe nxënësit e SHFK “Aleksandar Zdravkovski” në Jegunovcë nuk kanë ku t’i kryejnë nevojat fiziologjike dhe t’i lajnë duart, sepse nuk ka tualete dhe ujë…
mësimdhënësit dhe punonjësit janë lënë në mëshirë të pushtetit dhe në vend që të përqendroheshin në mësimdhënie dhe të garojn për njohuri, ata janë të dënuar të jenë të kujdeshëm në çdo moment që të mos u ngjitet ndonjë bakter ose, Zoti na ruajt, ndonjë sëmundje më serioze …
Por, kjo është vetëm njëra anë e storjes së tualeteve. Siç informuan nga shkolla “Aleksandar Zdravkovski” në Jegunovcë, fotot e publikuara janë nga rinovimi i tualeteve, që ka filluar gjatë pushimit të dimrit, kur fëmijët nuk kanë ndjekur mësim, dhe tashmë ka përfunduar. Ata e postuan këtë status me të cilin i demantojnë postimet e lartpërmendura në Facebook dhe përhapjen e rrufeshme të lajmit për tualetet, të cilat nuk ishin shkatërruar, por ishin fotografuar në kohën e rinovimit, kur të gjitha pllakat dhe instalimi duhej të hiqeshin përpara se të zëvendësoheshin me të reja.
“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”, thotë një thënie popullore. Një gënjeshtër e tillë për shkollën tonë u përhap si rrufeja në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për fotot e publikuara nga fillimi i rinovimit të tualeteve të vjetruara, që filloi gjatë pushimit të dimrit. Falë Ministrisë së Arsimit, kryetarit të komunës Darko Blazheski dhe natyrisht drejtoreshës sonë, Daniela Zhivkoska, fituam tualete që i plotësojnë të gjitha standardet, pasi ne si shkollë kujdesemi për shëndetin dhe sigurinë e nxënësve dhe punonjësve tanë. E vërteta del gjithmonë në shesh!
Shkolla demantin e mbështeti edhe me fotografi të tualeteve të reja të shkëlqyeshme.