Vendngjarja është pikënisja e storjes, e jo desku në redaksi

Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Zhvillimi i mediave, përdorimi masiv i rrjeteve sociale dhe zgjerimi i alternativave të shpërndarjes së informacionit e ka bërë “më të lehtë” gazetarinë. Së paku, ashtu duket në shikim të parë. Dikur, gazetarit i është dashur patjetër të shkojë në vendngjarje për të mbledhur vetë çdo grimcë informacioni. Një pjesë të këtyre grimcave, sot gazetari mund t’i marrë të përcjellura nga dikush tjetër, në e-mail, në celular, rrjete sociale dhe në shumë forma të tjera të komunikimit interaktiv me publikun.

Publiku vetë mund të gjenerojë informacione duke njoftuar median për ankesa të ndryshme, duke i dëshmuar me pamje (fotografi, video) ose fakte të tjera. Kjo nuk nënkupton se vizita në vendngjarje është e panevojshme dhe se lajmet duhet të bëhen thjeshtë nga desku.  Kjo, në fakt, është një praktikë shumë e përhapur së fundmi, e cila rrezikon seriozisht objektivitetin e informacionit, si dhe pasqyrimin e drejtë të ngjarjes. Në këtë rast, asgjë nuk e dallon gazetarin nga publiku i zakonshëm, përveç asaj që gazetarët marrin guximin të intepretojnë diçka, në të cilën nuk kanë qenë vetë dëshmitarë. Ata që janë të njohur me këtë profesion, e dinë që terreni “ka fuqinë” të ndryshojë komplet qasjen e trajtimit të ngjarjes. Kur e sheh dhe prek problemin, gazetari ka shumë më tepër gjasa të dijë ku qëndron përgjegjësia dhe kush duhet të japë llogari për atë.

Adresimi i duhur i pyetjeve nuk është siguri se media do të marrë përgjigje, por të paktën duhet të tentohet. Edhe heshtja e institucionit apo subjektit përgjegjës mund të përdoret si e dhënë që vetvetiu tregon diçka. Heshtja në gazetari zakonisht nënkupron shmangie nga përgjegjësia. Por, ajo merret në konsideratë atëherë kur gazetari ka shfrytëzuar të gjitha mënyrat për të arritur tek një përgjigje nga kompetentët. Atëherë, dilema e gazetarit prezantohet publikisht.

Ka raste (së fundmi janë shumë të zakonshme) kur mediat zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë të ngritjes së pyetjeve publikisht pa i adresuar së pari atje ku duhet, gjë që përdoret vend e pa vend. Kjo qasje më shumë ngjall huti se sa që sqaron vërtetë gjërat për opinionin. Në vend të kësaj, gazetari duhet të tentojë çdo rrugë të mundshme që këto pyetje t’i adresojë te personat, funksionarët dhe subjektet e duhura.

Shembuj:

Shembujt që janë shfrytëzuar janë artikuj që mund të kenë edhe mangësi të tjera nga aspekti profesional. Megjithatë, në këtë shqyrtim na intereson vetëm aspekti i nevojës së vëzhgimit të ngjarjes nga afër dhe parashtrimi i pyetjeve në mënyrën e duhur.

“A do të jetë afera “Telekom” rasti i shtatë i PSP-së që fillon me “T”? është artikulli në të cilin shkruan: “Emërimi i të gjitha rasteve të deritanishme të PSP-së me shkronjën “T” është shkas që në opinion ka filluar të parashtrohet pyetja mos ndoshta afera “Telekom” do të jetë rasti i shtatë (ose edhe rasti i tetë) të cilin do ta hapë Prokuroria Speciale.” Ku është mendimi i opinionit? Pse pyetja nuk është adresuar direkt te Prokuroria Speciale dhe të pritet përgjigje? Gazetari nuk u jep sqarime këtyre pyetjeve. Vetëm pyet dhe hap dilema publikisht.

“Pas lajmit të publikuar në portalin Shqipmedia se kolexhi privat “Ëilson” në Tetovë shkon drejt mbylljes në adresë të portalit Shqipmedia kanë arritur mjaft emaile dhe mesazhe nga nxënësit dhe prindërite nxënësve të kësaj shkolle.” Kështu fillon teksti me titull Pyetje publike adresuar kolexhit “Wilson” në Tetovë ku edhe sqarohet se pse është vendosur të bëhet pyetje publike. “Gjithë nxënësit kanë përkrahur lajmin ndërsa prindërit kanë kërkuar që përmes portalit Shqipmedia të parashtrohen disa pyetje publike menaxheres së kësaj shkolle Elita Masha dhe të njëjtat ti marin po të njëjtën mënyrë…”

Lexuesit e zakonshëm, me gjasë, nuk i njohin në hollësi parimet e profesionit të gazetarit, por gazetari vetë duhet t’i dijë dhe t’i respektojë. Akuzat / pretendimet e këtilla janë akuza të para dhe nuk duhet të bëhen publike pa kaluar disa filtra konfirmimi. Autori duhet të ishte aktivizuar në terren, të takonte autoritetet e intitucionit në fjalë, të takonte aktorë të tjerë të përfshirë, e nëse me këtë nuk do të kishte sukses, atëherë mund të vinin në shprehje pyetjet publike.

Në artikullin “A është Nevzat Bejta i involvuar në rrënimin e ndërtesave të shqiptarëve në Gostivar?!” është shpalosur një shqetësim, për të cilin gazetari nuk e ka pyetur paraprakisht Bejtën. Jepen të dhëna të tjera, palët tjera, kurse për Bejtën ngrihet vetëm pyetje publike.

Në tekstin me titull “Panika e bën BDI – në qesharake, shpëtimin nga opozita e kërkon tek Imer Selmani?!”, sipas autorit, BDI-ja “tash së fundmi përpiqet të ringjallë një “kufomë politike”, njeri që i shijoi të gjitha privilegjet e pushtetit dhe u ndëshkua me votë nga populli kur u kuptuan lidhjet e tij të afërta me partitë pushtetare, shqiptare e maqedonase. Është fjala për Imer Selmanin, i cili përmes mediave të pushtetit është duke bërë përpjekjet për një “rikthim” politik.” Përveç komenteve dhe hapjes publike të dilemës, autori nuk ka bërë asnjë punë praktike profesionale për të hulumtuar këtë. Edhe teksti tjetër “Komandant Hoxha a po synon të bëhet deputet i LR PDSH?!” është po i kësaj natyre, me po të njëjtat mangësi.

Në radhë është shembulli më i qartë se si nuk duhet të adresohen pyetjet në gazetari.

“Katër pyetjet e Zhurnalit që e “vunë në siklet” Ministrin e Drejtësisë, Valdet Xhaferin!?” Titulli te jep përshtypjen që gazetari ka bërë profesionalisht punën e tij, duke e takuar ministrin Xhaferri dhe duke i bërë drejtëpërdrejtë pyetje për detyrimet e tij të papërmbushura. Përshtypja që jepet është se gazetari ka qenë aq këmbëngulës, sa ministri dukshëm është ndjerë në siklet dhe nuk ka gjetur dot një përgjigje. Komplet e kundërta e kësaj jepet në tekst. Gazetari ka dërguar ca pyetje në e-mailin e Ministrisë së Drejtësisë (sikur kjo të ishte alternative e fundit për të arritur deri te një përgjigje) dhe pretendon se me këtë ka vënë në siklet ministrin. Këso lloj pyetjesh me e-mail zakonsisht shmangen që nga shërbimet / administratorët e institucioneve dhe gjasat janë shumë të mëdha që të mos kenë arritur aspak deri te ministri. Zgjidhja më e mirë për të marrë një përgjigje: të shkohet në terren në një ngjarje ku është prezent dhe ministri dhe t’i parashtrohen direkt pyetjet. Atëherë mund të tregosh nëse është vënë ose jo në siklet.

Verifikimi 

Është e vërtetë që në konferenca ose tryeza të rrumbullakëta zakonisht diskutohet për probleme reale. Nëse këto probleme janë evidente në shoqëri, ndjehen dhe prekin banorët, puna e gazetarit nuk duhet të mbarojë vetëm me pasqyrimin e asaj që është diskutuar në një konferencë. Ai duhet të dalë në terren për t’i parë, për t’i prekur problemet reale dhe për t’i dhënë një pasqyrë sa më të qartë edhe publikut se për çfarë bëhet fjalë.

“Prezantimi për modernizimin e Termocentralit të Osllomesë parasheh masat e uljes së ndotjes, mënyrën e transportit të qymyrit nga vendet e treta dhe cilësinë e tij, i cili do të ulë edhe përmasat e misioneve të gazrave.” – thuhet në tekstin “Kërçovë, studim për modernizimin e termocentralit të Osllomesë”. Lexuesi nuk arrin ta kuptojë pse është i nevojshëm ky “modernizim”, sepse nuk jepet asnjë shqetësim real i të punësuarve ose i banorëve të zonës. Asnjë të dhënë mbi gjendjen aktuale të këtij termocentrali. Vizita e hapësirave të tërmocentralit dhe vendbanimeve rreth tij – është “zgjidhja e problemit” për gazetarin.

Për hir të senzacionit ose mos-angazhimit për të inpektuar terrenin, ka ndodhur që gazetari  të riaktualizojë edhe lajmet e djeshme, duke i prezantuar sikur të ndodhin në momentin që ai shkruan tekstin. Ja një shembull “Protestuesit ende mbajnë të bllokuar rrugën: Ali Ahmeti s’ka çka kërkon në Kumanovë”. Kjo është ngjarje e një dite më parë, por autori nuk ka marrë mundin të shkojë në terren për të parë se çfarë ndodh.

Edhe një rast tjetër, me tekstin “Skandal: Kirurgu maqedonas ia hedhë për fytyre dokumentet nënës shqiptare”, ku thuhet Një skandal po trondit Spitalin shtetërorë në Shkup. Një ortoped maqedonas në mënyrë demonstrative ia ka hedhur para syve të gjithë dokumentet nënës shqiptare nga Prilepi, e cila kishte ardhur në Spital për të kontrolluar vajzën e saj 16 vjeçare E.I e cila lëngon nga një sëmundje e rëndë e boshtit korrizorë (skolioza). Ortopedi maqedonas është me iniciale M.P…”. Të jepet përshtypja se inicialet janë dhënë për të pasqyruar besueshmëri të lajmit (me që mungojnë edhe fotografitë dhe të dhëna të tjera), por, nëse autori është i njoftuar kaq detajisht me ngjarjen, është e paqartë se çfarë e ka penguar atë të takojë këtë mjek për të kërkuar llogari dhe të takojë autoritetet e spitalit për të pyetur nëse janë të njoftuar me rastin. “Ndryshe, në ministrinë e shëndetësisë sekretarë shtetëror është Nasuf Ipçe.”, thuhet në tekst. Autori ka drejtuar publikisht gishtin, por nuk ka kërkuar përgjegjësi. Çfarë e ka penguar për të ushtruar profesionalisht detyrën e tij, nuk thuhet. Gazetari e ka për obligim të kërkojë përgjegjësi nga institucionet nëse ka ndodhur një “skandal” ose padrejtësi.

Për fund, të kujtojmë Kodin Etik që përcakton se cilat duhet të jenë disa nga veprimet e gazetarit në këtë aspekt.

  • Zgjedhja e fakteve patjetër të sigurojë informacion objektiv, duke pasur parasysh të gjitha aspektet e rëndësishme të temës që trajtohet.

  • Nevoja për shpejtësi asnjëherë nuk guxon të rrezikojë saktësinë, kredibilitetin dhe profesionalizimin e kontributit.

  • Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u japë mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vjen në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).