Raporti Kosovë – Serbi, mediat e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të keqinformojnë dhe ndezin situatën

Tituj mediash për ngjarjet në Veri të Kosovës më 28 maj 2019

Ndërhyrja e policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës i përfshiu në propagandën serbe kundër Kosovës edhe mediat e Maqedonisë së Veriut, të cilat duke i pasur për burim të informacionit vetëm mediat serbe, ndërhyrjes së Njësitit Special të Kosovës më 28 maj 2019 ia mveshën petkun e nacionalizmit apo ndërhyrjes së shqiptarëve ndaj serbëve. Në të vërtetë ajo çfarë ndodhi në Veri të Kosovës nuk ishte ndaj policëve serb dhe banorëve të vendit, se as sulm i shqiptarëve ndaj serbëve, por aksion për ta luftuar krimin dhe kontrabandën.
Se mediat bënë propagandë u kuptua shumë lehtë nga interesimi i madh për ta mbuluar ngjarjen dhe nga përcjellja e deklaratave të vetëm politikanëve serbë, duke anashkaluar deklaratat e institucioneve të Kosovës.

Nga: Fatbardha Curri

Tituj sensacional të shoqëruar me fotografi dhe video manipuluese

“FOTO: Rrahën banorët e vendit, thyen, arrestuan, epilogu i kaosit të specialëve kosovarë”, shkruan Kurir.mk.
“Tensione në Kosovë: Arrestohen serbë të cilët janë pjesëtarë të policisë kosovare (VIDEO)”, shkrua Kurir.mk.
“Specialët e Kosovës arrestuan 13 serb, pjesëtarë të policisë kosovare”, shkruan Skopje1.mk.
“VIDEO: Mbushen spitalet me të lënduar, vetura e sigurojnë terrenin, tensioni në Kosovë rritet”, shkruan Kurir.mk.

Këto janë vetëm disa nga titujt që përshkuan pothuajse pjesën dërmuese të mediave në Maqedoni të Veriut ditën e 28-majit. Një interes kaq i madh i mediave për ta mbuluar një ngjarje në Veri të Kosovës sigurisht se ishte në shtytje e madhe për ta parë në hollësi për ditë me radhë të njëjtën. Megjithatë, doli ajo çfarë edhe u mendua, loja në karta të nacionalizmit, për qëllime klikimesh apo nxitjes të konflikteve ndëretnike, tash në suaza ballkanike, kishte qenë edhe vetë qëllimi i raportimit.

Kjo është në kundërshtim me parimin e tetë të Kodit Etik të Gazetarëve.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajësisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi”, thuhet në parimin e tetë.

Fakte të paverifikuara, burime të njëanshme, komente dhe gjuhë e urrejtjes që thirr në dhunë

Përdorimi i përsëritur i fjalëve tension, arrestim, serb, kosovarë, kaos, thyerje dhe rrahje në titujt e lajmeve ishte përdorur fillimisht për ta tërhequr syrin e lexuesve, që më pas nëpërmjet artikullit të arrihet deri te raportimi i njëanshëm. Nëse lexohen artikujt, do të shihet se si burim i informacionit kanë qenë politikanët serb, Marko Gjuriq dhe Aleksandër Vuçiq, të cilët duke mos pasur një pasqyrë të qartë se çfarë ndodhi atë ditë në Veri të Kosovës, dhe duke u nxitur nga politikat ditore të tyre, me theks të veçantë në Dialogun Kosovë – Serbi dhe taksën që Kosova ia vendosi mallrave serbe. Tërë situatën e komentuan me qasje të njëanshme, me të dhëna të pasakta dhe me gjuhë të urrejtjes. Kjo ka bërë që në artikujt gazetaresk të përdoret koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet”, pasi që u përcollën deklaratat e Vuçiqit si burim informacioni, e ndërkaq duke anashkaluar prononcimet e institucioneve të Kosovës, bënë që mediat të kenë “Dëshmi selektive”.

Asnjëra nga mediat, qoftë edhe në mënyrë indirekte apo edhe mes rreshtash nuk tregoi se cili ishte qëllimi i intervenimit të Policisë së Kosovës në Serbi, sigurisht se nëse kjo do të tregohej nuk do të lejohej që të bëhet manipulim, aq sa situata të paraqitet si sulm i shqiptarëve ndaj serbëve.

“Presidenti Vuçiqi iu drejtua deputetëve: Deri tash janë arrestuar 23 persona, kemi dëshmi se shqiptarët gjuajtën ndaj serbëve”, thuhet në titullin e Press24.mk.

Kjo është në kundërshtim me parimin e parë dhe dytë të Kodit Etik të Gazetarëve:

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.

Se është bërë thirrje për dhunë, tregoi edhe vetë titulli që u bazua në deklaratën e Vuçiqit: “Serbët janë të frikësuar, por ushtria është e gatshme ta mbrojë popullin”, shkruan Kurir.mk.

Kjo është në kundërshtim me parimin e dhjetë dhe njëmbëdhjetë të Kodit Etik të Gazetarëve:

10. Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…).
11. Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.

Konceptet e manipulimit: Thirrje në probabilitet

Një orkestrim titujsh, me artikuj që nuk tregojnë asnjë reagim nga pala kosovare, por të gjitha të palës serbe, bëri që edhe territori të konsiderohet si “Kosovë dhe Metohi.”

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka arritur në Kuvend ku i ka njoftuar deputetë dhe qytetarët e Serbisë për ngjarjet më të reja në Kosovë dhe Metohi”, shkruan Toçka.mk.

Situata u bë alarmante, se në fjalimin e Vuçiqit i cili zgjati për më shumë se 2 orë, i njëjti tha se kanë qenë të paralajmëruar se do të ketë sulm ndaj serbëve, nën arsyetimin e luftës kundër krimit. Kjo nënkupton se duke përcjellë deklaratat e Vuçiqit, media ka përdorur konceptin e manipulimit “Thirrje në probabilitet”, që ka për qëllim të tregojë se, nëse ka ndodh ndërhyrja e Njësitit Special të Kosovës në Serbi, të mendohet se i njëjti është sulm i shqiptarëve ndaj serbëve.

Si mediat kosovare, institucionet e Kosovës, por edhe zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë deklaruan se arsyeja e intervenimit të Policisë së Kosovës në Veri kishte për qëllim luftimin e krimit dhe se për operacionin sipas KFOR-it kanë qenë të informuar të gjitha forcat e rendit në Veri.

Kjo na jep të drejtën që të themi se raportimi i mediave për ngjarjet në Kosovë, ishte edhe një dëshmi se mediat në Maqedoni të Veriut janë larg raportimit profesional dhe në vend të informojnë saktë dhe në mënyrë të paanshme, ato janë duke keqinformuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut për ngjarjet në rajon.