(Dez)informata e ricikluar nuk është lajm

Ky tekst është një lajm i vjetër, i ricikluar, i ribotuar pa asnjë domethënie, arsye, logjikë, por edhe vërtetësi.
Artikulli i rikthehet vdekjes së pretenduar të një njeriu, përkatësia etnike e të cilit është theksuar në mënyrë eksplicite disa herë. Bëhet fjalë për Alem Kurtin, i cili ndoshta ekziston, e ndoshta edhe jo, për të cilin thuhet se është njeriu i cili mbi një dekadë më parë (14 vjet), e ka thyer kryqin e një manastiri serb në Kosovë.

Ai në vitin 2015, sikurse edhe shumë njerëz të tjerë në planetin Tokë, gjoja ka vdekur nga kanceri, për të cilin gjë në tekst është dhënë asnjë dëshmi. Por, mediat serbe, krenohen me vdekjen e tij dhe e lidhën atë me thyerjen e kryqit, dhe kështu publikojnë tekste, edhe atë jo një herë, por shumë herë gjatë viteve, mesazhi kryesor i të cilave është “çdo gjë kthehet, çdo gjë paguhet”. Për arsye të panjohura, tekste të tilla merren edhe nga disa media maqedonase dhe ripublikohen pas disa muajsh.

Linku deri te artikulli origjinal: E arriti fati i tmerrshëm: Shqiptari që e theu kryqin e një manastiri serb, vdiq me dhimbje të forta

Data dhe koha e publikimit: 18.3.2019

Data e recensionit: 20.3.2019

Recenzues: Simona Atanasova

Artikulli konkludon se sëmundja dhe vdekja e Kurtit janë rezultat i “dënimit të Zotit“. Meqë kjo nuk mund të vërtetohet, mediat janë përpjekur që këtë besëtytni ta paraqesin si besim i “shqiptarëve të tjerë”. Askush nuk e di kush janë ata shqiptarë të tjerë. Nuk ka asnjë deklaratë apo dëshmi nga asnjë shqiptar se është i frikësuar ose se beson se vdekja e Kurtit është ndëshkim nga Zoti!

Teksti është shoqëruar edhe me përfundimin e supozuar të priftërinjve serbë se shqiptarët kanë frikë t’u afrohen faltoreve ortodokse për shkak të frikës nga mallkimi. Dhe përsëri, mungon burimi. Nuk ka të dhëna se kush janë ata priftërinj serbë dhe a kanë dhënë me të vërtetë deklarata të këtilla ose thjesht ky është një përfundim fiktiv me qëllim të caktuar.

Ky informacion është botuar disa herë në mediat maqedonase dhe ato serbe në vitet e fundit. Natyrisht, kur disa nga portalet kanë nevojë për klikime, i riciklojnë përmbajtjet e këtilla senzacionale, të cilat shkaktojnë edhe gjuhë të urrejtjes në postimet në mediat sociale.

Duke bërë një kërkim të thjeshtë në Google, mund të vërehet se ky lajm, një ditë para se të publikohet në portalet maqedonase, është publikuar në portalin serb “Kurir”. Lajmi është i njëjtë fjalë për fjalë. Gjithashtu, “Srbiadanas” e ka publikuar këtë artikull më 17 mars 2018, “Telegraf”-i serb e ka botuar më 2 mars 2016, ndërsa “Sitel”-i maqedonas, më 1 mars 2016.

Teksti është ksenofob, nacionalist, senzacionalist, i zbrazët dhe i panevojshëm. Nuk ka asnjë konfirmim, provë ose informacion të besueshëm, së pari se ky person ekziston, pastaj se me të vërtetë ka vdekur nga kanceri, dhe në fund çdo gjë tjetër që thuhet në tekst.

Shkurt thënë – artikulli i shkel pothuajse të gjitha rregullat e Kodit etik të gazetarëve.