Gazetari duhet të japë përgjigje në çdo pyetje që e shtron, dhe jo të krijojë konfuzitet

Zhurnal: Taravari shpreson në shumicë, këshilltarët e BDI-së duan të lëshojnë partinë?

Nëse shkruhet lajm për dilemat e ndokujt, informata duhet të mbushet me të dhëna që qartësojnë ato dhe jo e kundërta, lajmi të jetë konfuz, selektiv dhe pa dhënë përgjigje në asgjë. Gazetari në asnjë mënyrë nuk duhet të shtrojë pyetje dhe të mos u përgjigjet të njëjtave, siç ndodh në lajmin që do ta recensojmë më poshtë.

Taravari shpreson në shumicë, këshilltarët e BDI-së duan të lëshojnë partinë?
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “Taravari shpreson në shumicë, këshilltarët e BDI-së duan të lëshojnë partinë?

Data e publikimit: 11.07.2019

Data e recensionit: 14.07.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull sensacional

Në fillim titulli i lajmit pati edhe pikëpyetje, më pas u hoq e njëjta. Titulli si i tillë tregon një akt të kryer, prishje të një përbërjes partiake.

“Pas dorëheqjes së Vesel Memedit dhe daljes së partisë së tij nga shumica parlamentare në nivel qendror, ngrihet pyetja në cilin drejtim do të shkojë koalicioni në komunën e Gostivarit, RDK aty ka dy këshilltarë të cilët kanë përkrahur shumicën e BDI dhe LSDM por a ka ndonjë rigrupim të ri në duar të ASH-së?”, thuhet në lajmin që e recensojmë.

Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut me daljen e partisë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) nga Qeveria, ua dha lirinë mediave të publikojnë matematika nga më të ndryshmet, por të njëjtat, qëllimshëm ose jo, megjithëse përmendnin palë të caktuara, nga të njëjta nuk publikonin prononcime.

“Taravari shpreson në shumicë, këshilltarët e BDI-së duan të lëshojnë partinë?”, thuhet në titullin e lajmt që e recensojmë.

Këtu mund të shihet se edhe pse është përmendur RDK-ja dhe partia politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nga të njëjtat nuk ka informacion. Me këtë media edhe i ka “selektuar faktet”, gjë e cila shkakton mosbalancim të palëve të përmendura.

Koncepti i manipulimit “Thirrja në autoritet”

Media në asnjë formë nuk duhet që qëndrimet e caktuara ti shtrojë si të sakta dhe diçka që ka ndodhur, vetëm se ndonjë person ka shprehur se ka shenja se një gjë e tillë mund të ndodh. Në rastin tonë, vetëm pse ka thënë Taravari se “ka disa këshilltar që janë nën presion dhe duan të largohen nga partia”, nuk do të thotë se ajo është ashtu.

 “I pyetur për këtë sot Taravari ka thënë se është optimist dhe deri më tash nuk mund të thotë ndonjë gjë konkrete. ‘Secili dëshiron të ketë shumicë në këshill dhe është e rëndësishme, sigurisht që do mundohemi të formojmë shumicën e kur të ketë ndonjë gjë do informojmë opinionin, unë jam optimist, shoh se ka erosion në BDI, ka këshilltarë të cilët ndihen nën presion dhe duan të largohen nga partia’, ka thënë kështu Taravari”, përfundon lajmi që e recensojmë.

Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve:

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.

Për lexuesit: Mos u besoni lajmeve që janë veç hamendje dhe dilema

Në rastin tonë, gazetari është dashur të marrë qëndrim ose të bëjë përpjekje që të realizojë kontakt me këshilltarët e BDI-së, dhe të kuptojë nga ata se nëse duan të largohen nga partia dhe pse.
Dëshirat e individëve të caktuar, s’mund të jenë gjendje faktike e një situate apo dileme që e shtrojnë gazetarët apo edhe publiku dhe kjo të prezantohet si lajm.