Kur lajmet e politikës shkruhen në stilin e “shoubizit”, ato shndërrohen në grep të madh që përdoret nga mediat për të tërhequr vëmendjen e publikut. Në këtë mënyrë si është shkruar artikulli gazetaresk, qëllimi është diskreditimi. Meqë në tekstin që do ta recensojmë nuk ka person të përmendur, diskreditimi është bërë ndaj partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. Informata nuk ka interes publik por autori e shfaq si të tillë, me këtë edhe manipulon.
Linku deri te artikulli origjinal: “Fati i një funksionari të BDI-së: “Sa e ndreqi shtëpinë e re, i iku gruaja”?Data e publikimit: 06.07.2019
Data e recensionit: 14.07.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull sensacional, fotografi manipuluese, mungesë e burimesh …
Në këtë lajm mund të konsiderojmë se është bërë shkelje e pothuajse të gjitha parimeve të Kodit Etik të Gazetarëve.
Që në fillim media ka tentuar të krijojë sensacion në publik, për shkak se ka përmendur BDI-në – parti kjo në pushtet. Pas kësaj, ka paraqitur një situatë se gjoja një funksionar që sapo paska arritur të realizojë një qëllim, i paska dështuar tjetri, duke e përshkruar atë me fjalët “pasi u bë me shtëpi, i iku gruaja”. Kjo bëhet me qëllim që të krijojë te publiku bindjen se nëse i ka ndodh një gjë e mirë, do të ndodh një gjë e keqe.
Në fotografi ka përdorur kryesinë e partisë, sa për të menduar publiku se informacioni ka të bëjë me ndonjërin nga pjesëtarët në fotografi.
Pa interes publik
Nëse një divorc ndikon në buxhetin shtetëror apo lokal, në keqmenaxhimin e institucioneve, në procese gjyqësore, në politikë të jashtme apo brendshme, në ndonjë mënyrë, atëherë gazetarët do të duhet të shkruajnë për të. Përndryshe, nuk ka material të interesit publik siç janë disa nga sferat që i përmendim më lartë.
Mediumi në fjalë dhe manipulon me qëllim opinionin duke mos treguar se kush është ai funksionar që i paska ndodhur një gjë e tillë.
Madje ky medium paturpësisht thekson “për shkaqe të etikës gazetareske ne nuk do ta përmendim edhe pse ndoshta nuk e meriton ta kursejmë në këtë mënyrë”.
Nëse ky medium do ti kishte respektuar parimet etike, nuk do të bënin një informatë të tillë që bazohet në “komente në Facebook” pa asnjë lloj interesi publik.
Ndër parimet kryesore që janë shkelur, janë:
- Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
- Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.
- Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës.
- Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë.
- Gazetari do të respektojë ligjet e shtetit, mirëpo nuk do të publikojë ose fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik.
Për lexuesit: Mos humbni kohë me muhabete çajtoresh të maskuara si lajm
Çështjet e divorcit janë çështje personale dhe vetëm nëse ndonjë divorc ndikon në interesin publik në ndonjë mënyrë, atëherë mediat duhet të shkruajnë për të, përndryshe, informatat si kjo janë të dëmshme dhe manipuluese, duke shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale. Informatat e këtilla linin nga emocionet e autorëve, nga dëshira e tyre për diskreditim ndonjë parti ose person. Por informatat e bazuara në emocione nuk janë lajme. Këso shkrimesh janë vetëm muhabete çajtoresh të maskuara si lajm.
Fjalia “nuk e meriton ta kursejmë në këtë mënyrë” është kulmi i joprofesionalizmit dhe frustracioneve personale të autorit.