“Mos u bëj cak i mediave” studentët përcjellin porosi si të mbrohemi nga dezinformatat

Foto: KriThink

“Çdo ditë e më shumë është duke u shtuar numri i mediave te ne, ndërkaq çdo ditë e më shumë ulet numri i gazetarëve në kuptimin e plotë të fjalës, ky joseriozitet dhe mos-rregullim i mediave do të ndikojë që të përhapen edhe më shumë dezinformatat në shoqëri”, ishte ky mesazhi i studentit Filip Gjorshovski nga katedra e gazetarisë në fakultetin juridik “Justinjani i Parë”, gjatë fjalimit në tubimin studentor me moton “Mos u bëj cak i mediave”. 

Studentët e gazetarisë të fakultetit juridik “Justinjani i Parë”, sot mbajtën tubim me moton “Mos u bëj cak i mediave”, në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike – KriThink, me përkrahje të Fondacionit Metamorfozis dhe organizatës joqeveritare Eurothink, njofton Portalb.mk .

Profesoresha universitare Jasna Baçovska, thekson se ky tubim bëhet me qëllim që të ngritet vetëdija për njohuritë elementare mediatike te studentët. Sipas saj, kjo çështje duhet të trajtohet më seriozisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ajo thotë se për të marrë nxënësit njohuri elementare për mediat duhet të vendoset lëndë speciale e cila do të merrem me këtë sferë.

“Qëllimi i ngjarjes është që të kemi sa më shumë njerëz të informuar, të cilët e dinë çfarë domethënë të kesh njohuri bazë mediatike. Të mundemi ne si qytetarë të bëjmë presion ndaj institucioneve kompetente për zgjidhjen e problemit, për të cilin po bisedohet në vazhdimësi. por e shohim se nga ministria e Arsimit, Zyra për Arsim, deri më tani nuk kanë bërë asgjë konkrete për tu zgjidhur problemi, që kjo të vendoset nëpër programet mësimore si projekt”, tha Jasna Baçovska.

Filip Stojanovski nga Fondacioni “Metamorfozis” thotë se përmes këtij projekti qytetarët do të marrin njohuri elementare mediatike, si një nga kushtet bazë për zhvillim të një shoqërie demokratike.

“Me qëllim që të ndihmohen qytetarët nga bashkësi të ndryshme që i kemi këtu, nga moshat e ndryshme, dhe grupe shoqërore të jenë më afër me përmbajtje edukative që kanë të bëjnë me njohuri elementare mediatike dhe mendimin kritik si kusht për zhvillim të një shoqërie demokratike, pasi që qytetarët në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi të marrin njohuri të tilla në veçanti lidhur me atë që së fundmi është paraqitur lloj i ri i mediave”, tha Stojanovski.

Në këtë tubim u përcollën disa mesazhe si “Mos u bëj cak i mediave”, “Unë kam identitet”, “Mjaft me dezinformata”, “Mjaft me manipulime”, “Un nuk jam i rrjetëzuar”, “Studentët janë avangard”.

Në kuadër të këtij projekti do të mbahen katër punëtori gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të cilat në fokus do ti kenë studentët. Ky projekt pritet që të zgjerohet dhe në shkollat fillore me qëllim që të fitojnë njohuri lidhur me mediat.