Shpërndau lajm të rrejshëm dhe tentoi ta “shpërlajë” dëmin me demant gjysmak

Shpejtësia e madhe me të cilën po qarkullojnë informacionet, sidomos në internet, është një nga arsyet pse vërtetësia e lajmeve vihet në dyshim, gjë që në gazetarinë e mirëfilltë kultivohet dhe ruhet me shumë përpikëri. Me shtimin e numrit të madh të platformave të internetit që vrapojnë vetëm pas kuantitetit të lajmeve, ka rënë edhe besueshmëria dhe niveli i vërtetësisë së lajmeve. Informata që e recensojmë është shembull si nuk bëhen lajmet.

Foto screenshot nga lajmi që recensohet
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: DEMANT për anketën e publikuar të agjensionit Rejting

Data e publikimit: 13.07.2019

Data e recensionit: 14.07.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Mediat përcjellin lajme të rrejshme pastaj kërkojnë falje

Në tekstin që po recensojmë doli në pah një fakt apo problem shumë i shpeshtë i disa mediave në Maqedoninë e Veriut, qoftë ato media tradicionale apo media të reja të internetit. Shumica po bien pre e lajmeve të rrejshme, që i publikojnë me apo pa vetëdije.

Portali më herët e ka publikuar një tekst në të cilin i referohej një agjencie që gjoja ka bërë anketë për nivelin e simpatisë së partive politike në Maqedoninë e Veriut, e që e nxirrte partinë opozitare Aleanca për Shqiptarët në avantazh para BDI-së.

Informatën e ka publikuar duke mos vendosur link deri te hulumtimi origjinal, dhe pa asnjë dëshmi për vërtetësinë dhe ekzistencën e hulumtimit. Por pasi që e ka parë gabimin, më pas ka tentuar të zbut pasojat e lajmit të rrejshëm që e kishte publikuar.

Prandaj, e ka publikuar edhe demantin e lëshuar nga agjencia se ajo nuk ka bërë ndonjë hulumtim të tillë, edhe pse gjysmak, pa përkthim, duke e fshirë kështu lajmin e mëparshëm që ishte i rrejshëm, për anketën.

Portali e ka publikuar demantin origjinal në tërësi, në gjuhën maqedonase dhe ka vendosur edhe linkun e lajmit të rrejshëm që e kishte publikuar më parë, por nëse klikoni më nuk mund ta gjeni tekstin e rrejshëm pasi që është fshirë.

Mediat kanë përgjegjësi para qytetarëve, bëjnë “krim” kur informojnë rrejshëm

Mediat duhet ta kenë të qartë se ata mbajnë një përgjegjësi tejet të madhe ndaj lexuesve. Është e papranueshme që të informojnë gabimisht, apo ende më keq të lëshojnë lajme të rrejshme.  Nëse bëhen gabime të paqëllimshme duhet kërkuar falje.
Demanti nuk mund të arrijë deri te të gjithë lexuesit që e kanë lexuar lajmin e rrejshëm më parë, prandaj ky dëm është i pandreqshëm.

“Mate tre herë e godite një herë”, kjo duhet të shërbejë si leksion gjatë gjithë karrierës profesionale si gazetarë.

Për lexuesit: Kërkoni burimin e anketës në lajm, të lidhur me link që çon deri te anketa

Ju lexues gjithmonë mbani sytë hapur nëse lajmin që ua servojnë ka mjaftueshëm argumente, fakte dhe hiperlinqe (vegza) të cilat e mbështesin atë që e shkruani mediumi prej të cilit informoheni. Sidomos kur bëhet fjala për anketat. Gjithmonë duhet të përcillet burimi kryesor i anketës, me link adekuat, në mënyrë që ju të mund të bëni gjykimin vetë se çfarë rezultatesh ka nxjerrë anketa.