A e morën qendrat e fuqisë rolin e Komitetit Qendror?

U bë trend që gazetarët jo vetëm ta ritregojnë informatën e PR-it, por në emision, gazetë apo në portal t’i ftojnë edhe zëdhënësit që do ta plotësojnë fotografinë. Dhe kush fiton në këtë lojë? Kuptohet, politikanët.

Shkruan: Vllado Gjorçev

Nga të gjitha fushat e komunikimit, më vështirë është të definohen marrëdhëniet me publikun. Instituti për marrëdhënie publike (The Institute of Public Relations) ato i definon kështu:

“Marrëdhënie me publikun janë diciplinë që ka për qëllim ta ruajë dinjitetin, të vendosë mirëkuptim dhe të japë mbështetje për mendimin dhe sjelljen në publik. Marrëdhëniet me publikun janë aktivitete të planifikuara që japin rezultate, e posaçërisht veprojnë për të vendosur marrëdhënie të mira dhe mirëkuptim të ndërsjellë ndërmjet organizatës dhe publikut të saj.”

Marrëdhëniet me publikun, në esencë nënkuptojnë menaxhim me autoritetin dhe vendosje të komunikimit solid ndërmjet klientëve dhe konsumatorëve. Fuqia më e madhe e marrëdhënieve me publikun qëndron në arsimin e publikut, ndikimin e qëndrimeve dhe të sjelljes dhe vendosje të mirëkuptimit të ndërsjellë.

Marrëdhënie e mira me publikun janë element i padukshëm gjatë formimit të brendit dhe rrethit që e njeh atë. Marrëdhëniet me publikun janë me rëndësi kyçe gjatë brendimit, për shkak se nuk mund të mbështeteni vetëm te shpalljet për ta arritur imixhin e dëshiruar. Është me rëndësi që informata të vijë deri te publiku i dëshiruar.

Kështu disi kjo funksionon në botë. Dhe atje bëhet dallim ndërmjet asaj që është PR, dhe asaj që është tekst gazetaresk.

Mirëpo, a ndodh kjo edhe në Maqedoni? Apo si funksionon kjo te ne? Gjithsesi ne jemi liderë në risi, prandaj edhe lidhja ndërmjet PR-it dhe gazetarisë te ne funksionon “pak” më ndryshe. Te ne gazetarët, në fakt, veprojnë si shkrues të advertorialëve.

Jemi larg nga strategët e PR-it, e poashtu jemi larg edhe nga gazetarët. Domethënë, diçka hermafrodite, e cila së paku deri tani, nuk ka ndonjë emër në literaturën botërore, mirëpo megjithatë i ngja advertorialit vetëm se me ndryshime dhe me momente të brenduara nga Maqedonia.

Ç’ËSHTË ADVEROTIRALI

Si termë, fjala аdvertorial me vete tërheq disa pyetje në lidhje me etikën dhe profesionin e gazetarisë. Ai është një shkrim me pagesë në gazetë, kronikë në televizion apo radio (kohët e fundit edhe në portal), i cili është përgatitur dhe është shkruar në stil gazetaresk, ndërsa përmbajtja promovon ndonjë shërbim, produkt, ide apo diçka që duhet të shitet (ose të mbahet mend). Fjala advertorial rrjedh nga fjala angleze advertising (reklamim) dhe nga fjala gazetareske për redaktim –editorial. Sipas rregullave, artikujt e këtillë duhet patjetër (gjë që nuk ndodh te ne) të jenë të veçuara në mënyrë të qartë nga artikujt e tjerë dhe të theksohen si shpallje e paguar. Edhe me ligj është i ndaluar reklamimi i fshehur. Edhe pse kjo është e qartë, dhe një pjesë e medieve vepron në këtë mënyrë, brengos fakti që kohët e fundit kjo formë merr dimension të ri. Gjegjësisht, ajo bëhet formë e detyrueshme gazetareske. Gjithsesi jo në të gjithë mediet, mirëpo më shumë respektohet në mediet që pajtohen me politikën e qeverisë.

Edhe pse gazetaria na mëso se çdo tekst promovues duhet të shënohet qartë si shpallje, erdhi koha e plasimit të një sasie të madhe të informatave të paverifikuara, me të cilat ballafaqohen lexuesit, dëgjuesit ose shikuesit e gjorë. Ata, në fakt, duhet ta vlerësojnë vërtetësinë dhe ta zgjedhin informatën që është e vlefshme dhe e cila u nevojitet.

Agjencitë për PR ose vetë shërbimet për PR të institucioneve (para së gjithash ato shtetërore/qeveritare), për të cilat, gjithsesi kemi nevojë, marrin të drejtën që të përpiqen të përzihen në politikën redaktuese dhe të kërkojnë publikim të informatave të caktuara në mënyrën në të cilën ata mendojnë se duhet të bëhet apo në mënyrën në të cilën e kanë dërguar në redaksi. Thënë të vërtetën, kjo nuk është fare e vështirë kohët e fundit.

Madje edhe gazetarët u futën në kategorinë e burokratëve dembelë që mezi presin t’u arrijë ndonjë tekst i gatshëm dhe pa e verifikuar menjëherë ta vendosin në letër ose të bëjnë kronikë në televizion. Prandaj, e gjithsesi edhe për shumë arsye të tjera, gazetaria për çdo ditë bie gjithnjë e më poshtë, pa mundësi për këndellje të shpejtë.

ROLI I REDAKTORIT

Me siguri keni qenë dëshmitarë të situatës kur departamenti i PR-it të ndonjë firme ose të ndonjë partie politike përpiqet që ta fusë tregimin e tij në disa medie. Në mënyrë naive, do ta shkruajnë një tekst gazetaresk, mirëpo në të do të fusin edhe të dhëna për firmën ose për partinë politike ose qëndrime të tyre, dhe besojnë se lexuesti nuk do ta vërejnë këtë. Problemi, megjithatë, është në atë se rrallë kush ka arritur që, duke shkruar për veten, të mos e kalojë kufirin ndërmjet vetëreklamës dhe tekstit gazetaresk.

Se te ne është përzier roli i PR-it dhe i gazetarit shihet nga aeroplani. Mirëpo, parashtrohet pyetja se kush duhet apo kush mund ta pengojë këtë?

Gjithsesi se kjo më së shumti varet nga kryeredaktori, gjegjësisht nga pronari i medies, i cili gjithmonë ka mundësi ose fare të mos e publikojë informatën në qoftë se konsideron se ajo është e parëndësishme, ose ta japë komentin e tij.

Megjithatë, kjo ndodh shumë rrallë. Ka më tepër arsye:

  • Frika
  • Fuqia financiare
  • Kompensimi
  • Kërcënimi

Gazetaria e pavarur dhe si do të veprojë ajo në një vend, dallon në vende të ndryshme. Ka dallime të mëdha në atë se sa është e lirë gazetaria, mirëpo edhe sa është i gatshëm publiku të paguajë për gazetari të mirë. Në demokracitë perëndimore problemi më i madh është ai se ka shumë pak njerëz që janë të gatshëm të paguajnë për gazetari të mirë. E gjithë kjo e vështirëson detyrën e gazetarëve për ta kontrolluar pushtetin. Prandaj edhe dëmtohet etika në gazetari, e cila si duket që moti e ka humbur kuptimin. Edhe pse për të ka disa definicione të sakta, megjithatë, ajo pak respektohet nga mediet dhe gazetarët. Pra, shumë pak medie bëjnë dallim ndërmjet asaj se çka është PR, e çka është tekst apo kronikë gazetareske.

KOHA PËR TË MARRË VENDIM

Si ta evitojmë këtë situatë dhe t’u kthehemi rrënjëve, gazetarisë burimore. Për të ndodhur kjo, duhet:

  1. Të ndërpritet manipulimi i lajmeve. Pushteti përpiqet të manipulojë me mediet. Меtodat për manipulim janë subtile dhe të shumta. Edhe pse zakonisht te ne manipulimi është vullnetar, nuk përjashtohet mundësia që në disa medie kjo të jetë e dhunshme. Dhe, gjithsesi, duhet të lejojmë të themi se ata që janë të manipuluar nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për këtë.
  2. E vërteta. Kyçe është të shkruhet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Kuptohet se në gazetari e vërteta mund të jetë fleksibile, mirëpo gazetarët duhe të përpiqen që së paku ta paraqesin realitetin sa më shumë që është e mundur. Kjo do të thotë se qëllimi është arritur atëherë kur publiku do të fillojë t’u besojë gazetarëve dhe nuk do të flasë kundër tyre në debate të ndryshme.
  3. Interesi publik. Të dallohet në mënyrë të qartë se çka është interesi publik. Gjithnjë e më shpesh kohët e fundit gazetarët ballafaqohen me problemin që disa informata të mos mund t’i marrin. Këtu flasim për ato informata që janë me interes publik, e jo për fshehtësi shtetërore. Shembulli më i freskët është pyetja legjitime se ku i kalon pushimet verore kryeministri Nikolla Gruevski. Kjo pyetje nën presio mori përgjigje, mirëpo jo në mënyrën siç do të duhej – nëpërmjet komunikatës zyrtare.
  4. Privatësia. Edhe gazetarët duhet të vendosin një kufi se ku fillon dhe ku përfundon privatësia e рersonave publikë. Detajet e pahijshme nga jeta e personave publikë mund të jenë lajmi më i lexuar, mirëpo megjithatë, sa do e saktë të jetë informata, edhe ata i kanë të drejat e tyre.
  5. Dhe gjithsesi: Shija. Ka informata të cilat mund ta shokojnë ndjeshmërinë e publikut. Sa larg mund të shkojë një tregim për shkak të ndjeshmërisë së publikut, me qëllim të shpalosjes korrekte dhe të plotë të të vërtetës? Prandaj duhet të mendohet mirë, më tepër nga ana e udhëheqësisë redaktuese, para se të publikohen informatat që janë pa shije.

DERI KU ERDHËM?

Pa marrë parasysh se në çfarë përsheshi të gazetarisë gjendemi, megjithatë, kjo situatë patjetër duhet të zgjidhet. Mirëpo, duhet thënë se qëkur strategjia për PR e partive politike u fut në tekstet dhe kronikat redaktuese/gazetareske, profesionalizmi në gazetari filloi të vuajë. Për shkak të rrethanave në Maqedoni, kjo ndoshta është kështu më tepër se sa anë demokracitë e zhvilluara, mirëpo fakti është ky: PR-i i imponuar e ndot gazetarinë. Me këtë rast, këtu mendohet për PR-in e partive politike, për shkak se PR-i tjetër, ai i kompanive dhe i institucioneve, kjo është një e keqe pa të cilën s’bën.

PR-i i partive politike u bë virus, i cili është shumë më infektues madje edhe se sa Ebola dhe më i dëmshëm në aspekt afatgjatë.

PR-i  bë libër i zi i gazetarit, dhe kuptohet, makinë për ushqimin e publikut të pandalshëm, të urritur për tregime dhe storje ekskluzive.

U bë trend që gazetarët jo vetëm ta ritregojnë informatën e PR-it, por në emision, gazetë apo në portal t’i ftojnë edhe zëdhënësit që do ta plotësojnë fotografinë. Dhe kush fiton në këtë lojë? Kuptohet, politikanët.

Mirëpo, kjo mundet dhe duhet të ndryshojë. Duhet vetëm të ngritet më tepër zëri, edhe nga publiku, edhe nga gazetarët. Sepse, megjithatë, pa publik gazetari nuk ekziston.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik