Një ndër arsyet e keqinformimit të lexuesve është mos-dhënie e informacioneve të mjaftueshme nga ana e gazetarit në një lajm. Jo gjithçka përbën lajm, jo gjithçka meriton vëmendje dhe hapësirë mediatike. Përcaktimi mes asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është, po ashtu është detyrë e gazetarit.
Lindi deri te artikulli origjinal: Shqiptarët kundërpërgjigjen për propozimin e flamurit!
Data dhe koha e publikimit: 20.12.2018
Data e recensionit: 24.12.2018
Recensues: Fatlume Dervishi
Propozimet për ndryshim të flamurit të vendit që morën jehonë javëve të fundit në disa media (kryesisht portale) ishin totalisht të panevojshme sepse zyrtarisht nuk është diskutuar aspak për mundësinë e ndryshimit të flamurit të Maqedonisë. Është e paqartë se pse disa media u dhanë hapësirë ca propozimeve në rrjetet sociale nga persona të panjohur, nga emra jorelevantë.
Ku është lajmi në këtë tekst?
Autori ka publikuar një fotografi, një propozim të dikujt (të parëndësishëm) për “flamurin ideal” të Maqedonisë duke shtuar se ndaj tij ka pasur kundërpërgjigje. Por, në fakt, në tekst nuk jepet asnjë reagim, asnjë kundërpërgjigje dhe asnjë “ide tjetër nga ndjekësit” (ose nga “shqiptarët” siç shkruan autori në titull) edhe pse të gjitha këto paralajmërohen brenda përmbajtjes.
Të dallohet manipulimi me ndjenja
Shpesh, ideja e teksteve të këtilla është të prekin në pika të ndjeshme për lexuesit dhe të nxiten reagimet e tyre, pa qenë vërtetë nevoja për një gjë të tillë. Kjo është metodë e manipulimit me ndjenja dhe emocione te lexuesit.
Propozimi i një vullnetari të “Korpusit të paqes” nuk është relevant për të fituar interesin e mediave dhe nga ana tjetër, çështja e ndryshimit të mundshëm të flamurit as nuk është hapur dhe as nuk është në agjendën e gjërave që pritet të ndryshohen. Bazë për lajm do të ishin diskutimet serioze për ndryshim të flamurit ose simboleve të tjera shtetërore, mes aktorëve relevant, mes opinionbërësve, mes njohësve të çështjes, politikanëve, etj. Në të kundërt, çdo individ ka të drejtë të propozojë çfarëdo në rrjetet sociale, por mendimi i secilit nuk përbën lajm.