“Ekskluziviteti” medial nuk arrihet pa fakte dhe burime!

Fushatat zgjedhore janë periudha “ideale” për publikimin e lajmeve dhe mediave të rreme, me fokus të veçantë të shpërndarjes së propagandës politike në interes të partive të caktuara, e në dëm të disa të tjerave. Lajmet bëhen më të tërheqëse kur ato “informojnë” për prishje të një koalicioni a partie politike, dhe prandaj plasohen në publik si lajme ekskluzive, që nuk mund të haset në media të tjera dhe është risi.

Lajmi i plotë
Lajmi i plotë

Linku deri te artikulli: “Ekslkuzive: Besa dhe Aleanca ndahen përfundimisht

Data e publikimit: 21.03.2019

Dara e recensionit: 02.04.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

 “Ekskluzivitet” pa fakte dhe burime

“TetovaSot mëson ekskluzivisht që partia e Bilall Kasamit, Lëvizja Besa, ka ndërprerë çdo bashkëpunim me partinë e Ziadin Selës, Aleanca për Shqiptarët, në qytetin e Dibrës”, thuhet në lajmin e recensuar.

Kështu fillon lajmi, i cili nuk ka as fakte dhe burime të informacione, sepse nuk tregon se nga kush e ka mësuar gazetari informatën ekskluzive. Duke e pasur parasysh periudhën kur është sajuar lajmi, periudhën zgjedhore kur Aleanca për Shqiptarët dhe Lidhja Besa janë duke bashkëpunuar në zgjedhjet lokale në Dibër, kjo është përpjekje e gazetarit për të luhatur besimin e simpatizantëve të partive të përmendura. Kjo sigurisht se bëhet me tendencë për të ndryshuar bindjet e tyre politike por edhe për të votës, sepse duke thënë se është prishur koalicioni, do të krijojë përshtypjen te publiku “nuk duhet besuar këtyre, sepse këta nuk qenkan stabil, sa bashkëpunojnë, aty ndahen”.

Kjo është në kundërshtim me parimin e parë të Kodit të Gazetarëve: “Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”.

Koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet”: Përmendja e dy liderëve dhe partive politike, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, bën të besohet se lajmi ka të bëj me këta dy parti, por jo se edhe ndonjëri prej personave mund të ketë qenë burimi informacionit, siç ndodh në shumicën e rasteve kur thirremi në ekskluzivitet. Lajmet të tilla trajtohen në atë mënyrë, që të besohet se është e vërtetë dhe kanë për qëllim të realizojnë propagandë politike.

Koncepti i manipulimit “Thirrje në besueshmëri”:

“Kjo prishje e koalicionit lokal në Dibër pritet që të thellohet edhe në nivel republikan për zgjedhjet presidenciale ku këto dy parti kanë dalë me kandidat të përbashkët për president”, është paragrafi i dytë i lajmit të recensuar.

Kjo është qasje tipike, se nëse koalicioni është prishur në Dibër, do të prishet edhe në zgjedhjet presidenciale ku të dy partitë mbështesin një kandidat presidencial, Blerim Rekën. Megjithatë, as në Dibër e as në zgjedhje presidenciale koalicioni BESA-ASH nuk është prishur, dhe ato janë duke vazhduar koalicioniminin. Ekskluziviteti i lajmit është vetëm në dëshirën e gazetarit që të ndodh ajo që ai dëshiron, dhe për këtë të bind edhe publikun.

Fotografia manipuluese – qershia mbi tortë në lajmin e rremë

Sigurisht, se arma më e fortë e një lajmi të rremë, është që i njëjti të përmbajë titull dhe fotografi që përshtaten njëra me tjetrën. Në rastin në fjalë, titulli përmban emrat e dy partive politike, ndërkaq fotografia është manipuluese, sepse në të gjenden dy liderët e partive, të cilat në shikim të parë, te lexuesi do të krijojë përshtypjen se nga çasti i fotografisë, ka dalë edhe “lajmi” – ndarja. Fotografia merr edhe trajtën e manipulimit, sepse liderët shihen duke buzëqeshur.

Për lexuesit: Kërkoni burimin e informacionit në më shumë media

Në fushata zgjedhore, do të shohim gatim të shumë lajmeve dhe mediave të rreme. Dhe mos harroni, secili lajm dhe media e rremë, ka për qëllim të realizojë në propagandë. Prandaj, ju nuk duhet ta harroni faktin kryesor: Që vërtetësinë e lajmit ta kërkoni edhe në media tjera. Dhe ju do të pyesni se ku është dobia e kësaj, sigurisht në luhatjen e besimit të përkrahësve të asaj partie apo koalicioni. Prandaj duhet të kihet kujdes, që mos të besohet gjithçka që thirret në autoritet të partive, a kurse nuk citohen emra individësh së paku të njërës parti apo koalicioni, i cili mund ta vërtetonte saktësinë e lajmit. Mos e harroni edhe një fakt, koha e publikimit të lajmit. Një lajm i publikuar në ora 22:48, pa takim paraprak të palëve të përmendura, krijon hapësirë  manipulimi edhe më të madh me publikun, sepse kryesisht nuk ka hapësirë verifikimi, dhe deri nesër “lajmi” do të harrohet.