Gazetari duhet të krijojë raporte të shëndosha dhe të mbajë kontakte më të gjithë institucionet, subjektet, organizatat dhe të ngjashme. Në këtë mënyrë do të jetë më i informuar dhe më afër të vërtetës. Ndërtimi i këtyre raporteve krijon terren për burime të brendshme, të besueshme. Burimet mund të jenë anonime. Por, anonimiteti nuk duhet të keqpërdoret. Lajmi i recensuar është një shembull i një raportimi jo të plotë, me burime anonime.
Linku deri te artikulli origjinal: Alternativa “copë-copë”, ndasi të mëdha në krahun e Afrimit me krahun e Zejdit
Data dhe koha e publikimit: 17.05.2020, ora 15:06
Data e recensionit: 18.05.2020
Recensues: Fatlume Dervishi
Titulli është komentues. Përshkrimi “Alternativa “copë-copë”” tërheq lexues por ky konstatim nuk i takon gazetarit.
“Ndasi të mëdha në Alternativën e Afrim Gashit. Duket se Skender Rexhepi-Zejd dëshiron të marrë kreun e partisë, synim ky që nuk është fshehur asnjëherë nga vet ai dhe mbështetësit e Zejdit. Ka kohë që Gashi nuk shoqërohet me Zejdin, ndërsa është nënkryetari i partisë, Zeqirija Ibrahimi dhe kryetari i Degës në Çair, Bekim Sali, ata që kanë nisur fushatë për izolimin e Zejdit në vendimet e Kryesisë Qendrore.” – shkruan në tekstin që recensojmë.
Këto dhe informacione shtesë gazetari i atribuon si informacione nga “burime të sigurta”, “anëtarë të Kryesisë Qendrore të Alternativës” dhe “thonë në Alternativa”. Nuk mund ta konfirmojmë ose hedhim poshtë vërtetësinë e këtyre informacioneve. Mund të jenë të vërteta ose shpifje. D.m.th. gazetari ka të drejtë të citojë burime anonime por në këtë rast ata duken të dyshimta për një arsye; mungon tentimi për konfirmim zyrtar nga palët e përmendura. Për të shmangur të gjitha dyshimet, autori, mjafton të ishte drejtuar me pyetje konkrete për të verifikuar informacionet e tij; pyetje në partinë Alternativa, pyetje drejtuar Skender Rexhepit ose pyetje Afrim Gashit. Të apostrofuarit mund ta kishin konfirmuar ose ta kishin hedhur poshtë informacionin dhe gazetari përsëri mund të publikonte informacionet e tij nga burimet anonime nëse u beson mjaftueshëm atyre. Por, etika e gazetarit e detyron atë të kërkojë konfirmim të lajmit përpara publikimit.
Teknikat
Nëpërmjet metodës së mungesës së provave të kundërta, këta informacione publikohen si e vërteta e vetme. Provat dhe deklarimet zyrtare, siç e thamë më lart, mungojnë. Me shmangien e qëndrimeve zyrtare, autori ka treguar prirje për të konfirmuar këndvështrimin e tij, duke u mjaftuar vetëm me burimet anonime. Këto metoda sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.
Për lexuesit
Sa më shumë burime të ketë lajmi, aq më i besueshëm është. Gazetari nuk duhet të lejë përshtypjen sikur vetëm është ulur përpara tastierës dhe ka shkruar të gjitha çfarë i ka zënë veshi. Ai duhet ta sigurojë lexuesin se ka bërë pjesën e tij në konfirmimin e lajmit.