Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup ende nuk ka sistem të integruar

Për të bërë promovim medial të individëve të caktuar, bartës së funksioneve shtetërore, mediat dinë të mos japin të dhëna të mjaftueshme për atë që shkruajnë. Kjo bën që edhe lajmi të më pak i besueshëm madje dhe i pavërtetë. 

Fotografi nga teksti që recensohet
Fotografi nga teksti që recensohet

Linku deri te artikulli: Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup me sistem të integruar. Bela: Klinika jonë e para me këtë softuer”

Data e publikimit: 01.04.2019

Data e recensionit: 17.04.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull dezinformativ 

Pjesa e parë e titullit “Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup me sistem të integruar”, dhe pjesa e dytë “Bela: Klinika jonë e para me këtë softuer”, lënë hapësirë për të dyshuar nëse ka nisur të implementohet ky sistem.
Andaj, kur e lexon tekstin, e sheh se nuk ka fakte dhe argumente që do ta argumentojnë se “Nënë Tereza” fillimisht ka nisur zbatimin e këtij softueri dhe se ajo është e para. Kjo mund të kuptohet edhe në fjalinë “së shpejti nis me implementimin”, gjë e cila dëshmon se projekt ende nuk ka filluar.

“Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup së shpejti do të nis me implementimin e sistemimit të integruar ku me anë të këtij sistemi do të ndërlidhet administrata me pjesën mjekësore, Fondin Shëndetësor dhe me furnizimet tjera”, thuhet në lajmin e recensuar.

Koncepti i manipulimit “thirrje në autoritet” 

“Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup me sistem të integruar” duke ia shtuar edhe pjesën e dytë, “Bela: Klinika jonë e para me këtë softuer”, ka qëllim të bie në sy më shumë, për të tërhequr lexuesit. Këtu kemi përdorim të konceptit të manipulimit “thirrje në autoritet”, i cili ka për qëllim të shfaqë se një pohim është i vërtetë vetëm pse atë e thotë një person i cili ka autoritet në një sferë të caktuar, në këtë rast Bela në rolin e drejtorit. Nuk jepen të dhëna shtesë as detaje për sistemin e softverit.
Këtë manipulim e përdorin ata që kanë për qëllim të realizojnë propagandë për persona apo subjekte politike, për përvetësim të pikëve në publik apo edhe në subjektet politike nga ku vijnë personat.

Koncepti i manipulimit “thirrje në probabilitet” dhe “dëshmi nga këndvështrimi personal”
“Thirrja në probabilitet” bëhet me tendencë që të besohet se diçka ka ndodhur ose do të ndodhë vetëm sepse ka mundësi, gjasa apo donjë shenjë se mund të ndodhë, por pa siguri 100%.
Në këtë tekst, është përdorur ky manipulim në fjalinë “Spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup vazhdon të ofrojë kushte më të mira pas hyrjes së Belës drjetor ekonomik dhe lindjet e nënave shqiptare janë në rritje“.
Vetëm pse ka gjasa teorike që kushtet e mira të mund të ndikojnë në rritjen e numrit të lindjeve, kjo nuk do të thotë që vërtetë lindjet e nënave janë në rritje mu për shkak të kushteve të mira në këtë spital.
Numri i lindjeve mund të rritet për shkaqe të ndryshme dhe mund aspak të mos kenë lidhje me kushtet spitalore. Andaj gazetari nuk mund të thotë një konkluzë pa mos e mbështetur atë me ndonjë hulumtim apo ndonjë të dhënë statistikore për lidhjen e drejtpërdrejtë të lindjeve dhe atë të nënave shqiptare me kushetet e mira spitalore.
Përmendja e drejtorit organizativ, Valon Bela në lajm, ka për qëllim të nxjerrë dëshmi vetëm nga këndvështrimi personal, e cila në këtë situatë ka për qëllim ta kujtojë, favorizohet dhe të dëshmojë te publiku, se ekzistenca e një informacioni të tillë, “rritje e numrit të lindjeve”, është meritë e tij. Nuk ka të dhëna të shtuara për të përmbajtur një pohim të tillë.

Më pas, kjo fjali është problematike sepse nuk jep të dhëna statistikore se vërtetë është rritur numri i lindjeve të nënave shqiptare mu në atë periudhë. Nuk jep të dhëna statistikore apo dëshmi se numri i rritur i lindjeve paska nodhur vetëm në këtë spital apo flet për tërë territorin e Maqedonisë së Veriut.

E treta, kjo fjali është problematike sepse nuk jep dëshmi se si “vazhdon të ofrojë kushte më të mira pas hyrjes së Belës drejtor ekonomik”. Autori është dashur të jep fakte, argumente dhe dëshmi eksplicite se si kanë qenë kushtet para se të vjen Bela në këtë funksion dhe të dëshmojë se si ata janë përmirësuar më pas. Si dhe gjithashtu të jep dëshmi dhe të dhëna se si kushet e mira “vazhdojnë të ofrohen”.

Për lexuesit: Lajmi duhet të dëshmohet me fakte dhe argumente, jo vetëm me të thëna

Nëse hasni lajme që nuk kanë të dhëna dhe dëshmi statistikore për atë që shkruajnë dhe që flasin për diçka që matet atëherë merrni me rezervë. Nuk mund të miret si e mirëqenë gjithçka që premtohet nga funksionarët dhe që transmetohet nga gazetarët. Një informacion shndërrohet në lajm në momentin kur ka dëshmi. Gjithçka tjetër është marrëdhënie me publikun apo anglisht PR.