Komentet dhe nxitja e emocioneve negative nuk janë gazetari

Lajmi që recensohet

Është ky disa nga ato tekste që kanë për qëllim ngjalljen e emocioneve te lexuesit dhe klikimet e tyre, pavarësisht se ajo që e bëjnë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë dhe informimin. Me tekste si ky që e recensojmë mediat nuk janë më servis i qytetarëve i cili ka për qëllim të informojë dhe “t’ua hapë sytë qytetarëve” për fenomene të ndryshme në shoqëri që janë në dëmin e tyre.

Teksti qe recensohet

Data e publikimit: 23.06.2019

Data e recensionit: 24.06.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Në tekstin që recensojmë nuk shoh elemente që janë punë e gazetarit. Në vend se autori i këtij teksti të merret me arsimin shqip ose nëse ka elemente, të merret me funksionimin e Unionit Studentor për të cilin ka bërë tekst, ai merret me publikun, se kush është çuar në këmbë për himnin e kush jo. Me këtë stil të shkruarit vetëm se e ka degraduar profesionin e gazetarit pasi neve nuk na takon të bëjmë komente të këtij stili.

“Unioni Studentëve Shqiptar-UNSH dhe antarët e kësaj organizate,nuk respektojë dhe nderojnë himnin kombëtar shqiptarë, përcjellë Koha. Përderisa kjo organizatë thirret në emër të rinisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut,ata në promovimin e djeshëm të tyre,të mbajtur në sallën e konferencave në hotel “Bushi” vërehet qartë se si ata përdhosin dhe tallen me himnin kombëtar shqiptarë dhe nuk ngrihen në këmbë”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Teksti me komente nuk është tekst gazetari profesional

Autori dukshëm që në fillim të tekstit ka bërë një koment, duke thënë se anëtarët e Unionit studentor nuk e respektojnë himnin dhe kombin dhe madje tallen, edhe pse në video nuk duket asgjë që mund të duket tallje.

Autori i ka lejuar vetes edhe më shumë. U ka dhënë leksion studentëve.

“Nëse thirreni në emër të kombit,me këtë vepër të shëmtuar,ju e vini në dilemë të gjithë opinion e gjerë,se për kë punoni dhe çfarë qëllimi keni me popullin shqiptarë,kryesisht rininë shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, shkruan më tej në tekstin që analizojmë.

Nëse një tekst nuk e ka edhe palën e dytë, është i dyshimtë

Pse kjo gazetë nuk i ka kërkuar qëndrim Unionit për ta pyetur nëse personat në video janë anëtarët e saj, nëse e kanë bërë atë gjest për të degraduar himnin dhe kombin apo diçka tjetër është në pyetje. Për një tekst të drejtë që ka për qëllim informimin e jo shtrembërimin e një momenti nga një ngjarje e tërë, duhej të vendoseshin edhe elemente të tjera. Doemos për të qenë të drejtë para lexuesve është dashur që të ketë qëndrim edhe nga Unioni.

Meqë në këtë tekst nuk është kontaktuar pala e dytë dhe teksti është përplot komente, kjo e zbeh rëndësinë e lajmit dhe vë në pikëpyetje vërtetësinë e tij.

Mos lexoni tekste që u ngjallin emocione negative dhe që s’kanë argumente

Nëse shihni se një tekst ka për qëllim tu ngjallë emocione negative për diçka ose dikë, menjëherë të nisni dyshime dhe tekstin ta merrni me rezerva pasi gazetaria nuk e ka këtë mision.  Kur ju servojnë ndonjë video apo foto edhe atë merreni me rezerva pasi gjithmonë në prapaskenë ka diçka më shumë, prandaj mos lejoni që tu servojnë gjykimin personal ata që shkruajnë tekstin. Gjykoni sipas bindjes suaj dhe ajo kurrë nuk do të gënjejë, ndërsa një fotografi dhe video e shtrembëruar gjithmonë mundet tu mashtrojë në çfarëdo mënyre.