Informon gazeta maqedonase. Shkruan një media tjetër. Flitet në opinion. Sipas burimeve të “x” portalit. Shkruajnë mediat në gjuhën shqipe. Janë shprehje që shpesh i hasim nëpër media, kur transmetojnë ndonjë informacion, që transmetuesi nuk ka fakte, por është thjeshtë vetëm transmetues duke mos verifikuar vetë informatat, gjë që e ka punë ta bëje!
Link deri te artikulli origjinal: “FOKUS: Kasami nuk kushtezoi për çështjen shqiptare, por vulën e Besës“
Data dhe koha e publikimit: 13.01.2019
Data e recensionit: 15.01.2019
Recensues: Xhenis Sulimani
Po, transmetuesi e kryen obligimin etik për ta cituar burimin. Megjithatë, nëse i njëjti lajm nuk është i saktë, i plotë dhe objektiv atëherë kodi etikës shkelet sepse në këtë rast kemi të bëjmë me transmetim të spekulimeve.
Lajmi që po e recensojmë është shembull tipik i fenomenit që e paralajmëruam në hyrje. Sikur teksti në shqip do të na bind për spekulimin vetëm për faktin se “për këtë ditë më parë informoi gazeta maqedone Fokus”.
Mos e çoriento opinionin
Teksti mëton të bind opinionin publik se në takimin mes kryeministrit aktual Zoran Zaev dhe kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk kanë qenë temë diskutimi ndryshimet kushtetuese dhe intervenimet në disa ligje, por “vula e Besës”.
Ndërkaq, verzioni zyrtar për marrëveshjen mes dy palëve flet krejtësisht ndryshe.
Kulmon spekulimi në tekstin që po e recensojmë, kur mes tjerash autori shprehet se “këto ditë pritet të dalë vendimi përfundimtar dhe do të merret vesh nëse Zaev ka rënë pre presioneve të Kasamit”.
Qëllimi i gazetarit nuk është që dyshimet eventuale t’i lenë në “duar të fatit”, por që nëpërmes fakteve dhe burimeve zyrtare të konfirmojë të vërtetën. Dhe, në mungesë të argumenteve mos të thirret në dëshminë e kohës. Dëshmia më e mirë për informacionin janë faktet- më shumë se dy.
Citimi i një medie prestigjioze nuk është argument për informacion të saktë.
Vëmendja e lexuesit gjithmonë duhet të jetë te informacioni zyrtar. Gjithçka tjetër jozyrtare duhet të merret me rezervë, sidomos kur mungojnë faktet relevante si te teksti në fjalë. Komplotet që nxirren pas të dhënave zyrtare nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, derisa gazetari nuk jep fakte dhe nuk e ndërton lajmin mbi bazë të saktësisë dhe objektivitetit.