Disa media të internetit kanë filluar ta lujanë rolin e analistit, pa patur asnjë të drejtë. Portali tekstin e të cilit po e recensojmë, ka publikuar një tekst kryekëput koment të cilin e ka vendosur në kategorinë e lajmeve të vendit. Këtu është gabimi i cili e ka ndjekur gjithë tekstin dhe e ka shndërruar në një tekst joetik, pasi po të ishte në kategorinë e komenteve, nuk do të na bënte përshtypje ndoshta.
Linku deri te artikulli: “Apropos Kodra e Diellit”, Bektesh, para se të të kaloj mandati, mëso nga “Zhurnal” si zhvillohet Turizmi!
Data e publikimit: 16.01.2019
Data e recensionit: 30.01.2019
Recensuese: Ferikan Iljazi
Komentet e kanë vendin te komentet, e jo tek kategoria e lajmeve
“Apropos Kodra e Diellit”, Bektesh, para se të të kaloj mandati, mëso nga “Zhurnal” si zhvillohet Turizmi!”, kur një tekst fillon me këtë titull, është e qartë se çfarë ka më tej në brendi. Komente përplot, fjalë fyese ose klasifikime si i “paaftë” dhe fjalën popullore “në qofsh Bektesh e merr vesh” . Autori i këtij teksti që ka shënuar vetëm inicialet B.M ia ka lejuar vetes që të bëjë portalin e tij të internetit Agjenci ose Organizatë për analizë të mendimit publik, ose veten analist, dhe ti kushtojë një tekst të tërë një ministri, duke i treguar si ta bëjë punën. Jo që gazetarët dhe mediat nuk kanë të drejtë, por është e preferueshme tu tregojnë politikanëve se si ta bëjnë punën, po JO në këtë mënyrë. Si ka mundësi që një gazetar, që është i obliguar të jetë i paanshëm, dhe tia bëjë të qartë lexuesit kur shkruan koment ose informatë, të vendosë koment, tek kategoria e informimit ose lajmeve informative.
Ky koment nuk ka lidhje me kritikën e mirëfilltë, tekstin kritik të një gazetari që ka për qëllim të nxisë ndryshime, por është shndërruar në larje hesapesh personale
Ajo çfarë vërehet prej në fillim të tekstit është se autori është thirrur në “shumicën”, që gjoja mendoka sikurse gazetari, se Kreshnik Bekteshi është i paaftë. Por, kjo është teknikë shumë e shpeshtë për të arsyetuar mendimin personal të autorit të tekstit.
“Mori shumë kritika në opinion se ai nuk ia ka haberin Ekonomisë, gjegjësisht zhvillimit të qendërave turistike në Maqedoni”, e ku janë ato kritika, jepni fakte, fotografi, mesazhe, video, statuse në rrjete sociale, anketa me qytetarë…Ku janë faktet?!
Vazhdon ofendimi personal edhe më tej… “Nëse Kreshnik Bekteshi është i “paaftë”, Agjencia e Lajmeve Zhurnal, në vijim ia sjellë disa pika se si do të zgjidheshte qendra për skijim në Kodrën e Diellit”
Është e qartë se autori i këtij teksti ka një tendencë personale kundër ministrit Bekteshi, dhe kjo asesi nuk lejohet në gazetari. Ndoshta mund të pajtohem për performancat e ulëta të ministrit, ndoshta mund të pajtohem për zgjidhjet e tij të gabuara lidhur me menaxhimin e Kodrës së Diellit ose edhe për harxhimet e majme që i kishte bërë në restorane dhe hotele, por kjo nuk është mënyrë e dukur me të cilën duhet të komunikojë një gazetar.
Epiteti i gazetarit është shumë i vlefshëm pasi që mund të jesh një penë tejet e ndritur, të jesh tejet i mirëinformuar, me besueshmëri e profesionalizëm, por një gabim si ky mund të të kushtojë shumë…
“Të jesh ministër, duhesh të kesh ide se si të zgjidhen problemet për një kohë të shpejtë dhe jo të zvarriten ato ku i dëmtuari më i madh është qytetari i rëndomt. Nëse realisht do të ketë ndryshime në qeveri ku do të bazohen mbi performacën në raport me premtimet e gjithë ministrave të kabinetit qeveritarë, i pari që rrezikon postin është vetë Ministri Bekteshi. Nëse vështrojmë hollësisht arkivin e ngjarjeve dhe aktiviteteve të Ministrit Bekteshi, vërehet dominimi i takimeve, vizitave dhe aktiviteteve të ngjashme, ndërsa të pakta janë projektet dhe investimet kapitale”
Ky komunikim për një gazetar, është i pafalshëm!
Kur gazetarët dëshirojnë të dëshmojnë ndonjë poentë, apo të nxjerrin ndonjë ide, kanë mijëra mënyra se si ta bëjnë. Nëpërmjet analistëve, qytetarëve, debateve…Është aq e thjeshtë sa smund të bëhet më e thjeshtë. Gjëja e vetme që është dashur ta bëjë gazetari në këtë rast, pa u njollosur me një tekst tendencioz dhe kryekëput politik, ka qenë që ta thërrase ministrin në debat, ti marrë deklaratë, ose nëse heshtë, ta tregojë se heshtë, por jo edhe ti imponojë zgjidhje politike. Në këtë rast, gazetari ka tejkaluar jo vetëm kompetencat e tij si gazetar, por e ka tejkaluar edhe misionin e gazetarisë, duke u njëjtësuar me partitë politike opozitare , që në fakt kanë mundur ti drejtohen në këtë mënyrë ministrit, pasi janë politikanë…