Promovimet partiake janë fushatë politike dhe nuk paraqesin lajm

Në kohë fushate zgjedhore, autorë të ndryshëm me qëllime propaganduese bëjnë edhe tekste të cilët nuk janë as të përafërta me lajmet dhe shkrimet gazetareske por janë “PR” i pastër.

Foto nga lajmi që e recensojmë

Linku deri te artikulli origjinal: “Nga Prespa nis historia e re e shqiptarëve”

Data dhe koha e publikimit: 24.06.2020

Data e recensionit: 29.06.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Autori, në kategorinë ku janë të publikuara lajmet, ka publikuar tekstin në fjalë i cili nuk është lajm. Atë ditë, më 24 qershor, BDI-ja, në kuadër të fushatës, në Prespë ka prezantuar programin e saj zgjedhor dhe kandidatin e saj për kryeministër.

“Kryeministri i parë shqiptar është si një vullkan që do shpërthejë së shpejti .Çdo gjë nis nga Prespa duke ardhë drejt kryeqendrës aty ku ideja e Kryeministrit të parë shqiptarë po shkakton frikë tek pala maqedonase informon TetovaSot. Partitë e vogla kërkojnë pushtet proporcionalisht me forcën e tyre të vogël,që s’ka peshë për ndonjë ministri formale vetëm për ambicje të një grupi të vogël njerëzisht.” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Ky narrativ nuk është lajm. Janë lavde, fjalë të mëdha, zbukurime dhe komente por të gjitha këto janë larg lajmit. Doza e lartë e subjektivitetit e nxjerr dukshëm në pah anshmërinë e gazetarit. Për të qenë objektiv gazetari duhet të bëjë dallimin, fitorja e madhe politike dhe ajo shqiptare nuk janë e njëjta gjë kurse fillimi i historisë së re për një parti nuk nënkupton fillimin e historisë së re për një popull.

Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Teknikat e manipulimit

Gazetari nxit ose thirret në emocionet e lexuesve duke e lidhur çështjen partiake drejtpërdrejtë me atë kombëtare. Me subjektivizëm, nashkalohet fakti që brenda një kombi ka disa parti. Metodat e këtilla të manipulimit në media sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Qasja subjektive promovuese e gazetarit për një parti politike pa radhitur fakte, burime dhe pa pasur anën tjetër të historisë, nuk konsiderohet si profesionale sa i takon informimit. Gazetari duhet të mbajë për vete bindjet politike kurse gazetarisë t’i qaset me paanshmëri.