Sallata Shope nuk shkakton helmim

Nuk ka asnjë provë të fortë se sallata Shope mund të çojë në helmim në trup, siç thuhet në postimin që e analizojmë. Kjo sallatë në vendin tonë është tradicionale dhe konsumohet prej shekujsh dhe deri më tani nuk dihet që shkakton helmim. Nëse do të ishte ashtu, do ta kishim ditur deri më tani dhe kjo sallatë do të ishte hequr nga tryeza në vendin tonë shumë kohë më parë.

Postimi në Facebook e bind opinionin se sallata Shope është e dëmshme dhe nuk duhet të konsumohet. Postimi paralajmëron se assesi nuk bën të përzihen, domatet, kastravecët dhe djathi. Postimi gjatë momentit të recensimit ka 33 reagime, 17 komente dhe 4 shpërndarje.

Ky postim përcjell shkrimin me titullin “Mirupafshim sallatës Shope: Mos përzieni domate, kastravecët dhe djathin!”.

“Kombinimi i ushqimeve që kanë kohë të ndryshme për tretje në stomak, nuk është aspak e dëshirueshme. Duke kombinuar përbërës të tillë, ushqimi mund të fermentohet në stomak dhe kështu mund të ndodhë helmimi. Kastravecët dhe domatet nuk janë në përputhje me njëra-tjetrën dhe nuk duhet të hahen kurrë së bashku. Kur ato arrijnë në stomak dhe fillon procesi i fermentimit, mund të shkaktojnë një sërë problemesh. Gjithashtu, djathi nuk shkon në kombinim me to”, thekson artikulli.

Kontrolli ynë tregon se kjo nuk është e saktë. Megjithatë, e saktë është se domateve dhe kastravecëve ju duhet kohë e ndryshme për tretje në stomak, por nuk është e vërtetë se kombinimi i tyre mund të shkaktojë helmim.

Faqja Panacea.mk, që nga viti 2018 ka shkruar për këtë temë:

Domatet, ndryshe nga kastravecët, për shkak të përqindjes së lartë të fibrave që përmbajnë, treten më ngadalë në trup. Sidoqoftë, është zbuluar se ekzistojnë kombinime të perimeve të tjera që gatuhen me shpejtësi të ndryshme dhe nuk ndikojnë në tretjen e përgjithshme në trup. Kohët e ndryshme të përpunimit të domateve dhe kastravecëve, sqarojnë dietologë të tjerë, nuk janë arsye për të hequr dorë nga kombinimi perfekt i këtyre dy perimeve.

Më tej në shkrim thuhet se arsye tjetër e mundshme për shmangien e këtij kombinimi, është se kastravecët përmbajnë enzime që e shkatërrojnë vitaminën C të domateve.

Por nga ana tjetër, ata shtojnë se ky nuk duhet të jetë problem, përveç personave që kanë problem me avitaminozën. Dhe për këtë, thonë ekspertët, ekziston një zgjidhje. Nëse keni mungesë të vitaminës C në trupin tuaj, problemi mund të zgjidhet duke konsumuar domate dhe kastravecë veç e veç ose pas vaktit të pini një gotë me lëng portokalli të shtrydhur dhe kështu të plotësoni dozën e kërkuar të vitaminës C. Nëse keni një stomak të ndjeshëm, shikoni se si reagon trupi juaj pasi të hani, për shembull, sallatën Shope. Nëse nuk keni ndonjë problem në stomak, mos ngurroni të shijoni kombinimin tuaj të preferuar – domate dhe kastravec.

Mjeku Aleksandar Mitov, në faqen e tij zyrtare, gjithashtu, shkruan se sallata Shope është jashtëzakonisht e shëndetshme.

Sallata përgatitet nga domatet, kastravecët, specat, qepa dhe pak djathë, kripë dhe vaj. Komponentët e bimëve janë të paketuara me kimikate fitokimike me fuqi të jashtëzakonshme antioksiduese. Veçanërisht është rasti rasti për likopenin dhe nyringeninën në domate, kapsaicinën, luteinën dhe zeaksantinën në speca, pastaj antocianinat dhe kuercetinën në qepë dhe flavonoidet dhe taninet e shumta në kastraveca, shkruan dr. Mitov duke iu referuar përbërësve të bimëve që theksojnë burimin e antioksidantëve.

Më tej dr. Mitov thekson se sallata Shope është ushqim me kalori të ulët, i pasur me fibra të ndryshme, ushqim i dedikuar për dobësim dhe është digjestiv.

Sallata gjithashtu mund të ndihmojë në rregullimin e sheqerit. Kjo veti është për shkak të fibrave, por edhe për shkak të disa kimikateve të saj fitokimike. Përmbajtja e lartë e ujit dhe uji i lidhur në traktin tretës nga fibra do të thotë një vlerë më e ulët e energjisë, por gjithashtu edhe një ndjenjë e zgjatur e ngopjes.

Sallata Shope, shkruan mjeku, është e pasur me vitamina dhe minerale. Është e pasur, mbi të gjitha, me vitamina C, K dhe vitamina B, veçanërisht B6 dhe B9. Këto vitamina janë të pranishme në të gjithë përbërësit e bimëve të sallatës, por vitaminat A, E dhe të tjerat janë gjithashtu të pranishme në sasi më të vogla.

Ndërsa mineralet më të zakonshëm janë kaliumi, mangani, kalciumi, magnezi, hekuri dhe të tjerët në sasi më të vogla.

Në fund mjeku Mitov thekson se gjatë përgatitjes së sallatës, më së shpeshti gabohet kur teprohet me djathin, vajin dhe kripën.

Djathi është i pasur me yndyrë dhe rrit në mënyrë dramatike vlerën kalorike dhe është i pasur me kripë. Duhet të përdoret si një lloj erëzash dhe kështu të shmanget nevoja për kripë shtesë, e cila gjithashtu mund të jetë mjaft e dëmshme. Kur bëhet fjalë për vajin, ai është burimi më i përqendruar i energjisë. Përveç kësaj, vajrat e rafinuar nuk përmbajnë asnjë mikroelementë dhe mund të përmbajnë acide të dëmshme yndyrore të dëmshme për shëndetin. Prandaj, është më mirë të mos shtoni vaj fare, dhe nëse tashmë dëshironi të përmirësoni shijen, zgjidhja më e mirë është vaji i shtypur në të ftohtë, por pak!

Kontrolli ynë zbuloi disa gjëra. Së pari, se koha e ndryshme që kërkohet për tretjen e domateve dhe kastravecëve nuk çon në helmim në trup, por mund të çojë në vështirësi. Por është individual dhe çdo organizëm është i ndryshëm, ashtu si të gjithë reagojnë ndryshe ndaj çdo ushqimi tjetër. Prandaj, nëse hasni në vështirësi pasi keni konsumuar sallatën Shope, shmangeni atë.

Së dyti, kombinimi i domateve me kastravecët mund të jetë i dëmshëm sepse kastravecat përmbajnë enzima që shkatërrojnë vitaminën C në domate. Por ky nuk është problem, përveç personave që kanë problem me avitaminozën. Këta njerëz mund të pinë një gotë portokall të shtrydhur pasi të kenë konsumuar sallatën Shope.

Së treti, sallata është e pasur me vitamina, minerale dhe vajra bimorë dhe ka kalori të ulët.

Pra, nuk ka asnjë provë të fortë se sallata Shope mund të çojë në helmim në trup, siç thuhet në postimin që po analizojmë. Kjo sallatë në vendin tonë është tradicionale dhe konsumohet me shekuj dhe deri më tani nuk dihet që sallata shkakton helmim. Nëse do të ishte ashtu, do ta kishim ditur tashmë dhe kjo sallë do të ishte hequr nga tryezat tona shumë kohë më parë.

 

Qendra e resurseve në internet për shkathtësi mediatike dhe mendim kritik “Crithink” shërben si një arkivë publike e përmbajtjeve edukative dhe informuese të botuar nga “Metamorphosis” dhe nga projekte dhe organizata tjera, veçanërisht për anëtarët e Rrjetit për shkathtësi meidatike. Ky artikull u botua fillimisht nga shërbimi për verifikimin e fakteve “Vërtetmatësi” dhe është marrë me lejen e botuesit sipas kushteve të licencës Creative Commons – thekso burimin – pa intervenuar.