Vija ndarëse mes interesit publik dhe privatësisë

Një nga të drejtat themelore e cila garantohet me Kushtetutën e vendit, është privatësia e qytetarëve. Megjithatë, duhet nënvizuar se, privatësia nuk është absolute, sidomos kur flitet për personalitete publike. Edhe pse kjo e drejtë është e ndryshme për personat publik të cilët me vetëdije i nënshtrohen “monitorimit” të vazhdueshëm të gazetarëve dhe publikut, këta të fundit duhet të tregojnë kujdes dhe të mos e shkelin atë vijën ndarëse mes interesit publik dhe privatësisë.

Autor: Ardit Ramadani

Çfarë d.m.th. privatësia personale?

Nocioni privatësi, fillimisht është përcaktuar në Rezolutën nr.428 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nga viti 1970.

E drejta e respektimit të privatësisë para së gjithash bazohet mbi të drejtën e çdo individi që të jetojë jetën e tij me përzierjen minimale të të tjerëve. Kjo ka të bëjë me jetën private dhe familjen, integritetin moral dhe fizik, nderin dhe reputacionin, shmangien që individi të prezantohet në dritë jo të vërtetë, publikimi i fakteve jo relevante dhe të pakëndshme, publikimi i paautorizuar i fotografive private, mbrojtja nga spiunimi dhe vëzhgimi i paarsyeshëm, mbrojtja nga keqpërdorimi i komunikimeve private, mbrojtja nga zbulimi i informacioneve të dhëna ose të pranuara në besueshmëri.

Cila është vija ndarëse mes privatësisë dhe interesit publik?

Privatësia nuk është absolute, sidomos kur flitet për personalitetet publike, e në radhë të parë, për politikanët që jetojnë dhe veprojnë nën dritën e vazhdueshme të “reflektorëve” të opinionit publik. E drejta e privatësisë është e ndryshme për politikanët dhe qytetarët e tjerë, sepse politikanët me vetëdije i nënshtrohen “monitorimit” të vazhdueshëm të gazetarëve dhe publikut dhe duhet të tregojnë një sens dhe tolerancë më të madhe për zbulimin e detajeve të jetës së tyre dhe, nuk duhet të pengojnë gazetarët nga roli i “kujdestarëve publik”, sidomos kur këtë gjë e kërkon interesi publik.

Trajtim të veçantë në media duhet të ketë privatësia e personave publik. Edhe ata e gëzojnë këtë të drejtë, por jo në të njejtën formë si personat e zakonshëm. Në Rezolutën nr, 1165 nga viti 1988 për të drejtën e privatësisë qartë është theksuar se personat publik patjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për pozitën që kanë në shoqëri, prandaj automatikisht kjo shpie drejt interesit të zmadhuar të publikut për privatësinë e tyre.

Shembuj se si mediumet në RMV shkelin privatësinë

Edhe pse në këtë lajm thuhet qartë “ne nuk merremi me jetën private të askujt”, kjo e fundit ka ndodhur edhe atë në formën më të keqe të mundshme, për shkak se në fotografitë e publikuara përveç që shihet kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), është e dukshme edhe një vajzë e moshës së re, e cila nuk bart asnjë post publik.

“Molla Sula i jep fund beqarisë bëhet ,,dhëndër i BDI-së.” Është titulli i lajmit i publikuar në “InfoMagazine”.

Në këtë rast, problemi nuk qëndron te lajmi i cili informon qytetarët për martesën e një personi publik, por te mënyra se si i njëjti është shkruar dhe në publikimin e fotografive ku shihet një vajzë e re, e cila pretendohet të jetë gruaja e re e kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) edhe pse kjo nuk është konfirmuar asnjëherë nga personi në fjalë.

Me këtë lajm është cenuar privatësia e personit publik si dhe atij jo-publik, që në këtë rast është siç pretendohet, gruaja e re e Sulejman Rexhepit.

Me këtë, gazetari ka shkelur Pikën 7 dhe 10 të Kodit Etik të gazetarëve, nenin 18 dhe 25 të Kushtetutës së RMV-së, nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“(VIDEO) Takimi i liderëve në kohë Ramazani, a agjëronte sot Ali Ahmeti? Shikoni si e mbush ujin” është titulli i lajmit të publikuar në portalin “in7”.

Në asnjë moment gazetari nuk e ka për detyrë të bëhet “polic i religjionit”, respektivisht të gjykoje atë se i respekton ritualet fetare një politikan apo jo, për shkak se kjo hyn te pjesa personale e vetë personit dhe nuk përbën interes publik.

“E pikërisht në këto pamje, shihet se si Ali Ahmetit nuk i pritet, e “rrëmben” shishen e ujit dhe e mbush gotën. Gjithsesi nuk dëshmi nëse e piu ose jo! Shikoni dhe gjykoni!” thuhet në mes të tjerash në këtë lajm.

Me këtë ky lajm ngrenë disa pyetje për të cilat më pas ju bën thirrje qytetarëve që “të shikojnë dhe gjykojnë”, parashtrohet pyetja, pse ju bëhet thirrje qytetarëve që “të gjykojnë” në qoftë se një politikan agjëron apo nuk agjëron? Përveç se lajmi është irelevant, lehet gjithashtu përshtypja se lajmi është tendencioz.

Këtu është shkelur pika e 7 e Kodit të Gazetarisë ku qartë thuhet se “Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik.” Por jo vetëm, duke u përzier në atë se a agjëron një politikan, gazetari ka thyer pikën e 10 të Kodit Etik dhe nenin 25 dhe 18 të Kushtetutës së RMV-së.

Si është rregulluar kjo në shtetin tonë?

Ndryshe, e drejta e privatësisë dhe interesi publik në Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë janë rregulluar me më shumë parime (nene të Kodit). Që në Parimet e sjelljes është e shkruar se detyrë themelore e gazetarëve është t’i respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut, të jetë i informuar në pajtim me nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e cila garanton liri të shprehjes së mendimit, lirinë e të folurit, të paraqitjes publike, informimit publik, qasjen e lirë deri te informacionet, lirinë e pranimit dhe transmetimit të informacioneve, ndalimin e censurës.

Në nenin 1 të Kodit të gazetarëve në Maqedoni qëndron se gazetari ka të drejtën e qasjes së lirë deri te burimet e informimit që janë me interes publik. Fakti që interesi publik është i rregulluar me nenin e parë të Kodit të gazetarëve më së miri flet për nevojën e publikut çdoherë të ketë në dispozicion informacione të sakta, të verifikuara dhe informacione në kohë. Neni 7 u rekomandon gazetarëve të shmangin hyrjen në jetën private të personaliteteve, përveç nëse sjellja e një personi publik në jetën private ka ndikim ndaj interesit publik.

Kjo e drejtë gjithashtu garantohet edhe me aktin më të lartë të shtetit tonë, që është Kushtetuta e RMV-së, ku sipas nenit 25, çdo qytetari i garantohet respektimi dhe mbrojtja e privatësisë së jetës së tij personale dhe familjare, e dinjitetit dhe e autoritetit, si dhe, në funksion të saj, neni 18 i Kushtetutës po ashtu garanton edhe sigurinë dhe fshehtësinë e të dhënave personale.

Maqedonia e Veriut gjithashtu është një ndër nënshkrueset e Konventës Ndërkombëtare pët të Drejtat e Njeriut ku në formë shumë të qartë mbrohet privatësia e çdo personi, ku neni 8 i kësaj konvente thotë se “çdo individ ka të drejtë ti respektohet privatësia dhe jeta familjare, shtëpia dhe korrespodenca”.