“Analizë” në formë tifozllëku e duelit televiziv në favor të Mickoski

 

[Recension: Me vendosmëri dhe drejtpërdrejt në sy, Mickoski i mbajti leksion Zaevit]

Dueli televiziv mes dy pretendentëve për postin e kryeministrit, liderëve të LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, bëri që disa portale gjatë dhe pas duelit të përhapin propagandë me një ritëm të intensifikuar, kryesisht në favor të liderit të opozitës.

Linku deri te artikulli origjinal: Me vendosmëri dhe drejtpërdrejt në sy, Mickoski i mbajti leksion Zaevit

Data dhe koha e publikimit: 6.6.2020

Data e recensionit: 7.7.2020

Recenzues: Simona Atanasova

Një artikull i tillë është ky që po e recensojmë. Teksti është shkruar sikur të bëhej fjalë për një ndeshje futbolli, e jo një duel parazgjedhor i dy kandidatëve për kryeministër. Përgjatë gjithë artikullit, ekziston një atmosferë tifozllëku në favor të kryetari të VMRO-DPMNE-së, dhe madje në fund ajo përfundon me rezultatin 2:0 në favor të Mickoskit! Nuk është aspak e qartë se si u arrit një “rezultat” i tillë.

Përveç që është i njëanshëm, teksti është edhe plotësisht komentues.  Janë shprehur qëndrime personale të atij që e ka shkruar tekstin (autori nuk është nënshkruar), pa dhënë prova bindëse se pretendimet janë të vërteta dhe të verifikuara.

Përfundime të njëanshme janë përdorur që nga vetë titulli, i cili në mënyrë sensacionaliste pretendon se Mickoski i ka mbajtur leksion Zaevit. Por, çfarë leksioni dhe kush kujt i mbajti, kjo nuk është shtjelluar në tekst. Pra, edhe pse titulli qëndron pezull në mënyrë manipuluese, ai shpërndahet për të tërhequr vëmendje dhe klikime.

LAVDËRIM

I gjithë artikulli është shkruar në mënyrë tendencioze, në drejtim të diskreditimit të Zaevit dhe lavdërimit të Mickovskit.

“Bindës”, “i sigurt”, “vendimtar”, “i drejtpërdrejtë” janë epitetet e përdorura për performancën e Mickovskit, ndërsa Zaevi komentohet se ka qenë “jobindës”, “i pasigurt”, “njeri që është duke u mbytur dhe kërkon shpëtim”.

Në tekst thuhet se këto përfundime janë bërë në bazë të komenteve në rrjetet sociale, por teksti nuk ofron asnjë koment të vetëm nga rrjetet sociale, nga i cili mund të konkludohet se kjo është situata e vërtetë.

Por, edhe nëse ka komente të tilla në rrjetet sociale, kjo nuk është metodologjia me të cilën mund të matet performanca e (pa)suksesshme në një debat televiziv. Megjithatë, në fund të fundit, qytetarët kanë mekanizëm përmes të cilit mund të vendosin se kush ishte më bindës në fjalimet parazgjedhore. Ky mekanizëm janë zgjedhjet e 15 korrikut. Vetëm ai qëndrim i qytetarëve është i rëndësishëm dhe me peshë, e jo komente në rrjetet sociale, ku çdokush mund të shkruajë çfarë të dëshirojë.